20 Prill 2024

Misioni ndërkombëtar nuk e kishte penguar krimin serb në Deçan

Shkruar nga Adem Lushaj  

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar për paqe nuk po respektohej. Forcat serbo-sllave po vazhdonin misionin e tyre, duke shkaktuar krime të reja dhe jetë të humbura. E, krimit serbo-sllavë, nuk i kishte shpëtuar as familja Selmonaj nga fshati Rastavicë. Por, jo vetëm familja kjo familje.

Më 22 mars të vitit 1999, këto forca kishin kidnapuar disa nga meshkujt e kësaj familjeje. Fillimisht i kishin maltertuar rëndë, ndërsa tre prej tyre i kishin burgosur në kazamatet serbe, ku ishin mbajtur deri pas çlirimit të vendit.

Njëri nga të arrestuarit ishte Blerim (Brahim) Selmonaj, i lindur më 10.03.1966. Disa orë ishte mbajtur dhe maltertuar në stacionin policor të Deçanit nga Zoran Nikiç, komandant i këtij Stacioni. Blerimi, në dëshminë e dhënë më 25 nëntor 1999, ka deklaruar: “Ishin dy ditë para se të fillonin bombardimet e NATO-s. Ne qëndronim nëpër shtëpitë tona, në Rastavicë. Diku në mesditë kanë ardhur njerëz të uniformuar serbë dhe kanë hyrë nëpër shtëpitë e lagjes (Lagja e mullinjve). Na arrestuan dhe na dërguan në stacionin policor të Deçanit. Pos meje, ishin Xhavit Smajli me të vëllanë Bekën, Ramiz Idrizi, Gani Muharremi dhe Binak Misini”. Gjithnjë sipas Blerim Selmonaj, në stacionin policor kishte pa edhe disa të  arrestuar tjerë, në mesin e të cilëve edhe një i ri nga Gramaçeli.

Për torturimin dhe arrestimin e babait të saj dhe të tjerëve, ka treguar Armentina (Xhavit) Selmonaj, e lindur me 15 mars 1985 në Rastavicë.

“Më 22 mars 1999, policia serbe erdhi nga drejtimi i Baballoqit. Ata i rrethuan shtëpinë tona. Policët hynë në shtëpinë e Brahim Nezirit, ku po qëndronin gjashtë burra, të cilët i nxorën nga shtëpia dhe i mbështetën te një makinë e blinduar, duke i rrahur me shkopinj. Pas rrahjes i detyruan të hipnin në makinën e blinduar për t’i dërguar në Deçan. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe babai im, Xhaviti. Së bashku me babin tim u arrestuan edhe Bekë Selmonaj, Binak Selmonaj, Blerim Selmonaj, Ramiz Selmonaj dhe Gani Selmonaj”,-ka rrëfyer Armentina, në dëshminë e dhënë më 25 nëntor 1999.

Dhunën e 22 marsit të vitit 1999 e kishin përjetuar edhe Arton Mushkolaj, Sali Lushaj, Xhafer Dobraj dhe Fadil Sadikaj

“Mëngjesin e 22 marsit të vitit 1999, rreth orës 9:00, policët serbë hynë në shtëpinë time. Më detyruan mua dhe babain tim, Smajl Mushkolaj, që të hipnim në një makinë. Na dërguan në Stacionin Policor të Deçanit. Aty na mbajtën për 4 orë. Aty në stacion na rrahën brutalisht. Aty i pashë edhe katër civilë të tjerë shqiptarë të torturuar barbarisht. Dy prej tyre kanë qenë, Xhavit Selmonaj dhe Faik Jasiqi", ka treguar Arton (Smajl) Mushkolaj, i lindur më 19 tetor 1980, në dëshminë e tij të dhënë më 9 gusht 1999.

Edhe, Sali (Demush) Lushaj, i lindur me 1 gusht 1959, nga fshati Shaptej, në dëshminë e dhënë më 3 gusht 1999, ka treguar për torturat e tmerrshme që kishte përjetuar në stacionin policor të Deçanit, së bashku me Xhafer Dobraj dhe Fadil Sadikaj.

“Më 22 mars të vitit 1999 jam arrestuar nga policët serbë. Kur më arrestuan isha në fshatin Gramaçel për të marrë ndihmat e fshatit. Aty e kanë marrë edhe Xhaferin dhe Fadilin. Më kanë mbajtur në stacionin policor për 30 orë. Brenda stacionit të policisë më kanë rrahur brutalisht, pos kësaj, i jam nënshtrua edhe një procesi pyetës provokues e maltertues nga Vllada Mirçiç, Vul Mirçiç, Voja dhe Zita”, ka treguar Salihu, i cili një maltertim të tillë të rëndë e kishte përjetuar edhe më 24 mars 1998, atëherë kur ishte kryer sulmi ndaj familjes Haradinaj.

Dëshmi të ngjashme ka dhënë edhe Xhafer (Lan) Dobraj nga fshati Gramaçel. Dobraj, i lindur më 3 maj 1966, në dëshminë e dhënë më 5 gusht 1999, ka treguar se  çka i kishte ndodhur atij dhe disa të tjerëve, që ishin arrestuar në të njëjtën ditë.

“Unë dhe dy miqtë e mi, Sali Lushaj nga Shaptej dhe Fadil Sadikaj nga Dashinoci, ishim në qendër të fshatit, kur tri makina të blinduara me policë dolën para nesh. Policët na futën me forcë në makinat e tyre dhe na dërguan në stacionin policor të Deçani. Aty na rrahën me gjëra të forta, kondak të armëve e çfarëdo që kishin. Na torturuan pamëshirshëm dhe tek në mbrëmje na kthyen në fshat”, ka treguar Xhaferi, i cili ka përmendur disa nga emrat e torturuesve, ndër ta: Stanisha Radulloviç (nga Dashinoci), Zoran Gjurishiq (nga Prapaçani), Novaku dhe Rada Radunoviç (nga Ratishi), Zhelko Dashiç dhe Velko Dashiç (nga Pozhari), dhe Lubisha Radunoviç.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)