18 Prill 2024

Festa e madhe e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Shkruar nga Sadri Rexhepi

Kah po ecën Shqipëria, në ç’drejtim po shkon kombi shqiptar? Janë këto vetëm dy nga pyetjet e hapura, të cilat edhe sot, plotë 110 vjet pas themelimit të këtij çerek shteti Shqiptar kërkojnë përgjigje, por vështirë t’i gjejmë.

Ndoshta jo vetëm në planin kombëtar ky është fataliteti i historisë, sepse me gjasë të njëjtat pyetje edhe 110 vjet pas epokës sonë mund t’i shtrojnë pasardhësit tanë.

Nuk është kjo pjellë e mendjes së robëruar e aq më pak fjala është për retorikë speculative apo për folklorizëm nacional.

Thjesht dhe drejtpërdrejtë, kombi shqiptar gjithandej edhe në kët dy decenjet e fillim shekulli XXI gjendet para thirrjeve të reja të historisë.

E para për t’i hedhur një rishikim kritik dhe të guximshëm rrugëtimit të vet shekullor dhe e dyta për të reflektuar sypatrembur dhe me realizëm rrugën nëpër të cilën po udhëton.

Pra, a kemi fuqi dhe guxim ta shtrojmë pyetjen,cili do të jetë objektivi ynë kombëtar në 110 vitet e ardhshme?

Apo ndoshta e konsiderojmë se, nuk është koha, se nuk është e domosdoshme, se po ta shtronim çështjen në këtë formë do të binim ndesh me proceset e globalizimeve dhe jo vetëm të strategjisë për integrimet evropiane?

Çfarë të themi nëse në mendjet e elitave të sotme shqiptare dhe jo vetëm të burrështetasve, prijësve të sotëm shqiptarë ka mendime se mjaftueshëm jemi në rrugë të mbarë dhe se nuk kemi nevojë të kërkojmë ndërtimin e një strategjie mbarëkombëtare për periudhën e ardhshme 110 vjeçare

Çfarë nëse, jemi nën ndikimin e përshtypjeve, por edhe të zërave të post modernes, epokës së globalizimeve se po shkojmë kah integrimet globale dhe jo kah forcimi i identiteteve kombëtare, pra më së paku drejt idealit të bashkimin kombëtar, konkretisht për bashkimin e shqiptarëve në Shqipërinë etnike ?

Dikush do të mund të pyeste, nëse edhe në këtë epokë të rendit të ri botëror jemi më afër apo më larg bërjes realitet të idealit për Shqipërinë etnike?

Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u proklamua një botë ndryshe, me më shumë paqe, me më shumë drejtësi dhe me më pak luftëra e sundime, koloni të reja.

Ideologët e atëhershëm botëror, sikur ata të Perëndimit po ashtu edhe të Lindjes theksonin se do të zhdukeshin kufijtë midis shteteve dhe se elementi kombëtar nuk është qenësor, madje nën ndikimin e pansllavizmit propagandohej edhe kombi socialist.

Ndërkohë 70 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u rindezën luftërat e reja, sepse kishte ardhur koha që popujt e shtypur, siç ishte rasti i popullit shqiptar në Kosovë dhe në ish Jugosllavi të ngriheshin në luftë për t’u çliruar nga sundimet sllave.

Faktikisht qoftë përmes çlirimit nga sundimet e huaja, qoftë përmes çlirimit nga sundimet e regjimeve dhe sistemeve totalitare popujt iu rikthyen jo vetëm demokracisë, por edhe zgjidhjes së çështjes kombëtare.    

Filozofia politike e ngërthyer sot në këtë përvjetor të 110 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar është e përafërt me thelbin e pyetjeve të sipërshtruara, por sikur as vet nuk jemi të sigurtë nëse këto ide politike mund ta gjejnë hapësirën dhe kohën për trajtim e shqyrtim.

Nuk themi se këto ide politike janë të vonuara, por aq më pak kemi të drejtë të supozojmë nëse ato pikëpamje janë jashtë kohës dhe hapësirës, jashtë realitetit të gjeopolitikës së re.

Pikërisht mbi këtë pikëvështrim do të mund të pyesnim, si u bë që, vazhdimisht dhe aq më parë kur e shtrojmë çështjen më të madhe të gjitha kohërave për kombin, pra bashkimin kombëtar para veti na del një mal i pyetjeve hamletiane nëse është koha, nëse ky ideal do të bëhet realitet apo do të ngel vetëm projektsynim...?

Madje, përse jo vetëm evropianët, por edhe ndonjë burrështetas shqiptarë na sugjerojnë që bashkimin e kombit ta realizojmë në projektin e BE-së në Brukselin e largët dhe jo në Tiranën e afërt, e cila është djepi i shqiptarisë!

Pavarësisht nga sfidat e ripërsëritura të kohës gjithandej në zemër, në shpirt dhe në mendje e dimë dhe e besojmë se çështja shqiptare është e pazgjidhur, se themelimi i shtetit të Kosovës është vetëm një hap drejt zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, se edhe në epokën e rendit të ri botëror jemi kombi më i shpërndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor.

Me gjithë zgjimin tonë kombëtar në fund shekullin e XX-të me gjithë se në Shqipëri fituam demokracinë e lirinë, në Kosovë e shpallëm shtetin e pavarur.

Në Maqedoni u arrit Marrëveshja e Ohrit ndërsa ne nuk arritëm t’i rikthejmë të gjitha territoret e pushtuara nga sllavët.

Ne duhet ta pranojmë se jemi kombi, i cili në hapësirat e Evropës së vjetër dhe të Evropës së re kemi humbur më së shumti territore, të cilat përveç territorit të Kosovës nuk kemi arritur t’i kthejmë.

Prandaj edhe sot 105 vjetë pas themelimit të këtij çerek shteti jemi në kërkim të Shqipërisë etnike,natyrale.

Faktikisht dekada e fundit e shekullit të XX-të dhe kjo e dyta e shekullit XXI-të, na krijuan përshtypjen në mos jo iluzionin, se me përkrahjen amerikane po vjen epoka e faktorizimit të kombit shqiptar në rajon.

Me të drejtë apo jo, mbi këtë ide edhe sot në shënimin e 110 vjetorit të Shqipërisë, krijuam ndjenjën se po bëhemi faktor i rëndësishëm në hapësirat e përgjakshme të Evropës Juglindore.   

Ju rikthyem me euforinë nacionale ndjenjës së fuqishme të krenarisë sonë kombëtare të nëpërkëmbur nga sundimet e egra dhe të gjata sllave. Ndonëse i ndarë nëpër hapësirat e gjeografisë kombëtare, u ribëmë komb i lirë, e përqafuam demokracinë dhe qytetërimin evro – perëndimor.

Në Kosovë, në Maqedoni i shembëm sistemet pushtuese sllave,kurse në Shqipëri u braktis ideologjia e perandorisë komuniste.

Por, kjo nuk mjaftoi, nuk ecëm dot më shumë, më shpejt, më sigurt sepse ose nuk kishim fuqi, unitet e dije kombëtare, kapacitetet shtetformuese në frymën e demokracive perëndimore ose ramë në grackat e në kurthet e atyre që, historikisht ishin dhe janë kundër faktorizimit të kombit shqiptar.

Janë këto tema, gjithnjë të hapura të cilat na japin arsye për t’i analizuar, për t’i trajtuar alternativat e shumta jo vetëm në rrafshin e politikës kombëtare, por në radhë të parë, në detyrimin mbarë shqiptar për të ndërtuar strategjinë e programit kombëtar për shekullin e XXI-të.

Ndoshta shënimi i këtij përvjetori të madh kombëtar të shënimit të 110 vjetorit të Shqipërisë, na jep mendje, guxim, kurajo, por edhe detyrim dhe ndërgjegje kombëtare që, historinë e djeshme dhe të sotme ta shohim objektivisht, pa frikë dhe me dinjitet, pavarësisht sa e hidhur është e vërteta për këtë histori tonë kombëtare.

Si mund të shpjegohen ngjarjet e shtatë viteve të fundit të cilat po e defaktorizojnë pozitën e popullit shqiptar në Ballkan dhe në Europë?

Dhe nëse vazhdon kështu me këto prapaskena, e ve në dyshim të ardhemen e popullit shqiptar, duke e degraduar , zhvlerësuar dhe defaktorizuar edhe më shumë pozitën e kombit shqiptar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)