03 Dhjetor 2022

Marrëveshja nuk varet nga numri, por nga kualiteti i ndërmjetësuesit

Shkruar nga Gani Qarri   

Nuk është numri i të dërguarve, por cilësia e ndërmjetësuesit diplomatik, faktori vendimtar që qon në zgjidhjen e problemeve politike dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare, ndërmjet të dy vendeve në konflikt.  

Prandaj në vend se të shtohet numri i të dërguarve të posaçëm nga shtete të ndryshme të BE-së, më e arsyeshme do të ishte, që kryesues i ndërmjetësuesve në bisedimet Kosovë-Serbi, të caktohej emisari i lartë amerikan Gabriel Eskobar, në mënyrë që të mos ekzagjerohen edhe më tepër, problemet ekzistuese ndërmjet të dy vendeve.

Dhe kjo, do të ndodhë, jo vetëm për shkak të mos-dakordancës ndërmjet dy shteteve, por edhe të mospajtimeve të të dërguarve të "posaçëm" të vendeve të BE-së, për shkak të interesave të shteteve të veta, në këndvështrimin e rastit, mënyrat e veprimit dhe ndryshimet e pikëpamjeve të tyre, për arritjen e zgjidhjes përfundimtare Kosovë-Serbi.    

Nisur nga ky fakt, mbetet shumë e pa kuptueshme se pse BE, pikërisht pas suksesit të treguar të emisarit Gabriel Eskobar, në "imponimin" e dakordimit të Serbisë për qarkullimin e lirë të qytetarëve të të dy vendeve me letërnjoftime, u dashtë të nxitonin për të emëruar edhe dy të dërguar të posaçëm, kur dihet mirë se dialogu, nuk ka filluar me të dërguarin amerikan, por ka mbi 11 vite që zhvillohet nën ndërmjetësimin e BE-së, pothuajse pa asnjë sukses, për çka të gjithë kanë heshtur, duke mos reaguar asnjëherë për mos implementimin e marrëveshjeve nga Serbia.   

Madje është nevojitur edhe ndërhyrja urgjente e ish kancelares gjermane Angela Merkel, për të parandaluar ndarjen dhe ricopëtimin e Kosovës, të dakorduar fshehurazi, prapa shpinës së opinionit të vendit tonë, nga kuislingu Hashim Thaçi dhe krimineli Aleksandër Vuçiq.

Për aq më tepër, edhe vet përvoja e luftës ndërmjet ish republikave të federatës jugosllave, ka treguar që nga fillimi se vetëm të dërguarit amerikan, kanë zotësi dhe potencial, për të krijuar marrëveshje dhe lidh paqen ndërmjet vendeve në konflikt, përndryshe nuk ka ndonjë diplomat të veçantë evropian, që ka dëshmuar sukses në ndërmjetësime të tilla apo të ngjashme, madje pas ndërmjetësimeve të tyre edhe janë ashpërsuar problemet ndërmjet vendeve në konflikt.     

Megjithëse BE, me dy të dërguarit e posaçëm, nga vendet njohëse të pavarësisë së Kosovës si Gjermania dhe Franca, ani pse, kësaj të fundit shqiptarët nuk ja kanë besën fort, teoretikisht, po tenton të inskenojë, një lloj balanci në ndërmjetësim, me dy përfaqësuesit e lartë Borell e Lajçak që vinë nga dy vende mosnjohëse të shtetit të pavarur të Kosovës, vizita e Lajçakut me dy të dërguarit e posaçëm nga Gjermania dhe Franca, në Kosovë e Serbi, nuk besojë se pa ndërmjetësuesin e SHBA-ve z. Gabriel Eskobar, vërtetë do të ketë sukses.  

Madje BE për të dëshmuar se ndërmjetësimin vërtet e ka me seriozitet, pikësëpari do duhej bindur pesë vendet mosnjohëse, anëtare të saj, që pa asnjë hezitim të mëtejmë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe vetëm pastaj të emëronte të dërguar tjerë, të posaçëm, të cilët do të kishin parametrat e përmbushur, që edhe nga Serbia të kërkohej njohja e Kosovës dhe marrëveshja të kurorëzohej me sukses.  

Përndryshe emërimi i emisarëve të rinj, nga shtetet e BE-së, pa e ndihmuar Kosovën, fillimisht sa i takon njohjeve të vet 5 vendeve mosnjohëse të BE-së,  ka krijuar ndjenjën e keqe, se shumica e emisarëve evropian, janë vënë në krah të Serbisë dhe po nxitojnë në grup, për ta detyruar me çdo kusht kryeministrin Kurti që ta formojë edhe një "republika srpska" në Kosovë, para se buldozerët diplomatik të SHBA-ve, si z. Gabriel Eskobar të arrijnë një marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, ndërmjet Serbisë dhe Republikës së Kosovës.   

Pra për të shënuar sukses në dialog, si për ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për Kosovën, Miroslav Lajçak ashtu edhe të dërguarit e posaçëm Jens Plettner e Emmanuel Beaune, të emëruar nga kancelari i Gjermanisë, Oalf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, qëllim i përmbylljes së bisedimeve të stërzgjatura e maratonike, duhet të jetë marrëveshja ligjërisht e obligueshme me njohje të ndërsjellë, ndërmjet Kosovës e Serbisë, si dhe perspektiva evropiane për të dy vendet, e jo krijimi i bosnjeve të reja dhe shtimi i problemeve në Ballkan.

Kështu që përderisa, pas qëndrimit të vendosur të SHBA-ve, edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, z. Lajçak, u deklarua të paktën formalisht, se marrëveshja Kosovë -Serbi, duhet të përfundojë me njohjen reciproke, njohja e ndërsjellë, mbetet mënyra e vetme që të shkohet sa më shpejtë drejt përfundimit të bisedimeve dhe krijimit të paqes, nga e cila do të përfitojnë, jo vetëm qytetarët e të dyja vendeve, por do të sigurohet edhe stabilitet dhe vendoset paqja afatgjate në rajon.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 dhjetor 2022

- Komuna e Prishtinës do të bëjë testimin e radhës të Sistemit të Alarmit Publik me tinguj të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda. (Prishitnë, ora 12:05)

- Ndihmës administratorja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për Europë dhe Euroazi, Ambasadorja Erin E. McKee, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me akterë të ndryshëm duke përfshirë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, bartës të rinj të ndryshimeve etj. (Lokalet e Royal Beverages, Velekincë, Komuna e Gjilanit, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, do të mbajë tubim me vajza e gra. (Teatrin e Qytetit "Avdush Hasani", ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi do të vizitojë Qendrën e Handikos-it në Podujevë. (Objekti i Qendrës në Podujevë, ora 15:30)

- Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit do të shfaqen filma vendor dhe të huaj, ku do të ketë diskutime me me autorët pjesmarrës! (Kino Armata, ora 17:00)
 
- Mbahet ceremonia e mbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit më ç'rast do të behët edhe ndarja e çmimeve. (Kino Armata, ora 19:00 )