29 Mars 2024

Memorial familjes Jashari, në vend të xhamisë politike

Shkruar nga Gani Qarri

Do të ishte shumë e pa falshme për historinë, qeveritë, inteligjencën dhe popullin e këtij shteti, që në vend se Rifat Jashari, së shpejti ta bënte përurimin e memorialit historiko-kombëtar kushtuar familjes heroike Jashari dhe gjithë heronjve e dëshmorëve të rënë për liri dhe çlirimin e Kosovës, të vinte enkas nga Azia diktatori Erdogan për promovimin edhe të një xhamie politike turko-otomane në zemër të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës.

Askush tjetër, të paktën në tre shekujt e fundit, nëse jo edhe më përpara, nuk e ka merituar më tepër një memorial të tillë, të rrallë e madhështor muzealo-historik se sa Familja Jashari dhe heronjtë e dëshmorët e rënë për liri dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Ndaj edhe vet pjesëtarët dhe pasardhësit e heronjve të familjes së nderuar Jashari, duhet ta kërkojnë pareshtur ngritjen e këtij memoriali në Prishtinë,kur e dinë mirë edhe ata vet,se përderisa të jetë Thaçi në pushtet, riparimi e konservimi i kompleksit të Familjes Jashari në Prekaz të Skënderajt,me gjithë premtimet e përvjetshme, nuk pritet të ndodhë dhe vetëm sa do të zvarritet.

Madje edhe për ne si popull e shtet i pavarur, vërtetë do të ishte fatkeqësi e madhe dhe e pa falshme kombëtare të lejojmë ndërtimin e një xhamie politike erdoganeske më të madhen, në vend të një memoriali historiko-kombëtar kushtuar Familjes Jashari dhe gjithë heronjve e dëshmorëve që kanë dhënë jetën për çlirimin e Kosovës e më gjerë,vetëm para pak më tepër se 21 vitesh të çliruar.

Do të ishte po ashtu, tejet e turpshme dhe përgjithmonë e pafalshme, për popullin e shumëvuajtur dhe të gjitha qeveritë e Kosovës, që në vend se ta pretë shiritin e dilte në tribunë ikona e familjes më sublime heroike shqiptare z. Rifat Jashari, të bënte përurimin e këtij memoriali gjithëkombëtar dhe dëshmonte edhe një herë më tepër, me fjalë dhe me vepër se kjo tokë e larë me gjakun tonë, ka qenë, është dhe do të mbetet përgjithmonë shqiptare, ruana zot, të vije diktatori Erdogan nga Azia ta përurojë xhaminë e tij politike dhe mbajë fjalime të përflakura "alla-turka" se si Kosova paska qenë dhe mbetur, tokë turko-otomane.

Ndërtimi i një xhamie politike si kjo, do ti hapte rrugën edhe promovimit nga Aleksandër Vuçiqi të kishës ortodokse serbe, të ngritur gjatë viteve të pushtimit dhe kohës së luftës nga Millosheviqi,ministër i të cilit isht edhe vet, mu në zemër të Qendrës Universitare në Prishtinë, për të "dëshmuar" edhe ai dhe zyrtarët, e popat serb, para gjithë botës, se kjo tokë nuk është shqiptare, por "serbe", gjë që do të ishte poshtërimi më i madh dhe i pa precedent për popullin tonë, Kosovën dhe të gjithë të rënët për lirinë e saj.

Nëse dikush dha çdo gjë nga vetja ,madje duke flijuar pothuajse tërë familjen në mënyrën më heroike të mundshme, në luftën për vdekje a liri me hordhitë barbare okupatore serbe, ishte Familja heroike Jashari, familja e babës Shaban, të bijve Hamzës e Ademit dhe krejt pjesëtarëve të saj, me reja, nipa dhe mbesa, të cilët të mëdhenj e të vegjël, të gjithë sa ato netë e ditë tmerri u gjenden në shtëpi, u flijuan dhe ranë duke bërë qëndresë heroikisht për lirinë e Kosovës.

Ndaj po qe se me të drejtë thuhet, se nënshtrimi i një populli nis me nëpërkëmbjen, poshtërimin dhe shkeljen e inteligjencës së tij, atëherë shqiptarët janë ata, të cilët pa asnjë dyshim, duhet të ndjehen populli më i fyer i të gjitha kohëve që nga vdekja e Skënderbeut e këtej, mbetur gjithmonë të mbërthyer në vend të vetin, me tempuj, memorialë, objekte dhe ideologji të huaja deri te ato mesjetare, të atyre që na sunduan për 500 vjet dhe të tjerëve nga vitit 1878 e këtej, për rreth 200 vite tjera. 

E një fyerje kaq poshtëruese për vendin dhe inteligjencën kombëtare nuk do ta lejonte asnjë popull tjetër, përveç shqiptarëve, kudo qoftë në botën bashkëkohore.

Kjo për vet faktin se për këso tempujsh të mëdhenj fetaro-politik, si xhamia e Erdoganit në Prishtinë, jepen aq shumë para, (rreth 32 milion euro-siç përflitet në opinion) vetëm për të ngritur një objekt të tillë kulti turko-otoman, sipas ideologjisë së tyre pushtuese, përçuar mesazhe politike dhe ngulitur trashëgimitë e huaja osmane në një vend si Kosova.

Krejt kjo për shkakun se aty ku Edrogani nuk arriti të na impononte me fjalë dhe propagandë neo-otomanizmin e tij, tani tenton të na dëshmoj me forcën e parasë dhe ryshfetit, se Kosova është "Turqi" siç gërvallej jo fort moti në Prizren me rastin e vizitës së paradokohshme, në Kosovë.

Ndaj nëse shqiptarët kanë harruar kaq shpejt të kaluarën e vet, është momenti i fundit që ta rikthejnë kujtesën dhe të mendojnë edhe një herë me dorën në zemër, se nëse dikush ka merituar një Memorial kombëtar, në qendër të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, nuk është Erdogani as Turqia por vetëm Familja Jashari dhe heronjtë e dëshmorët e rënë trimërisht për çlirim e liri.

Në asnjë mënyrë,një popull me dinjitet dhe vetëdije të shëndoshkombëtare, nuk mund ti japi përparësi një xhamie erdoganeske, përpara familjes heroike Jashari dhe heronjve e dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit dhe çlirimin e Kosovës.

O e meritojnë objekte përkujtimi ata, o askush tjetër në këtë vend!

E nëse megjithatë del një numër zuzarësh shqipfolës, të cilët kundërshtojnë ngritjen e memorialit kombëtar kushtuar Familjes Jashari, që në atë vend të ndërtohet edhe një objekt fetaro-politike turk si xhamia,atëherë dikush nga ekspertët duhet t`ia shpjegojë këtij populli enigmën e rëndë mbi dashurinë kaq të madhe të këtyre shqipfolësve ndaj pushtuesve, si dhe urrejtjen e pafund kundër identitetit të vet dhe sjelljen e tyre kaq armiqësore antikombëtare.

Sepse memoriali kombëtar kushtuar kësaj Familje madhështore dhe gjithë heronjve të rënë për liri, në mes të Prishtinës, është i pamohueshëm dhe nuk guxon askush ti kundërvihet, madje as fanatikët islamik.

Vetëm një memorialë i tillë, do ta nderonte Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, zbukuron kryeqytetin, rritë lavdinë e luftës sonë për liri dhe bënë krenarë të gjithë shqiptarët anë e këndë botës, jo vetëm brezin aktual por edhe gjeneratat që do të vijnë në të ardhmen.

Përndryshe nëse vërtetë në atë vend kaq strategjik dhe domethënës për shtetin dhe popullin e Kosovës, i jepet përparësi ndërtimit të xhamisë politike erdoganiste dhe jo memorialit kombëtar kushtuar familjes Jashari dhe heronjve e dëshmorëve të rënë për liri, një akt i tillë, do të mbetet turp i përjetshëm dhe njollë kurrë e pashlyer kombëtare dhe shtetërore për të gjithë shqiptarët në Kosovë e më gjerë.

Do të ishte një vepër e shëmtuar dhe e pa shpjegueshme në asnjë mënyrë njerëzore, që edhe pas afro një mijë xhamish të ndërtuara nevojë e pa nevojë në çdo qosh e skutë të Kosovës, sërish në vend të nderimit të familjes Jashari, familjes më të ndritshme kombëtare anë e mbanë shqiptarisë dhe krejt trojeve tona etnike,ti mohohet kujtimi i sakrificave të saj, të njohura në përmasa gjithëshqiptare dhe botërore, me një objekt historiko -përkujtimor, si memoriali, dhe në vend të tij, të vije në rend edhe një xhami tjetër politike, turko-erdoganiste mu në zemër të Prishtinës.

Një objekt i huaj politik, që nuk e duron vendi, nuk e bënë askënd krenar dhe na e rikujton serish, vetëm pushtimin dhe neo-otomanizmin, ndërsa vepra e Familjes Jashari dhe memoriali kushtuar heronjve të lirisë, e ndritë shtetin e Kosovës, ngritë lavdinë e UÇK-s, dhe nderon gjithë kombin shqiptar pa përjashtim.

Duhet përmendur me këtë rast se në Shqipëri janë ndërtuar dhjetëra memorial kushtuar ushtarëve të rënë grek në luftime me italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në Kosovë as pas më tepër se 21 vitesh nga dëbimi i Serbisë, të mos ngritët një memorial kushtuar familjes Jashari dhe heronjve e dëshmorëve të luftës të rënë për lirinë e vendit tonë, kjo vërtetë është një turp i papërshkrueshëm.

Për aq më tepër, mbetet shumë e pakuptueshme dhe e habitshme deri në pafundësi, se si asnjë e ashtuquajtur OVL, politikan vendor, organizata civile, apo edhe individ i Republikës së Kosovës të mos kujtohet, as ngrit zërin deri më tani dhe shfaq propozimin hyjnor, për ngritjen e një memoriali të tillë historik, i cili do ta rrisë lart e më lartë respektin ndaj luftës për lirinë e Kosovës dhe lavdinë e veprës madhështore të UÇK-s.

Madje nuk do të kishte gjë më të mirë se në zemër të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, të binte në sy dhe ngrinte interesimin e secilit njeri, një memorial me kaq rëndësi të madhe historike e kombëtare dhe vizitohet pareshtur nga vendor dhe të huaj, se sa në vendin e shkelur jo fort moti, nga terroristi Lavdrim Muhagjeri, të ndërtohet xhami erdoganiste, ku ndërtimi i një memoriali kombëtar, do të zhdukte edhe kujtimet e këqija nga e kaluara e tij.

Përndryshe nëse vërtetë mu aty lejohet ndërtimi i xhamisë politike erdoganiste, në vend të memorialit kombëtar kushtuar familjes Jashari, jo vetëm se do të mbetej i gjallë edhe kujtimi për këtë terrorist të trishtë, i cili i pari nisi mihjet po aty, mu për këtë xhami dhe nuk do të shkojë gjatë e ithtarët e tij, do të kërkojnë që xhamia në fjalë të mbajë edhe emrin e Lavdim Muhagjirit dhe ai të shpallet hero i ngritjes së xhamisë dhe xhihadit islamik në Kosovë.

Ky vend kurrë nuk ka qenë dhe nuk është as sot i denjë për objekte politike fetare por është vend i zgjedhur për memorialë shqiptare dhe prezantimin me pamje dhe përmbajtje të lavdisë tonë madhështore kombëtare, sidomos kur në te, përjetësohen të pavdekshmit e luftës për liri si Familja Jashari dhe heronjtë e dëshmorët më të devotshëm të Kosovës, të flijuar për çlirimin përfundimtar të saj.

Në anën tjetër, habit fakti se si, shumë politikan vendor, për turpin e tyre, sa herë që u duhen poenë politik, vota dhe përkrahje e elektoratit, gjithmonë thirren në luftën e UÇK-s dhe komandantit legjendar Adem Jashari.

Por ata edhe mbi 21 vite pas përfundimit të luftës, ende nuk i kanë ngritur një përmendore të vetme adekuate Adem Jasharit në Prishtinë dhe as ndonjë Memorial përkujtimoro-historik familjes heroike Jashari, ku memoriali në fjalë edhe po të ndërtohej në përmasa më të vogla se xhamia politike e erdoganit, do të kishte hapësira të mjaftueshme për skalitjen e emrave të të gjithë heronjve e dëshmorëve të rënë për liri, deponimin e fakteve dhe të argumenteve biografike të tyre, si dhe pasqyrimin bashkëkohor të veprimtarisë së bujshme patriotike të brezave, para gjatë dhe pas luftës për çlirimin e vendit dhe shtet ndërtimin e Kosovës. 

Kurse një pjesë e memorialit mund të shndërrohej në muze kombëtar të luftës, e pjesa tjetër në arkiv historik të veprimtarisë patriotike të të gjithë atdhetareve më të devotshëm kombëtar, si dhe një amfiteatër ku mund të mbaheshin kurse historike dhe ligjërata përkushtuese mbi luftën atdhetare të brezave që kontribuuan për çështjen shqiptare dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)