29 Mars 2024

46 diplomatë të rinj të Turqisë po vizitojnë Kosovën

Prishtinë, 20 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në një takim 46 diplomatë të rinj të Republikës së Turqisë, të cilët po vizitojnë Kosovën.

Ministri Hoxhaj, gjatë bisedës miqësore me diplomatët turq, të cilët shoqëroheshin nga Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan dhe disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, i ka informuar ata me zhvillimet kryesore politike dhe diplomatike në Republikën e Kosovës, proceset reformuese brenda vendit dhe perspektivat integruese të shtetit më të ri në Ballkan, në strukturat euroatlantike.

Ministri Hoxhaj i ka njoftuar përfaqësuesit e gjeneratës së re të diplomacisë turke edhe me prioritetet kryesore dhe strategjitë e politikës së jashtme të Kosovës, e cila, siç u shpreh Ministri, ka për synim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës, avancimin e proceseve integruese të shtetit në BE dhe NATO dhe avancimin e marrëdhënieve miqësore me shtetet e rajonit dhe me gjerë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, po ashtu ka bërë një përmbledhje të kontributit të madh të shtetit dhe diplomacisë turke pas shpalljes së pavarësisë, por edhe ndihmën e jashtëzakonshme që ka dhënë Turqia, për qytetarët e Kosovës edhe para kësaj kohe.

“Duke pasur parasysh këto raporte mes dy shteteve tona, ne jemi të interesuar që mes Kosovës dhe Turqisë të ketë thellim të marrëdhënieve jo vetëm mes institucioneve të të dyja vendeve, por edhe të rritjen e vazhdueshme të kontakteve dhe marrëdhënieve të gjithanshme mes qytetarëve dhe dy popujve tanë”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, në interesimin e diplomatëve turq për ndihmën që ka dhënë dhe që pritet të japë diplomacia turke në procesin e  lobimit për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, Ministri Hoxhaj, ka çmuar lartë kontributin e deritashëm të Turqisë në këtë drejtim.

“Udhëheqësit më të lartë të Republikës së Turqisë kanë ndihmuar shumë në njohjen e Kosovës nga disa shtete të cilat tashmë e kanë njohur Republikën tonë dhe po angazhohen fuqishëm në rritjen e numrit të shteteve që do të marrin një vendim të tillë, në të ardhmen e  afërt”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Diplomatët turq, po ashtu janë interesuar edhe për procese të tjera në Kosovë, me theks të veçantë në aspektin e politikës së jashtme. Ndër të tjera, ata janë interesuar për bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohen në Bruksel, natyrën dhe rezultatet e pritura prej tyre.

Ndërsa, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, ka falënderuar përzemërsisht Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj për pritjen miqësore, duke rikonfirmuar angazhimin e plotë të diplomacisë dhe shtetit turk për të ndihmuar Kosovën në të gjitha aspekte e nevojshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)