17 Janar 2022

E kujt është Gazeta Express dhe Televizioni T7

Shkruar nga Ali Mehmeti

Muajve të fundit është përfolur se Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë shitur dhe se Berat Buzhala nuk do të jetë më pjesë e këtyre dy mediumeve. Konfirmimi se Berat Buzhala po largohet erdhi para pak javësh nga vet Gazeta Express duke konfirmuar se:

“Bordi i kompanisë “MediaWorks”, pjesë e së cilës janë Gazeta Express dhe Televizioni T7, ka emëruar sot Drejtorin e ri të kompanisë, z. Leonard Kerqukin, i cili deri më tash ka ushtruar detyrën e Kryeredaktorit. Emërimi i Kerqukit vjen pas dorëheqjes së Drejtorit të deritashëm, z. Berat Buzhala.”

Por, kush është kompania “Media Works” e formuar në vitin 2004 me një kapital prej 18.000 euro? Duke hallakatur nëpër sajtin e  Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) rezulton se aktualisht është në pronësi 100% të kompanisë “A.B.C. Menagement” me kapital prej 1,6 milion euro. Por, në regjistrin e ARBK-së kompania “A.B.C. Menagement” nuk figuron fare dhe, kështu humbet gjurma.

Por jo. Edhe pse në regjistrin e ARBK-së mund të shihen emrat e kompanive të ndryshme por jo edhe ndonjë informacion tjetër, nuk do të thotë se këto informacione, edhe pse të kufizuara, nuk mund të gjinden nëpër botë: në ishujt Kajman, Luksemburg, Zvicër, Angli apo gjetiu.

Për befasi të këndshme kompaninë në fjalë nuk e gjeta në këto parajsa fiskale, por në Tiranë.

Kjo kënaqësi nuk zgjati gjatë. Kur e hallakata edhe regjistrin e Qendrës Kombëtare të Bizneseve të Shqipërisë gjeta se kjo kompani është regjistruar në korrik të vitit 2019 me kapital 100 lekë dhe menjëherë pas regjistrimit e kishte blerë televizionin shqiptar “ABC News”.

Kur e ka blerë edhe kompaninë “Media Works”, respektivisht Gazetën Express dhe televizionin T7 nuk e di, por ajo që më shokoi ishte fakti se pronare e kësaj kompanie ishte një shtetase greke nga Selaniku, znj. Efthymia (Vasileios) Gkouma. Imagjinoni se ku kanë shkuar paratë e ndara nga PTK-ja për këto mediume.

Të kujt ishin më herret këto dy mediume nuk e di, sepse nuk shihet nga regjistri i ARBK-së, pasi që, mungon historiku.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2022

-  Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën më temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  do të shënojë Janarin e Përflakur më çrast do të mbahet tribunë e hapur në të cilën do të ketë dy ligjërata "Flakadanët e lirisë" dhe Jusuf Gërvalla - Atdhetari dhe krijuesi. (Amfiteatrin i Universiteti të Gjilanit, ora 11:00)  

- Partia Socialdemokrate do të mbaj konferencë për media lidhur me projektligjin për inspektime të propozuar nga Qeveria e Kosovës. (Zyra e PSD-së, në rrugën Bajram Kelmendi, ora 13:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' mbahet akademie e Flakës 2022. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 17:00)

 

- Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shkëlqesia e Tij, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, organizon Akademinë Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ora 17:00)

- Hapet ekspozita kolektive e artit pamor. (Galeria e qytetit të Gjilanit, ora 19:00)