29 Mars 2024

Austria përkrah Kosovën në integrimet evropiane

Prishtinë, 25 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, me të cilin diskutoi për një varg temash me interes të bashkëpunimit të të dy vendeve, gjendjen në rajon dhe proceset integruese të Kosovës.

Presidenti Pacolli tha se me ministrin Spindelegger biseduan për veprimet të cilat Republika e Kosovës duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që të përshpejtojë rrugëtimin e vet drejt Bashkësisë Evropiane.

“Unë e informova ministrin Spindelegger me problemet të cilat ne ballafaqohemi, po ashtu e informova se te ne çdo vit në tregun e punës dalin mbi dyzet mijë të rinj të cilët kërkojnë hapësirë veprimi. Ministrin po ashtu e informova mbi mbarëvajtjen e vizitës sime në Shqipëri dhe Maqedoni dhe në të dy vendet potencova kërkesën gjegjësisht mundësinë që sa më shpejtë që në këto vende të garantohet lëvizje e lirë e njerëzve, e mallrave dhe në një mënyrë këtu në rajon të përgatitemi për hyrje në shtëpinë e madhe në Bashkimin Evropian”, tha Pacolli.

“Unë ministrin e luta që Kosovës t’i ndihmojë në të gjitha integrimet e sidomos në ato ekonomike. Organizatat ekonomike për të cilat Kosova tani ka nevojë, të jetë pjesëmarrëse e barabartë me shtetet e tjera të Evropës, të jetë e përfaqësuar në mënyrë të drejtë, prodhimet nga Kosova që kishin një preferencë në të kaluarën të vazhdojë e njëjta, jo më si prodhime që vijnë prej rezolutës 1244, por prodhime të një shteti evropian, prej një shteti të pavarur”, vijoi ai.

“Ne po ashtu përshëndetëm kandidaturën  e zonjë Pllashnik si kryesuese e OSBE-s dhe do donim që z.Stefan Lehne të jetë përfaqësues i Bashkësisë Evropiane këtu me të cilin ne do të punonim shumë mirë”, tha Presidenti Pacolli.

“Biseduam edhe për reformat në gjyqësi, në drejtësi në Kosovë, të cilat do të garantonin investimet e huaja këtu dhe bashkëpunimin zhvillimor mes Republikës së Austrisë dhe Kosovës. Ne kemi disa marrëveshje të nënshkruara me Republikën e Austrisë dhe po ashtu kërkova që këto marrëveshje të implementohen pikë për pikë. Unë mora pothuajse premtimin nga ministri se ai si përpara do t’i ndihmojë Kosovës në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë, gjithmonë duke pasur parasysh që puna e madhe duhet të bëhet këtu në Kosovë”, tha Presidenti Pacolli.

“Është një gjë e veçantë për mua që ta përkrah Kosovën. Ne jemi të angazhuar qe shumë kohë këtu në Kosovë, dhe ekonomia jonë është investitori numër një në Kosovë, mirëpo interesi ynë është edhe si anëtar i Bashkimit Evropian, sikurse shteteve të tjera të Bashkimit Evropian që Kosovën ta përkrahim drejt rrugës së integrimeve evropiane. Për këtë arsye biseduam sot gjerësisht, se çka duhet të ndërmerret këtu se cilat rrugë duhet të ndiqen për integrime evropiane”, tha ndërkaq ministri i punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger.

“Para së gjithash do t’i marrë me vete çështjet ose pyetjet lidhur me reformat ekonomike këtu edhe  me çështje tjera ekonomike që i përkasin Kosovës dhe do të mundohem që investitorë të tjerë potencialë të Austrisë t’i bindim që angazhimi i tyre ose investimi i tyre në Kosovë do të jetë i suksesshëm. Si çështje e dytë që do ta marrë me vete është edhe negociatat lidhur me liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian për Kosovën. Ne austriakët kemi parimisht qëndrim pozitiv ndaj kësaj, mirëpo vlen për të dyja anët që duhet të plotësohen disa parakushte të caktuara edhe nga ana e Kosovës”, vijoi ai.

“Gjëja e tretë të cilën do ta marrë me vete është që duhet të ketë një perspektivë, posaçërisht për të rinjtë e Kosovës, kjo është e qartë edhe për mua dhe për këtë arsye dëshirojmë të kontribuojmë në këtë drejtim që të rinjve të Kosovës t’u krijojmë perspektivë”, tha ministri Spindelegger.

“Parimisht i tregova zotit President, i cili Austrinë shumë mirë e njeh që si miq kemi marrëdhënie shumë të mira, për këtë arsye si miq dëshirojmë të flasim haptazi se cilat janë parakushtet që duhet të krijohen për arritjen e perspektivës për të rinjtë e Kosovës dhe për arritjen e çështjeve tjera për të cilat biseduam”, tha ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)