28 Mars 2024

Një betejë mund ta fitojë edhe individi, por për të fituar luftën duhet ekipi

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Lajmi se prkuroria e Gjykatës Speciale ka përgatitur propozimaktakuzë për Kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin, për Kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe për disa shqiptarë tjerë ka krijuar një situatë të re në Republikën Shqiptare të Kosovës! Kush mendon se s’ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme e ka gabim.

E kanë gabim edhe ata që besojnë se ky është edhe fundi i Kosovës shqiptare!? Përgatitja e aktakuzave (ende të pakonfirmuara nga Gjykata) për zyrtarë të lartë të Republikës dhe “shpallja” e tyre është sinjal i mjaftueshëm që krerët e partive të ulen menjëherë e t’i mendojnë vendimet dhe veprimet që duhet të ndërmirren për t’u përballur me gjendjen e re dhe t’u tregohet miqve e armiqve se Kosova është e zonja të përballet edhe me këto situata shantazhuese dhe ta konsolidojë dhe mbrojë lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe tokën e saj, se Kosova shqiptare rronë e do të rrojë...

 E para, sipas meje, krerët e partive politike duhet të yulen e të pajtohen që të shpallen zgjedhjet.

Pse zgjedhjet? Sepse Serbia dhe disa qarqe e qendra ndërkombëtare po këmbëngulin që të vazhdohet dialogu kundër interesave të Kosovës pavarësisht situatës së re!? Kosova shqiptare dhe “paria” e saj ka nevojë të këndellët pas këtij “nokdauni” derisa ta marr veten për të vazhduar “boksin në ring”.

Serbia sapo ka dalur nga zgjedhjet e saj. Vuçiçi me partinë e tij ka dalur edhe më i fuqishëm, më i votuar. Për Amerikën gjithashtu ky është vit zgjedhor.

Dialogu do të duhej të vazhdohejë në kohën kur Amerika ta ketë Kryetarin e saj me mandat katër vjeçar e jo me Kryetarin që është në fund të mandatit e në garë zgjedhore.

Para së gjithash, Kosova jonë ka një qeveri e një Kryeministër më të dobët se kurrë. Shpatullat e dobëta të Abdulla Hotit e të LDK-së së Isa Mustafës nuk mund ta mbajnë këtë barrë. Kjo dihet e pranohet. Është një barrë që duhet të mbahet bashkë.

 Forcat politike shqiptare janë të përçara bukur shumë. Ky është fakt! Kryetari i Republikës është atakuar nga Gjykata e themeluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me dorën e deputetve të saj!! Edhe ky është fakt i njohur dhe pranuar botërisht!

Një Qeveri me marrëveshje dhe me përfshirje më të madhe apo me gjithëpërfshirje për të shkuar me vrap në Uashington, në Paris a në Bruksel në tavolinën e bisedimeve me Serbinë nuk do të ishte zgjidhje e mirë, madje do të ishte e dëmshme dhe në vahzdën e koncesioneve që iu bënë Serbisë!!...

 Kosovës shqiptare i duhet kohë! Ata që janë miqtë e Kosovës shqiptare do ta kuptojnë drejt “pezullimin” e bisedimeve me Serbinë...

Prandaj, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje për ta fituar këtë kohë. Madje, më e mira do të ishte që partitë politike të pajtoheshin edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor,- ligjit për zgjedhjet, sepse ky sistem zgjedhor nuk garanton zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike, nuk garanton institucione të qëndrueshme dhe të suksesshme për Republikën Shqiptare të Kosovës.

   Pas zgjedhjeve do të krijohejë një Qeveri me përfshirje të gjerë të partive shqiptare (e pavarur nga Lista Serbe,-Beogradi...), e cila do të garantonte përfaqësim të dinjitetshëm në tavolinën e bisedimeve, do të garantonte qeverisje të drejtë, të mirë dhe të efektshme për popullin shqiptar dhe interesat e Republikës së Kosovës. Një Qeveri dhe institucione që do të merrnin përsipër edhe barrën e rëndë të ringjalljes ekonomike... Për dy dekada ekonomia dhe pasuritë e Kosovës janë grabitur, trafikuar e kontrabanduar pamshirshëm nga vendorët e lidhur me “ndërkombëtarët”!! Prandaj, reformimi i sistemit politik e zgjedhor, ringjallja e ekonomisë dhe garantimi i pacënueshmërisë së lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kësaj Kosove të mbetur janë kusht i domosdoshëm për të ardhmen e mormalizuar të Republikës së Kosovës dhe të faktorit shqiptar në Iliri...

Kjo çasje dhe ky “rikthim” i Kosovës do ta detyronte Serbinë dhe miqtë e saj që t’i bindeshin “fatit” të tyre, ta njihnin dhe, më e rëndësishmja, ta respektonin shtetin e Kosovës, kurse miqtë tanë do t’i bënte krenarë me ndihmën që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës.

    Kryetari i Republikës do të zgjidhejë me marrëveshje dhe pajtueshmëri të plotë të partive shqiptare... Kuvendi, Qeveria dhe Kryetari i Republikës do të bëheshin garantë të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial e shtetëror të Republikës së Kosovës (çështje mbi çështjet tjera...).

Këto institucione dhe krerët e saj do ta kishin edhe përkrahjen (si gjithmonë) e Tiranës zyrtare, shtetit AMË, me të cilin do t’i bashkërendonin veprimet dhe politikat...

Tirana zyrtare do të duhej më në fund ta bënte të ditur për gjithë botën se Kosova është çështje shqiptare e themel i Shqipërisë e jo “çështje serbe e themel i Serbisë”. Kjo do të ishte “terapi” e mirë për qetësimin e nacionalshovinizmit serb...

   Republika e Kosovës dhe populli i saj shqiptar do t’i vazhdonin bisedimet dhe do t’i “normalizonin marrëdhëniet” me Serbinë vetëm nëse ajo heq dorë përfundimisht nga pretendimet e saj territoriale dhe nga ndërhyrjet e saj në rregullimin dhe punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Edhe Kishës Ortodokse sllave duhet t’i tregohet vendi, siç po ia tregon Mali i Zi... Kjo punë nuk  mund të bëhet nga ndonjë individ i vetëm, qoftë ai edhe supermen, por nga ekipi, bashkimi, mirëkuptimi e bashkëpunimi i ngushtë për Kosovën dhe shkëputjen e saj të plotë nga Serbia.
Nuk mbrohet Lufta e UÇK-së pas Luftës
(Të mbrohen me cilindo çmim frytet e Luftës së LPK - UÇK-së)
  
   Kemi lexuar këto ditë komente, reagime, opinione, analiza e shkrime pa fund në “mbrojtje të Luftës së UÇK-së!? Lufta e armatosur çlirimtare, siç dihet nga të gjithë, është organizuar për vite e vite nga Lëvizja Popullore e Kosovës... Edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është themeluar (pagëzuar) nga LPK-ja dhe është drejtuar, mbështetur, “mbrojtur” e përfaqësuar prej saj. Lufta e saj e armatosur, me ndërhyrjen e NATO-s, ka përfunduar në qershor të vitit 1999. Idealet dhe programi i saj rrojnë e do të rrojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare... Ishte koha për ta mbështetur, për të luftuar e për ta mbrojtur UÇK-në para njëzetë e sa viteve. Ajo, UÇK-ja, kishte fituar, gati si asnjëherë tjetër, edhe përkrahjen e mbarë kombit shqiptar, përkrahjen e Anglisë, Amerikës, të NATO-s e të botës së civilizuar e demokratike. Pas Luftës Çlirimtare kërkohejë dhe kërkohet edhe pas njëzet vitesh të mbrohen frytet e asaj Lufte: liria e pavrësia, sovraniteti dhe toka e mbetur e Kosovës!

 Të gjithë e dimë, por s’na e thotë goja, se po të mbroheshin frytet e Luftës Antipushtuese e Çlirimtare të UÇK-së e të kombit shqiptar, sot Kosova shqiptare do të ishte në pozita të fuqishme, krenare dhe e respektuar në rajon e në botë.

Sot, nuk do të flitejë “për mbrojtjen e UÇK-së e për dënimin e luftëtarëve të saj, por për dënimin e krimeve dhe të gjenocidit e të holokaustit serb në Kosovën shqiptare...

   UÇK-ja nuk mbrohet duke vajtuar e duke “shkulur flokët”! Gabuan rëndë edhe ata që “besuan” për dy dekada se UÇK-ja do të mbrohejë e pastrohejë në gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it e të Hagës!?

Gabuan keq ata që heshtën ose “miratuan” arrestimet dhe dënimet masive të luftëtarëve e komandantëve të UÇK-së, duke besuar në “drejtësinë” e këtyre gjykatave antishqiptare!

Nuk gabuan më pak edhe ata që heshtën ose e miratuan arrestimin spektakolar (banditesk) dhe gjykimin e Komandnatit të UÇK-së, Azem Syla (shumë vjet anëtar i Kryesisë së LPK-së dhe i sektorit të veçantë...)!! Si nuk e tha kush një fjalë në mbrojtje të tij!!

E pabesueshme! Por, më shumë se gjithë të tjerët gabuan ata, që besonin se mund të bënin politkë e marrëveshje për fatet e Kosovës dhe të popullit të saj shqiptar me gurin e mullirit në qafë!!

Dhe, këta e dinin dhe e shihnin kurthin ku kishin rënë e grackën që u ishte përgatitur në mënyrë “perfekte” nga armiqtë e lirisë e të pavarësisë së Kosovës dhe nga miqtë e brishtë e të zhgënjyer me papërgjegjshmërinë, me mungesën e zotësisë për ta shkëputur plotësisht Kosovën nga Serbia, me korrupcionin e lartë, me papjekurin politike, me arrogancën e mosdurimin ndaj njëri-tjetrit, etj., më mirë se shumë prej nesh që mund të supozonim...

Po të kishin moralin politik e kombëtar të LPK-UÇK-së do të ishin dorëhequr në kohën e duhur e do të deklaronin botërisht: “Me ne mund të bëni çfarë të doni, sepse jeni të fuqishmit e botës, por me ne nuk do të mund të bëni kurrë politikë e marrëveshje për fatet e Kosovës shqiptare”.

Megjithë gabimet e bëra gjatë e pas Luftës Çlirimtare do të mbeteshin Heronj në mendjen dhe zemrën e kombit. Lëvizja Kombëtare dhe Kosova shqiptare kishte aq burra të përgatitur e të formuar për t’i zëvendësuar në mënyrën më të mirë dhe për ta vazhduar me dinjitet luftën për interesat e Kosovës dhe të popullit të saj shqiptar...

Ma thotë mendja që po të ishte bërë kjo në kohën e duhur (vite më prë!) edhe Gjykata Speciale nuk do të ishte krijuar e nuk do të ishin koritur për jetë ata që ngritën dorën për themelimin e saj...

Mirëpo, JO! Vazhdonin me “kokëfortësi” të qëndronin në pozita e të bënin lëshime të rrezikshme për Kosovën dhe lirinë e saj!! 

Me këtë dua të them që UÇK-ja dhe lufta e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës mbrohet vetëm duke e shkëputur plotësisht Kosovën nga Serbia (ndikimi e ndërhyrjet e saj) dhe duke e bashkuar me TRUNGUN e saj.

Por, gjithmonë duhet thënë dhe duhet angazhuar e luftuar që së pari të arrihet shkëputja e plotë e Kosovës nga Serbia dhe ndikimi i saj kërcënues e destabilizues!

Ky ishte BETIMI i LPK-UÇK-së! Për këtë luftuan e ranë në altarin e Atdheut anëtarët, drejtuesit dhe luftëtarët më të mirë të LPK-UÇK-së!

Për këtë u ngritë në këmbë një komb i tërë dhe u ngritën shqiptarët nga të katër anët e botës e erdhën për të luftuar për lirinë e Kosovës, duke e larë me gjakun e tyre rinor tokën e saj!

Për këtë populli shqiptar përballoi me heroizëm të pashoq dhunën, vrasjet, masakrat, terrorin e gjenocidin serb deri në çlirimin e plotë të Kosovës së tij!

Prandaj, sot, më shumë se dje, kërkohet pajtimi dhe unifikimi i të gjitha forcave politike që janë deklaruar e deklarohen e që janë angazhuar e angazhohen për Kosovën e pavarur e sovrane nga Serbia, pajtimi dhe unifikimi i të gjithë individëve e grupeve që u përpoqën e luftuan për çlirimin e Kosovës shqiptare nga pushtuesi serb. Sot, më shumë se dje, kërkohet t’i këndojmë në kor lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës shqiptare...

Këngët që ndjellin defetizëm, përçarje e ndërskamca do të duhej  të “ndaloheshin” në këtë kohë...

   Po dua të besoj që nuk ka shqiptar që i gëzohet ndjekjes, përndjekjes, arrestimit dhe dënimit të cilitdo luftëtar e veprimtar lirie...

Bashkimi rreth  BETIMIT të LPK-UÇK-së dhe dëshirës shekullore të popullit shqiptar për liri e bashkim kombëtar do t’i jepte fund edhe akuzave, edhe ndjekjeve e gjykatave persekutore të lirisë, pavarësisë dhe të drejtës sonë kombëtare e universale për të jetuar në tokën tonë shqiptare të lirë, të pavarur e nën hijen e Flamurit tonë kuq e zi...
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)