28 Mars 2024

Një komb, një festë dhe një urim për të gjithë shqiptarët!

Shkruar nga Gani Qarri

Flamuri Kuq e Zi, në të gjitha kohët ishte dhe do të mbetet përjetësisht, frymëzim shpirtëror dhe patriotik i të gjithë shqiptarëve atdhetar, kudo ndodhen e jetojnë ata, në trojet e tyre etnike dhe diasporë.

Simbol i shenjtë i bashkimit kombëtar, i cili gjithmonë ishte në shërbim të lirisë dhe çlirimit të atdheut tonë të ndarë padrejtësisht.   

Frymëzim dhe identifikim për të gjithë shqiptarët i cili edhe në momentet më të vështira, qëndroi kurdoherë në ballë të çdo nisme patriotike, që nga fillimi i luftës për liri e deri te shpallja e Shqipërisë të lirë, Pavarësinë e së cilës e vulosi po ky Flamuri i shenjtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!   

Por me gjithë përpjekjet e pareshtura shekullore dhe gjakun e derdhur për çlirimin e trojeve tona edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Kosovës, duhet ditur dhe pasur parasysh secili prej nesh, se nuk u arrit të përmbushën të gjitha aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe bëri luftë e përpjekje çlirimtare ndër shekuj,deri në vitet që po jetojmë.   

Kështu që edhe ëndrra e tij e shenjtë, për unifikim të tokave tona etnike dhe bashkim kombëtar, deri më sot ende nuk u bë realitet, ndaj duhen përpjekje të reja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve të robëruar dhe për të shpëtuar përfundimisht, shpërfytyrimin e vazhdueshëm kombëtar të pjesëve të pa çliruara të trojeve tona.   

Siç dihet tanimë nga të gjithë ne, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare të të gjitha trojeve tona etnike dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat kishin zaptuar pothuajse të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët e Shqipërisë, nuk ndodhi ajo që do duhej dhe do të ishte e drejtë për shqiptarët.

Madje të përballura me luftërat e brendshme dhe mos unitetin tipik të faktorit shqiptar, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, përkundër të gjithave sa ndodhnin me tokat tona, gati sa heshtën fare.   

Për aq më keq, vazhdimi i një gjendje të tillë kaotike dhe kulmimit të zënkave ndërshqiptare edhe brenda Shqipërisë së cunguar, bëri që pas një viti, po ato fuqi, të mos i shpërblenin shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona etnike, të cilat ishin pushtuar që më parë, duke pranuar më pak se gjysmën e tyre, për një shtet (të gjymtuar) shqiptar, sipas vizatimit famoz, nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha vendimmarrëse më 1913, në Konferencën e Londrës.

Ndaj ne edhe sot, të gjithë jemi dëshmitar se edhe shpallja e Pavarësisë nga shqiptarët, pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë luftërave tona për liri, deri te pavarësimi i Kosovës, për ne si popull do të mbetej vetëm histori.   

Kështu që Hasan Prishtina,prijësi dhe organizatori i kryengritjes së përgjithshme kombëtare, për çlirimin e Shqipërisë etnike i shqetësuar pa masë me rrezikun që i kanosej edhe vet ekzistencës së Shqipërisë londineze, vetëm pak vite pas shpalljes së pavarësisë, në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës, në emër të shqiptarëve, do ti dërgonte një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston, për mbrojtjen e Shtetit të ri Shqiptar, i cili rrezikohej më shumë se kurrë, me shuarje të plotë nga Serbia, Greqia dhe Italia e cila tanimë edhe kishte pushtuar Vlorën.          

I entuziazmuar nga kontributi i pareshtur kombëtar i Hasan Prishtinës në mbrojtjen e Shqipërisë, atdhetari i mirënjohur Sotir Kolea në gazetën dyjavore shqiptare,"L`Albanie", e cila atëbotë dilte në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante: "Populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të mëdhenj të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.     

Ndaj presidentit amerikan Winston Woodrow, pas përsëritjes së thirrjeve nga patriotët shqiptar, drejtuar ati si president dhe Qeverisë Amerikane, në konferencën e Versajës më 1919, parandaloi copëtimin e tërësishëm dhe fshirjen nga faqja e dheut, të shtetit shqiptar, kohë kur tentohej shuarja edhe e asaj pak Shqipërie që vetëm juridikisht, ende ekzistonte në kufijtë e vizatuar sipas versionit të Konferencës së Londrës.   

Fan Noli i madh, i frymëzuar nga përpjekjet e paepura të mërgimtarëve atdhetar në SHBA, për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite këndohen me shumë ëndje nga shqiptarët:   

            "Mbahu Nëno mos ke frikë  

            Se ke djemtë në Amerikë!”.   

SHBA më 1999, ndihmoi edhe Dardaninë dhe shpëtoi popullin e saj shqiptar nga asgjësimi që i kishte përgatitur regjimi okupator e gjenocidial serb dhe në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i atij viti, gjunjëzoi Serbinë shoviniste dhe detyroj tërheqjen përgjithmonë të saj si okupatore klasike nga Kosova.   

Të gjitha këto fakte dhe shumë argumente tjera, nga kronologjia e trishtë e kohëve të kaluara, na bindin se festa jonë kombëtare, 28 Nëntori, përveç si festë gjithëshqiptare, është edhe një ditë krenarie dhe rast i përzgjedhur historik, për nderim e mirënjohjeje të veçanta ndaj mikes tonë më të madhe që kemi në botë- SHBA-ve, duke filluar me falënderimet më të mira për Presidentin Winston Woodrow, i cili shpëtoi Shqipërinë nga shuarja e planifikuar, më 1919 në Konferencën e Versajës, për të vijuar me Presidentët Bill Klinton që çliroi Kosovën nga okupimi serb, si dhe Gjorgj Bush-in e “ri”, i cili nga vizita në Shqipëri, garantoi kurorëzimin e pavarësisë së Kosovës.  

Pra ashtu siç u shpëtua Shqipëria, edhe Kosova vet, mëvetësinë do ta arrinte vetëm falë SHBA-ve, pak kohë pas deklarimit të Presidentit George W. Bush, me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007,në Shqipëri, i cili para shqiptarëve dhe mbarë opinionit ndërkombëtar tha publikisht, se mjaft është mjaft dhe Kosova do të jetë shtet i pavarur!  

Prandaj 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një ditë e shënuar falënderimi me respekt dhe pietet të pafund, për miken më të madhe të popullit shqiptar SHBA-të, si dhe një datë kujtimi për të gjithë të rënët dhe ata që nga viti 1878 e këtej, u përpoqën e luftuan pareshtur për lirinë e atdheut, bashkimin kombëtar dhe jetën me dinjitet të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, në atdhe dhe botën mbarë.  

Edhe me rastin e këtij 28 Nëntori, ashtu si në çdo përvjetorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, me kënaqësi dhe gëzim të veçantë, shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta, për të gjithë shqiptarët në atdhe, në diasporë dhe kudo gjenden e jetojnë ata.  

Gëzuar kombi im, Datën historike të ngritjes së Flamurit të Skënderbeut dhe Ditën e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke uruar nga zemra, që sa më parë të realizohet liria e bashkimi i të gjitha trojeve tona etnike dhe përfundimisht të jetësohet Shqipëria Natyrale, ku përjetësisht do të festonin shqiptarët e bashkuar!  

Ndërsa për të gjitha ato që as ne, si pjesëtarët e këtij brezi, të konsideruar me fat, nuk kemi mundur ti arrijmë, mbetet borxh i brezave të tashëm dhe atyre që do vinë, se rruga e nisur atëherë, duhet quar deri në fund, duke mos ndaluar përpjekjet deri në realizimin e plotë të idealit të rilindësve tanë, për bashkimin e të gjithë trojeve tona etnike në një shtet të përbashkët kombëtar, ashtu siç ëndërronin dikur ata dhe dëshirojnë sot e gjithmonë bashkëkombësit tanë kudo, shumë prej të cilëve dhanë jetën dhe sakrifikuan çdo gjë nga vetja- që një ditë-edhe shqiptarët të jetojnë të lirë e të pavarur si dhe të unisuar në një shtet të përbashkët kombëtar.   

GËZUAR 28 Nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që gjenden dhe jetojnë ata në trojet e veta etnike dhe diasporën tonë!  

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)