12 Gusht 2022

Çka po ndodh me kryeministrin e 'tretë' shqiptar

Shkruar nga Ali Mehmeti

Edhe njëherë, ditëve të fundit, Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq është bërë objekt i përgojimeve (ose të vërtetave?) në shtypin malazez dhe atij serb.

Kësaj here duke thënë se vëllai i tij, dr. Xhihan Abazoviq në partneritet me partneren e Kryeministres serbe Ana Bërnabiq, dr. Milica Gjurgjiq do hapin një spital të ri në Beograd, pasi që, tanimë kanë të hapur një spital në Beograd me emrin BioCell Hospital.

Hapja e këtij spitali nuk do ishte e diskutueshme sikur nuk do thuhej se ajo do bëhet me ndikimin direkt të vet presidentit serb.
 
Në pyetjen e gazetarëve a është i vërtet ky lajm, kryeministrja serbe ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se nuk përzihet në jetën profesionale të partneres së saj, mjekës Milica Gjurgjiq. Kurse vet Xhihan Abazoviq ka demantuar lajmin.

Këto akuzat e fundit mund të janë vetëm përgojime, nga kundërshtarët e kryeministrit malazez në Mal të Zi, për shkak të arritjes së Marrëveshjes themelore me kishën ortodokse serbe dhe me presidentit serb Vuçiq, apo nga opozita e Vuçiqit në Serbi.

Por nuk janë as për t’u hedhur poshtë, duke pas parasysh rrethanat sesi dhe kur u hap spitali BioCell dhe disa veprime dhe deklarime skandaloze të kryeministrit malazez në të kaluarën e afërt.
    
Faktet e njohura dhe të verifikueshme, disa në bazë të Regjistrit të ndërmarrjeve në Serbi janë se:

I vëllai i Kryeministrit të Malit të Zi, Xhihan Abazoviq është mjek i specializuar në mjekësi urgjente dhe mjekësi regjenerative;

Dr. Xhihan Abazoviqi është drejtor menaxhues dhe i vetmi përfaqësues ligjor i spitalit të përgjithshëm BioCell Hospital, që operon me emrin afarist Vicula Biotech Group, me seli në Beograd;

Vicula Biotech Group është regjistruar me 29 tetor 2021, sikur pasuese e firmës Forever Young, e regjistruar në vitin 2017 me veprimtari primare “këshillim në lëmin e menaxhimit” dhe me kapital 100 dinarë serb (më pak se një euro);

Vetëm 10 ditë para se të regjistrohet Vicula Biotech Group, me 19 tetor 2021, 75% të aksioneve të firmës Forever Young blihen nga firma e regjistruar në Qipro Ensifolia Limited me vlerë 1,5 milion euro kurse 15% të aksioneve nga një biznesmen serb, Milija Baboviq, me vlerë 0,5 milion euro. Mbetja prej 10% të aksioneve blihet nga aksionarët e vegjël, ku njëri ndër ta është edhe i vëllai i kryeministrit malazez, dr. Xhihan Abazoviq.

Pa kaluar as një muaj pas regjistrimit, me 22 nëntor 2021, dr. Xhihan Abazoviq bëhet drejtor menaxhues dhe përfaqësues i vetëm ligjor i firmës Vicula Biotech Group;

Kolege të punës dhe shefe të repartit të radiologjisë në të njëjtin spital ka partneren e Kryeministres serbe Ana Bërnabiq, specialisten e radiologjisë, Milica Gjurgjiq;  

Të dhënat mbi pronarët e firmës qipriote janë të panjohura, respektivisht sekrete, dhe këtë firmë as “gugli” nuk po e gjen, edhe pse në dokumente serbe ka edhe adresë në qytetin Nikozia të Qipros.  

Pra, akuzat se po përgatitet hapja e një spitali të ri me ndikim direkt nga qeveria serbe, lidhen pikërisht edhe me dyshimin paraprak se hapja e spitalit BioCell ishte bërë me ndikim direkt të Vuçiqit dhe me mahinacione të ndryshme, ku përfitues ishte edhe i vëllai i kryeministrit malazez. Në një intervistë për televizionin publik kroat, Dritan Abazoviq deklaron:          

“Kur bëhet fjalë për vëllain tim dhe klinikën në Beograd, ta demistifikojmë. Jam shumë krenar për vëllain tim dhe më vjen keq që po e fus në lojë politike. Vëllai im është, që mund të verifikohet me një klik, ekspert kulmor i gjenetikës”

“Aq i mirë saqë kryetari serb t’ia fal klinikën” – ndërhynë gazetarja Elizabeta Gojan.

“Aq i mirë që ai t’ia fal klinikën. Ata janë tre mjek që po hapin një klinikë të jashtëzakonshme, të paparë në këto treva. Ata përndryshe punojnë edhe në Kroaci, në Maltë, Spanjë, operojnë në Stamboll, ushtrohen në Japoni” – vazhdon Abazoviq.

Këtyre fakteve duhet shtuar edhe deklaratat skandaloze të Dritan Abazoviqit se

“Skënderbeu kishte prindër serb” (!);

“Nuk ka ndodhur gjenocidi mbi boshnjak në Srebrenicë por mbi njerëz”;

“Jam i nderuar dhe i kënaqur që më keni ftuar dhe, që vizitën time të parë zyrtare në regjion po e bëj në Serbi” (të jesh shqiptar dhe të jesh i nderuar dhe i kënaqur për vizitën në Serbi, ku kryetari i saj është ish ministër i Millosheviqit nuk do koment, pavarësisht që atje nuk ka shkuar sikur shqiptar por sikur kryeministër i MZ);

Nga ana tjetër ta shkelësh marrëveshjen me Gjukanoviqin duke pranuar Marrëveshjen themelore me kishën ortodokse serbe, ta shkelësh edhe marrëveshjen e dytë me Gjukanoviqin, duke shprehur përkrahjen për Ballkanin e hapur dhe duke venë kështu në pikëpyetje vazhdimin e qeverisjes, duhet të kesh arsye, mjaftueshëm të fortë.

Apo Gjukanoviqi, si “mjeshtër” që është, ia ka lënë në duar “punët e pista” Abazoviqit (me marrëveshje ose pa të), kundër të cilave është një pjesë e madhe e opinionit malazez. Kështu do i lante duart e veta dhe sipas nevojës do i akuzonte, jo vetëm Abazoviqin, por edhe shqiptarët në përgjithësi.

Nëse kjo qeveri mbijeton, atëherë ky dyshim mund të jetë i arsyeshëm. Të gjithë do mbeten të kënaqur.

Gjukanoviqi para opinionit të vet sa ai mbeti konsekuent qëndrimeve të tij të mëparshme, kisha serbe për shkak të arritjes së qëllimeve të veta, Vuçiqi për shkak të Ballkanit të hapur,

Dritan Abazoviqi për shkak të mbetjes në pushtet dhe përfitimeve eventuale familjare.

Të humbur mund të janë shqiptarët në MZ sepse do e kthejnë opinionin malazez kundër vetës, sepse i “tradhtuan”?!     


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 gusht 2022

 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë Doganën e Kosovës. (Drejtoria e Doganës, ora 8:30)

- Kuvendi nëpërmjet Grupit të Deputetëve të Rinj shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. (Salla plenare, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon takimet B2B në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mërgimtarëve. (Restaurant Ura e Shenjtë, ora 10:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ((YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 12:00)

- Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, mban konferencë për medie në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. (Zyrat e Tomë Gashit, mbi Kino ABC, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë kompaninë “Rroni Fer” Sh.P.K. (Magjistralja Gjakovë-Prizren_kilometri i dytë, Objekti i ish-ndërmarrjes “Metaliku”, Gjakovë, ora 14:30)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime organizon Festivalin e Rinisë për nder të Ditës së Rinisë. (Lagjja Taukbashqe, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i parë i festivalit “MAL FEST”, i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. Festivali organizohet nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me  organizatën “Values for Better Future”.(parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet panel diskutimi me deputetët e rinjë të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin dhe rëndesin e të rinjëve në politikë. (Akademia për Siguri Publike të Kosovës, ora 19:30)