13 Qershor 2021

Pas asaj serbe, tani edhe “Serbia Tjetër” e shqiptarëve

Shkruar nga Ali Mehmeti

Pas asaj serbe, tani edhe “Serbia Tjetër” e shqiptarëve ! “Rrethi beogradas ishte një çarje e rrallë e totalitarizmit nacional-bolshevik, nëpër të cilën, sikur nëpër vrimën e gjilpërës është bërë e mundur të futet një litar shpëtimi, për të shpëtuar nga faji kolektiv”

Ka dal në shitje libri “Serbia tjetër”, i botuar nga OJQ “Admovere” dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), që përbëhet nga fragmentet, intervistat dhe shkrimet e Bogdan Bogdanoviq-it.

Shumicës nga ne, që kemi moshë të mjaftueshme, na kujtohet ky intelektual serb, arkitekt dhe kryebashkiak i Beogradit, i cili në fillim të viteve 90-ta ngriti zërin kundër politikës shoviniste të Millosheviqit dhe, nuk ishte i vetëm. Ishin disa dhjetëra të tillë të mbledhur në të ashtuquajturin “Rrethi beogradas”.

Por, cili ishte qëllimi i këtij rrethi? Ja çka shkruan Latinka Peroviq, njëra nga themeluesit e këtij rrethi, historiane me renome botëror dhe ish politikane e eksomunikar nga Tito për shkak të pikëpamjeve të saj liberale: “Rrethi beogradas ishte një çarje e rrallë e totalitarizmit nacional-bolshevik, nëpër të cilën, sikur nëpër vrimën e gjilpërës është bërë e mundur të futet një litar shpëtimi, për të shpëtuar nga faji kolektiv”.

Citat nga parathënia e librit “Serbia tjetër” (botimi i dytë, Beograd 2002)  ku janë të përmbledhur fjalimet dhe kumtesat e folësve të ndryshëm të këtij rrethi.       

Me gjithë respektin për Bogdan Bogdanoviqin i cili u detyrua të shpërngulet nga Beogradi në vitin 1993 nën kërcënimet e vazhdueshme të Millosheviqit, nuk mund të (keq)përdoret emri i tij për të zbuluar “Serbinë tjetër” sepse ajo nuk ka ekzistuar asnjëherë. Çfarëdo frazeologjie dhe retorike që të përdoret për pohimin se ka ekzistuar një “Serbi tjetër” faktet mbesin që:

- Me qindra mija shqiptarë janë të vrarë, të terrorizuar dhe të dëbuar nga trojet e tyre në Serbinë e sotme jugore nga fundi i shekullit XIX (mes tyre edhe paraardhësit e mi)

- 250.000 shqiptarëve të vrarë gjatë viteve 1912-1913 nga ushtria serbe, në emër të “çlirimit” nga perandoria osmane (Leo Freundlich 1878-1948 - Albaniens Golgatha, Wien, 1913)

- 40 mijë shqiptarë të shpërngulur për Turqi sipas reformës agrare mes dy luftërave botërore dhe kolonizimi me 11 mijë familje serbe dhe malazeze duke u falur tokat më pjellore, mjete të punës dhe një shumë të konsiderueshme parash (Dr. Milovan Obradović: Agrarna Reforma i Kolonizacija na Kosovu 1918-1941, Prishtinë 1981)

- 45 mijë shqiptarë të vrarë në Drenicë pas Luftës së dytë botërore  

- 70.000 mijë myslimanë të vrarë në Bosnje gjatë viteve 92-95 (8 mijë për 7 ditë) – Dokument i Gjyk. Ndërkomb. për krimet e luftës në ish Jugosllavi.

- gjatë viteve 98-99, në Kosovë janë vra 12 mijë civilë të paarmatosur dhe të pambrojtur, prej të cilëve 1392 fëmijë (800 prej tyre nën moshën 5 vjeçare) dhe 1739 gra; ushtruan dhunë seksuale ndaj 20 mijë personave; në funksion të zbatimit të “tokës së djegur” është tentuar shkatërrimi i bazës ekonomike duke shkatërruar 100.389 objekte banimi, 88.101 objekte përcjellëse, 358 objekte shkollore, 215 objekte fetare (xhami, tyrbe, teqe dhe kisha katolike), 123 objekte shëndetësore dhe mbi 190 ndërtesa administrative, biblioteka dhe shtëpi kulture (Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës, Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-99, Libri 2, Shënimet nuk janë shteruese)

Siç shihet, prej krijimit të shtetit të pavarur serb me vendimet e Kongresit të Berlinit 1878 ne nuk njohim “Serbi tjetër” përveç asaj që ka pretendime pushtuese mbi territoret shqiptare dhe pretendime gjenocidale mbi popullsinë shqiptare.  

Të flasësh sot për “Serbi tjetër” është sikur të flasësh për “Gjermani tjetër” gjatë sundimit të Hitlerit. Por, deri me sot nuk kam parë as dëgjuar se dikush, as nga gjermanët, e lere më nga hebrenjtë, polakët, rusët apo francezët ka botuar apo shkruar ndonjë libër me titull “Gjermania tjetër”.

Pavarësisht se, me logjikën e botuesit shqiptar nga Prishtina, do kishte më shumë “argumente”. Sepse gjermani Eugen Bolz në korrik të vitit 1944 tentoi të vriste Hitlerin, por dështoi, kurse atë e ekzekutuan pastaj. Në Serbi nuk pati kësi tentimi.  

Pra, pafytyrësinë serbe e njohim dhe nuk duhet të na çudit botimi i librit me titull “Serbia tjetër”, por që këtë e bëjnë shqiptarët me të njëjtin titull, është për çudi.

A e bëjnë nga mendjelehtësia dhe injoranca, nga bindja se vërtet ka ekzistuar ndonjëherë “Serbia tjetër”, apo për një grusht parash nuk e di? Por e di që mbajtja e litarit nga shqiptarët, për “shpëtim nga faji kolektiv” i Serbisë, është absurd dhe i papranueshëm nga të gjithë ata që në çfarëdo mënyre i takojnë ndonjë kategorie nga regjistri i krimeve serbe të listuar më lartë.    

Imagjinoni situatën sikur një hebre, apo edhe më keq, një OJQ nga Tel Avivi të botonte një libër me titull “Gjermania tjetër” që do nënkuptonte periudhën e Hitlerit, sikurse që përmendja e Bogdan Bogdanoviqit nënkupton periudhën e Millosheviqit. Çfarë reagimi do kishte opinioni hebre? Kurse në Prishtinë heshtje! Madje, në disa portale i bëhet edhe publicitet.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Qershor 2021 - Klubi Off Road Prizreni organizon ngjitje në Maje tek Liqenet. (Përball Qendrës Sportive ”Sezair Surroi” në Prizren, ora 10:00)
 
 - Me rastin e shënimit të 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të komunës së Rahovecit mbahet finalja në futboll të vogël. (Palestra Sportive“Mizahir Isma”, ora 18:00)