01 Gusht 2021

BE fuqishëm pro perspektivës evropiane për Kosovën

Prishtinë, 19 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot Stefan Füle, Komisioner për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë.

Duke e vlerësuar takimin e sotëm me Presidentin Sejdiu si takim shumë të mirë dhe të hapur, Komisioneri Füle theksoi se u ka shprehur Presidentit Sejdiu dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, qëndrimin e fuqishëm konsensual të Bashkimit Evropian për t’u angazhuar në Kosovë si dhe për të siguruar perspektivën evropiane për Kosovën.

“Diskutuam për sfidat që kemi përpara, duke pasur parasysh se viti 2010 do të jetë vit i sfidave. Është me rëndësi që institucionet e Kosovës, gjatë këtij viti, të sigurojnë stabilitet politik, që të garantojnë siguri për qytetarët e Kosovës, posaçërisht për komunitetet pakicë, dhe është shumë e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të angazhohen në reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe qeverisjen e mirë. Në këtë drejtim është e rëndësishme që jo vetëm të dëgjojmë fjalë, por të kemi edhe veprime konkrete”, theksoi Füle.

Gjithashtu, ai tha të se gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimin praktik në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në  tri fushat siç janë dialogu për vizat, dialogu në procesin e stabilizim-asociimit si dhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal.

Ndërkaq, Presidenti Sejdiu ka shprehur falënderimin për mbështetjen e madhe që Bashkimi Evropian dhe Komisionari për Zgjerim i ka dhënë Kosovës, dhe e përgëzoi komisionarin Stefan Füle për detyrën që ka marrë.

“E përgëzova komisionarin Stefan Füle për detyrën që ka marrë, një detyrë e peshës së veçantë për Evropën, për kontinentin tonë, dhe në të njëjtën kohë e falënderova për përkushtimin personal që ka në mbështetjen e mëtejshme të Kosovës në të gjitha rrafshet e radiusit të veprimit të komisionarit për zgjerim”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ai tha të ketë biseduar me z. Füle për ambiciet dhe thellimin e punës së institucioneve të Republikës së Kosovës për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe të procesit të integrimeve, kritere këto të cilat pritet të merren në ndërkohë.

“Kosova nuk ka vizion tjetër në kuptimin e aderimit të saj, por ka vizionin që në një të ardhme të afërt të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, që të jetë në mundësi të barabarta të veprimit dhe të shfrytëzimit të benefiteve por edhe të bëjë punën në partneritet të përbashkët me Bashkimin Evropian dhe ajo ditë do të vijë, por sa do të jetë gjatë rruga dhe sa do të shkurtohet, do të varet nga puna jonë, por natyrisht edhe nga mbështetja që do të kemi”, tha Presidenti Sejdiu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Gusht 2021

- Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden më ç'rast me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett. (Oborri në hyrje të objektit të Kuvendit ora 18:30 - Mediat duhet të jenë të pranishme në Presidencë, ora 17:45)