06 Dhjetor 2022

Ata na çliruan

Shkruar nga Ali Mehmeti

Teoria sipas së cilës ne nuk kemi të drejtë t’i kundërshtojmë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, çfarëdo që nënkuptojmë me këtë term dhe çfarëdo çofshin ato kërkesa, mbështetur në paradigmën se “ata na çliruan”, thënë më së buti, është naive.
 
Gjatë luftës së dytë botërore, gjysmën e Evropës e çliroi Armata e Kuqe e Bashkimit Sovjetik, kurse gjysmën tjetër armata anglosaksone në krye me armatën e ShBA dhe Britanisë së Madhe.

Gjersa në gjysmën lindore ky çlirim rezultoi me imponim edhe të sistemit shoqëroro-politik (komunist), në gjysmën perëndimore kjo iu la popujve respektive në dorë me ç’rast vazhdoi diktatura e gjeneralit Franko në Spanjë ku nuk pati zgjedhje të lira gjer në vitin 1977, sistemi mbretëror në Britani, Suedi ... dhe sistemet parlamentare apo presidenciale nëpër shtetet tjera të Evropës.

Pra, “ata që na çliruan” janë ata që kanë sisteme demokratike dhe thirren ne vullnetin e popullit. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë dhe asgjë më pak.

Por, para se ta kërkojmë respektimin e këtij vullneti nga bashkësia ndërkombëtare, do ishte mirë që këtë vullnet ta respektojnë krijuesit e opinionit publik në hapësirat e mediumeve të ndryshme shqiptare.

Sulmi që sot i bëhet Albin Kurtit, ende pa e marrë qeverisjen, nga të njëjtit të cilët para së gjithash këmbëngulin mbi nevojën e negociatave me Serbinë, jo pse vet mendojnë ashtu, por sepse kjo është kërkesë e ndërkombëtarëve, nuk ka justifikim, përveçse nëse aty nuk shohin një vrimë të zezë për shpenzimin e energjisë qeverisëse që do ta zvogëlonte mundësinë për zbatimin konsekuent të ligjit, moszbatimi i të cilit është kanceri i shoqërisë.

Aq më parë kur dihet se negociatat e gjertanishme kanë rezultuar me degradime të ndryshme brenda Kosovës dhe kur e njëjta gjë pritet edhe në të ardhmen, nëse njëherë e mirë nuk bëhet bilanci i negociatave të gjertanishme dhe nuk përcaktohen parimet mbi të cilat do të vazhdojnë ato.

Mjaftë kemi paguar për pavarësinë tonë, kurse për pranimin e kësaj pavarësie nga Serbia nuk duhet dhe nuk kemi pse të paguajmë më asgjë. Sigurisht që ka edhe të tillë që nuk kanë paguar asgjë, prandaj të vetmin argument që nuk e heqin nga goja është se “ata na çliruan”.

Edhe nëse na “çliruan ata”, nuk është e mundur se edhe ata nuk e patën ndonjë interes, sepse në politikë dhe raporte ndërkombëtare asgjë nuk ndodh nga dashuria hyjnore.          
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 dhjetor 2022

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Agjencia e Statistikave të Kosovës mban nesër takim konsultativ me Kryetar dhe përfaqësues të Komunave në Kosovë. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 9:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizojnë tryezën e rrumbullakët për reformën në Administratën Publike. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjin për Anti Dopingun. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë në Komisionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut ku do të diskutohet organizimi i kongresit botëror për personat me aftësi të kufizuara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjin për zhvillimin rajonal të balancuar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)   

- Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim mban konferencën për media në lansimin e fushatës “E Drejta për Ajër të Pastër - vrasësi i padukshëm NO2 -”. (Restorant “Rings” tek Sheshi ‘Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale organizon tryezën e rrumbullakët lidhur me punën, të arriturat dhe sfidat e Qendrave për Punë Sociale’’. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës inauguron veprën e artit në hapësira publike “Never Say Never” të artistit të mirënjohur bashkëkohor Alban Muja, e që po realizohet me mbështetje të Komunës së Prishtinës dhe MB Office. (Parku “Adem Demaçi”, ora 12:00)

- Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me dialogun dhe planin franko-gjerman. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

 - Organizata jofitimprurëse Code organizon takimin lançues “Ora e Kodit” e cila është hyrje 1 orëshe në shkenca kompjuterike e krijuar për të shpjeguar “kodimin”. (Shkolla “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, mbi publikimin e Raporteve: ‘‘Transparenca e Qeverisë’’ dhe ‘‘Transparenca në Ndërmarrjet Publike’’. (Hotel Sirius, ora 13:00)
 
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim shqyrton Projektligjin për Vlerësimin e ndikimit në mjedis, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)