04 Korrik 2022

Mos bëni presion mbi qytetarët e Deçanit! Jo vendime politike dhe diskriminuese

 Shkruar nga Adem Lushaj

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët lidhur çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.  

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, është thënë në reagimin e pesë ambasadorëve të Quintit.

Ka kohë që po bëhet presion në institucionet komunale për zbatimin e Vendimit të turpshëm të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin i falën afër 24 hektarë tokë publike, manastirit të Deçanit. Ky presion që bëhet për regjistrim të pronave publike të ndërmarrjeve APIKO dhe ILIRIA, në emër të  manastirit të Deçanit, nuk mund të cilësohet ndryshe pos si presion që i bëhet vullnetit të qytetarëve, presion që është kundër zhvillimit ekonomik dhe zbatim të vendimit të Qeverisë vrasëse të Serbisë.

Ndaj, “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” (SHIP) në Deçan, shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj për presionin që i bëhet ekzekutivit komunal, përkatësisht kryetarit të Deçanit, presion i ardhur nga faktori ndërkombëtarë, kësaj radhe nga shtetet mike të QUINT-it. Kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e konsiderojmë kërkesë për legalizimin e vendimit të Qeverisë së Millosheviçit, vendim që i fali manastirit të Deçanit, pronat e ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA.

Si faktori ndërkombëtarë ashtu edhe vendor, duhet ta kuptojnë se për NE, manastiri është pjesë e trashëgimisë kulturore dhe resurs i rëndësishëm turistik nga i cili mund të gjenerohen të hyra.

Nuk duhet harruar se janë shqiptarët ata që historikisht e kanë ruajtur dhe mbrojtur këtë objekt kulturo-turistik. Por, është për keqardhje që institucionet e kultit fetar ortodoks, e sidomos Kisha Ortodokse Serbe e Kosovës, është e përdorur nga regjimi i Millosheviçit, për qëllime politike antishqiptare, e fatkeqësisht kjo politikë urrejtëse po vazhdon edhe sot.

Në vazhdimësi e kemi thënë  se nuk jemi kundër manastirit e as kundër institucioneve tona të drejtësisë, në këtë rast të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, janë deçanasit që çdoherë kanë përfillë institucionet e saja dhe kanë qenë të vendosur në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe tërësisë territoriale.

Por, nuk mund të qëndrojmë të heshtur kundër vendimit politik që është marrë në rastin e pronave publike të komunës sonë. Nuk mund të heshtim karshi vendimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese e cila ka legalizuar vendimin diskriminues të regjimit të Millosheviçian. Ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë votuar këtë vendim, jo vetëm që i kanë vënë vetes një njollë turpi, por edhe kanë nxitur një tension të dëmshëm në mes të manastirit dhe popullsisë vendase. Këta votues të këtij vendimi antikushtetues, kanë nxit urrejtje ndërnacionale dhe ndërfetare.

Ish kryetarja e kësaj Gjykate, Arta Rama Hajrizi, sikurse edhe kryetarja aktuale Gresa Caka Nimani, si dhe të gjithë ata gjyqtarë që nën ndikimin e politikës e kanë votuar këtë vendim, do mbahen në mend në Deçan, si noter të vendimeve të Millosheviçit.

Jemi të zhgënjyer dhe indinjuar që po vazhdon avazi i vjetër i vendosjes në krye të institucioneve të drejtësisë, personave pa kredibilitet profesional. Nëse institucioni më i lartë e drejtësisë, punon nën diktatin e politikës, nuk ka si të jetë institucion i besueshëm për qytetarët. E, aq më keq nëse ka në mesin e anëtarëve të Gjykatës, persona të dënuar për korrupsion.

Me qëllim të zgjidhjes së qëndrueshme, “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, i bën thirrje faktorit politik vendor e ndërkombëtar, si dhe personelit të manastirit të Deçanit, që të angazhohen seriozisht për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, të ndershme dhe të pranueshme nga të gjithë! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 korrik 2022

- Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:45)

 - Për nderë të 4 korrik 246 vjetori i Pavarsisë së SHBA zjarrfikësat e Prishtinës e pastrojnë platonë tek shtatorja e Presidentit Bill Clinton. (Sheshi Bill Clinton në Prishtinë, ora 9:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:55

- Kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova do të mbajë takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku do të ndajë informacion rreth mandatit, punës dhe zhvillimeve aktuale në Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre. (Hotel  Astoria në Gjilan, ora 10:00)

- Shoqata 'Miqtë e Amerikës' e mbështetur nga FSK, Zjarrfikësat dhe Policia e Kosovës organzon aktivitetin e radhës tashmë tradicional për nderë të 4 korrik 246 vjetori i Pavarsisë së SHBA. (Të shtatorja e Presidentit Bill Clinton, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00‪)
   
- UBT oganizon festivalin ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2022”, përmes së cilit në Kosovë po sjell profesionistë dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke organizuar samite, forume, gara, ligjërata tematike, vizita studimore, e ngjarje të ndryshme interesante për studentët dhe palët e tjera. (Parku Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, ora 18:00)