31 Korrik 2021

Avancohet agjenda evropiane e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 23 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, sot nënshkruan një Marrëveshje mbi bashkëpunimin në avancimin e Agjendës Evropiane të Republikës së Kosovës.

Kjo marrëveshje, sipas drejtuesve të këtyre dy ministrive, ka për synim që ta mbështesë Republikën e Kosovës, përkatësisht institucionet e saj me qëllim që procesi i lëvizjes pa viza të jetë një proces, i cili së shpejti të bëhet realitet.

“Kjo marrëveshje synon që ta mbështesë Republikën e Kosovës, institucionet e Kosovës që procesi i lëvizjes pa viza të jetë një proces, i cili së shpejti do të bëhet realitet në Republikën e Kosovës dhe për këtë arsye dy ministritë tona kanë rënë dakord që realisht ta gjejmë një zgjidhje institucionale përmes ambasadës sonë në Bruksel, ku do të ketë një diplomat i cili në mënyrë intensive do të jetë në dispozicion të Ministres së Integrimeve Evropiane, që t’i përcjellë të gjitha proceset integruese në Bashkimin Evropian, t’i raportojë Ministres dhe ne të kemi një agjendë shumë më aktive, agresive, dinamike në procesin e liberalizimit të vizave“, tha Ministri Hoxhaj.

Sipas tij, Bashkimi Evropian përfshin brenda vetes 500 milionë qytetarë. Ballkani Perëndimor është një regjion i cili ka rreth 50 milionë qytetarë. 50 milionë qytetarë të Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të lëvizjes së lirë pa viza në Bashkimin Evropian, përderisa 2 milionë qytetarë të Republikës së Kosovës janë të përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave.

Me këtë akt, sipas Ministres Çitaku, procesi i integrimit evropian është një prioritet i brendshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe tani është shndërruar edhe në prioritet të politikës së jashtme përkatësisht MPJ të Republikës së Kosovës.

“Për shkak të rrethanave specifike, për shkak se 5 vende anëtare të BE nuk e kanë njohur ende Kosovën, ne nuk mund të kemi mision tonin pranë BE-së. Përmes kësaj marrëveshjeje ne kemi arritur që një zyrtar të Ministrisë për Integrimeve Evropiane ta akreditojmë pranë ambasadës sonë në Bruksel, zyrtar i cili do të merret ekskluzivisht me Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Integrimeve . Po ashtu përmes kësaj marrëveshjeje të gjitha misionet diplomatike që ka Republika e Kosovës në vendet e BE-së do të kenë prioritet kyç raportimin dhe ndërlidhjen  me vendet anëtare dhe shtyrjen përpara të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës”, tha më tej Ministrja Çitaku.
 
Duke folur përkitazi me çështjen e liberalizimit të vizave, Ministrja Çitaku tha se që në vitin e kaluar Kosova ka qenë e gatshme që ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

“Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret teknike të cilat janë të domosdoshme që të merret udhërrëfyesi. Unë nesër do të udhëtoj në Bruksel dhe do të kem takime me Komisionarin për Zgjerim z. Fyle dhe me Komisionin për Punë të Brendshme dhe për Tregti dhe në thelb të vizitës sime do të jetë pikërisht shtyrja përpara e agjendës  evropiane të Kosovës dhe marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, theksoi Çitaku.

Sipas saj, pas momentit të marrjes së udhërrëfyesit do të jetë ekskluzivisht në dorën e institucioneve të Kosovës, përkatësisht angazhimi dhe dinamika e tyre do të përcaktojë se sa shpejt qytetarët tanë do t’i marrin vizat.

E mira kësaj, tha më tej Çitaku është se njëanshëm janë marrë një varg hapash për përmbushjen e kritereve dhe shfaqi bindjen se pas marrjes së udhërrëfyesit shumë shpejt do të jetë e mundur përmbushja e kritereve, pas së cilës qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë pa viza.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 Korrik 2021

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe Komunën e Prishtinës organizon për herë të parë Panairin e Vullnetarëve të Shëndetit Mendor. (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Federat e Futbollit të Kosovës organizon workshop-in rreth sistemit VAR. (Kampi Edukativ Nacional në Hajvali, ora 17:00)