24 Prill 2024

UNHCR shënon 70 vjetorin e themelimit

Shkruar nga Filippo Grandi

Sot, më 14 dhjetor, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët mbushë 70 vjet. Për një organizatë që duhet të kishte pushuar së ekzistuari pas tre vjetësh, është një ditëlindje jo e këndshme që nuk jemi në humor ta festojmë.

Ndërsa bota e shkatërruar filloi të rindërtohej pas Luftës së Dytë Botërore, UNHCR kishte për detyrë të gjente shtëpi për refugjatët e Evropës. U krijua më 14 dhjetor 1950, me mandat të kufizuar në kohë, e kufizuar gjeografikisht dhe apolitike, pasi që ekzistenca e saj ishte përkujtim i vuajtjeve që u fshinë së bashku me rrënojat.

Por, ndryshimi i rendit ndërkombëtar solli konflikt të ri dhe kështu më shumë refugjatë - 200,000 hungarezë u larguan në Austri pasi kryengritja e vitit 1956 u shtyp nga forcat Sovjetike. Në vitin pasues, Tunizia i bëri thirrje UNHCR-së për ndihmë pasi lufta e pavarësisë në Algjerinë fqinje dërgoi dhjetëra mijëra njerëz përtej kufirit në kërkim të sigurisë.

Dhe, misioni vazhdoi të zgjerohej. Epoka pas-koloniale u shoqërua me luftëra për çlirim dhe më pas luftëra për pushtet, me miliona civilë të kapur në trazira. Vit pas viti, kontinent pas kontinenti, UNHCR u thirr për ta ndihmuar numrin në rritje të njerëzve të detyruar që të largoheshin, nga Amerika Qendrore në Afrikën e nën-Saharës e deri në Vietnam dhe Kamboxhia.

Viti i kaluar shënoi katër dekada të zhvendosjes nga Afganistani. Viti i ardhshëm shënon një dekadë që kur shpërtheu konflikti në Siri. Dhe kështu me radhë - një seri përvjetorësh të padëshiruar, konflikte të reja që shfaqen ose rishfaqen, edhe pse efektet e atyre të vjetrave ende nuk janë zbehur. Gjatë shtatë dekadave të fundit, një botë që u betua ta niste një epokë paqeje, rezultoi shumë e mirë në nisjen e luftimeve por jo aq e aftë në zgjidhjen e tyre.

Si pasojë, UNHCR është thirrur herë pas herë për të bërë gjithçka që mundet për t’i mbrojtur njerëzit e pambrojtur të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Kjo, shpesh nënkuptonte kompromis. Ne zakonisht nuk jemi “në sallë” kur vendosen fatet e kombeve dhe të popujve. Por sigurisht se jemi në terren, duke ndihmuar njerëzit që detyrohen të largohen kur ato konteste lihen të pazgjidhura. Natyra jonë apolitike është e shkruar në statutin tonë, por meqenëse jemi të pranishëm në shumë kriza dhe u përgjigjemi shumë emergjencave, puna jonë shpesh përfshinë diplomaci komplekse, vendime të ashpra dhe zgjedhje të pamundura ndërsa përpiqemi të arrijmë tek një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve në nevojë me resurse që thjesht nuk po e mbajnë hapin me nevojat.

Kolegët e UNHCR-së, në të kaluarën dhe tani, krenohen me shumë ndryshime që kanë bërë, me jetët që i kanë mbrojtur, ndryshuar dhe shpëtuar. Ata krenohen me ngritjen ndaj sfidave të reja, të tilla si ndikimi i ndryshimit të klimës ose, së fundmi, pandemisë së koronavirusit - faktorë që zmadhojnë problemet tashmë domethënëse të shkaktuara nga zhvendosja.

Në të njëjtën kohë, ata dëshirojnë që mos të kenë nevojë ta bëjnë atë. Nëse palët ndërluftuese bien dakord për armëpushime, nëse njerëzit e zhvendosur mund të kthehen në shtëpi të sigurt, nëse qeveritë ndajnë përgjegjësinë e zhvendosjes, nëse shtetet i mbajnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar në lidhje me azilin dhe moskthimin - mos dërgimi i atyre që kanë ikur nga kërcënimet për jetën e tyre atje prej ku kanë ardhur - atëherë ne në UNHCR do të kishim shumë më pak arsye për t’u shqetësuar.

Dhe po, ne vazhdimisht kemi bërë thirrje për të lart shënuarat.

Në vitin 1994 isha pjesë e ekipit të UNHCR-së për reagim ndaj emergjencave në ish Zaire, tani Republika Demokratike e Kongos. Për katër ditë, një milion njerëz kaluan kufirin nga Ruanda, duke u futur në një shpërthim kolere që vrau dhjetëra mijëra veta. Kolegët e mij që ishin zotuar t’i mbronin njerëzit, në vend të kësaj po gërmonin varre. Mund të mendoni për jetët që keni shpëtuar, për momentin e mëvonshëm kur dëshpërimi i një refugjati u kthye në shpresë për shkak të punës sate. Por kurrë nuk pushoni së menduari për jetët që nuk arritët t’i shpëtoni.

Pothuajse një vit më parë, numri total i refugjatëve, të zhvendosurve brenda vendit, azil-kërkuesve dhe njerëzve pa shtetësi arriti në 1% të popullsisë së botës. Pyes veten se cilën përqindje do ta konsiderojmë të papranueshme - 2%, 5% ose më shumë? Sa njerëz duhet të pësojnë humbjen dhe indinjatën e zhvendosjes përpara se prijësit politik të punojnë për t’i zgjidhur shkaqet e ikjes?

Pra, në 70 vjetorin e UNHCR-së, sfida ime ndaj bashkësisë ndërkombëtare është kjo: më lëni pa punë. Synoni ndërtimin e një botë në të cilën vërtetë nuk ka nevojë për një agjenci të refugjatëve të KB-ve sepse askush nuk detyrohet të largohet. Pa keqkuptim: siç qëndrojnë gjërat, puna jonë është thelbësore - megjithatë paradoksi është se nuk duhej të ekzistonim. Nëse e gjejmë veten duke festuar më shumë ditëlindje, konkluzioni i vetëm do të jetë se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar.

Por nëse faktorët që shkaktojnë zhvendosje masive zgjidhen në vetëm disa shtete, miliona refugjatë mund të kthehen në shtëpi, ashtu si edhe miliona njerëz të zhvendosur brenda vendit.

Ky do të ishte një fillim shumë i mirë - dhe do të ishte diçka që të gjithë vërtetë mund ta festojmë.

/Autori eshte Komisioneri i Lartë i Organizatës së KB-ve për Refugjatët/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)