19 Mars 2024

Artisti që u bë bishë

Shkruar Besnik Gjongecaj

Jo pak herë e kam dëgjuar kryeministrin e vendit t’i drejtohet publikisht “artist” ish kryetarit të PD, atij që sot demokratët e quajnë Brava.

O artist, i thotë kryeministri dhe jo në një kohë dosido, por të paktën atëhere kur gjërat komplikohen dhe Brava ngre tonin, shtrëngohet sa skuqet, ekzaktësisht si bëjnë kalamajtë në pelena.

Për shkak të eksperiencës së gjatë, megjithatë, Brava nuk hutohet ashtu si do të bënte gjithkush në politikë pasi të dëgjonte që kryeministri i vendit e karakterizon me fjalën që më pak se çdo fjalë tjetër i shkon një politikani.

Përkundrazi, Brava ngre kokën lart, perëndon sytë për të marrë pozën e mesisë që shikon përtej të vdekshmëve dhe bëhet gati për t’u fotografuar si udhëheqës.

O artist, i thotë përsëri kryeministri i vendit dhe jo në një vend çfarëdo, por në parlament, ose në vendin më publik të shtetit.

Atje ku nuk mbetet njeri pa parë dhe pa dëgjuar se si kryeministri i vendit te fjala “artist” vendos gërma “bolt”, e nënvizon atë me një buzëqeshje të pjerrët, të prodhuar nga kushedi se çfarë ndjesish që vlojnë brenda tij.

Brava bën sikur nuk e dëgjon kryeministrin, sikur nuk kupton çfarë thotë ai nëpër dhëmbë dhe vazhdon të ndërtojë me zë të lartë fjali që si këmbana “bërtasin” për shkak të boshllëkut që i lind.

Ç’është kjo fjalë, apo më mirë, ç’magji ka fjala “artist” që arrin të lidhë kryeministrin e vendit me ish kryetarin e opozitës, pra me atë që sot demokratët e quajnë Brava?!

Instinkti më thotë që te fjala “artist”, të cilën në mënyrën më të çuditshme në botë një kryeministër e përdor për të karakterizuar kundërshtarin e tij më të madh në politikë, mund të zbulohet ekzaktësisht ajo që Brava e ka fshehur me kujdes nga publiku dhe veçanërsisht nga demokratët.

Pa nëntekst, shqeto, artist është personi që krijon art dhe këtë e kuptojmë të gjithë, sigurisht.

Brava nuk prodhon art, prandaj ky karakterizim rreth tij bëhet nul, nuk konsiderohet, që në fillim. Analiza logjike mund të vazhdohet më tej duke shqyrtuar karakterizimin “artist” sipas një konteksti të mundshëm.

“Ai është njeri artist”- thonë shpesh njerëzit për dikë që është i shkëlqyer, që zotëron bukuri shpirtërore, ashtu si edhe vetë arti, i cili nuk mund të ekzistojë si i tillë veçse përmes kategorisë të së bukurës.

Ky karakterizim, sipas këtij nënteksti, është i vërtetë, por i pamundur të përdoret nga një kryetar pozite për të përshkruar kryetarin e opozitës, kundërshtarin më të madh të tij. Aq më i pamundur bëhet kur mendon që kryetar opozite ka qenë një tip si Brava.

Pra, edhe ky variant bie, sepse mundësia që të përdoret në rastin konkret është zero. Atëhere mbetet edhe një variant tjetër, i fundit në arsyetim, për të kuptuar përmbajtjen e karakterizimit “artist”, çka në fakt përputhet mrekullisht edhe me natyrën e njeriut që e ka prodhuar atë, kryeministrin e vendit.

Të paktën, dhe kjo është e sigurtë, në zhargonin e rrugës, por edhe të çdo djali të rritur rrugëve të Tiranës, pra edhe të kryeministrit të vendit, karakterizimi “artist” serviret i mbushur plot me helm, sarkazëm, injorim, poshtërim, zgjyrë.

Ai, prandaj, në fund të fundit mbetet të jetë një karakterizim për njerëzit me personalitet të shumëfishtë, që, pikërisht për këtë arsye, ndodhen edhe në prag të sëmundjeve të rënda psiqike, në mos janë duke i vuajtur ato.

Po pse konsiderohet i tillë ky karakterizim, mund të pyesë gjithkush, megjithatë?! Ej çfarë artisti është ky – thonë njerëzit në zhargonin e rrugës kur kanë të bëjnë me një njeri që nuk e mban kurrë fjalën, përkundrazi, e ha atë sa herë që i krijohet mundësia; për një spiun, për një imoral, për një njeri pa pikë karakteri, për një nëntëdhjetëenënç në fund të fundit.

Një mik i vjetër i imi, ndjesë pastë, që kishte ndodhur të ishte edhe një njohës i mrekullueshëm i karaktereve njerëzorë, herë pas here, për tipa të tillë thoshte: Ej çfarë artisti është ky; s’ta mban kurrë me një vend!

Dhe tani vijmë në pjesën më befasuese, por edhe më të dhimbshme të këtij shkrimi. Është jasht çdo dyshimi që, duke iu referuar edhe asaj që po ndodh sot në mesin e PD, karakterizmi “artist” i bërë nga kryeministri i vendit rezulton të jetë karakterizimi më realist, madje edhe pse është bërë kohë përpara se kryetari i PD të shndërrohej në Brava, madje edhe pse është bërë në një kohë shumë më të hershme se ky tip të shfaqej tjetër njeri para demokratëve dhe publikut.

Mbetet që, logjikisht, të mendohet se kryeministri i vendit e ka bërë këtë parashikim sepse është një njeri me kapacitet të jashtzakonshëm vlersimi psikologjik, gjë që përjashtohet menjëherë duke njohur formimin e tij.

Me siguri mathematike e vërteta është ndryshe. Dhe ja pse. Qartësisht, kryetari i PD para se të quhej Brava ka shfaqur të paktën dy personalitete në marrëdhënie me të tjerët.

Ka qenë hermetik, lejfenist, i drunjtë, para demokratëve dhe, nga ana tjetër, është shfaqur “lakuriq”, ka hapur barkun, para kryeministrit të vendit.

Me demokratët dhe publikun ka qenë njeriu i zbritur nga Hollanda dhe i edukuar në shkolla të mira, që bën dush çdo ditë dhe po çdo ditë ngjyen dhe kreh flokët me të njëjtin kujdes që i përkushtohet demokracisë dhe parimeve të saj.

Në paraqitjet para kryeministrit të vendit, qartësisht, ai e ka “shtypur” fort personalitetin e parë dhe nga thellësia e psiqikës së sëmurë ai ka çliruar personalitetin e tij të dytë, në fakt atë të natyrshmin, të dominuar nga etja për pushtet, për para, në kurriz të fatit të demokratëve dhe shqiptarëve.

Pa njohjen e të cilit askush, asnjë demokrat, asnjë qytetar i këtij vendi, nuk mund të spjegojë as futjen në çadër dhe as largimin e befasishëm prej saj; askush nuk mund të spjegojë pjesmarrjen e “artistit” në qeverisje sëbashku me kryeministrin e vendit!

Pa njohjen e personalitetit të dytë të “artistit” askush nuk mund të spjegojë dhjetra fakte të lënies së demokratëve vetëm dhe pabesisht në fushën e aksionit kundër qeverisë.

Dhe në fund, pa njohur personalitetin e tij të dytë, askush nuk mund të spjegojë pse kryeministri i vendit e karakterizon “artist”, madje kohë përpara se ai të bëhej Brava.

Ekzaktësisht atëhere kur demokratët, dhimbshëm, i shkonin atij nga mbrapa, kokëulur. Në ditët me qiell të ulët dhe horizont të fshirë. Në ditët mynxyrë!

Megjithatë, në 8 janar të vitit 2022, psiqika e njeriut që demokratët e quajnë z. Brava nuk reflektoi asnjë nga personalitetet e përmendura.

Në 8 janar të vitit 2022 z. Brava u shndërrua në bishë. Psikoanalistët e kanë një spjegim për këtë.

Në gjendjen e psiqikës me personalitet të dyfishtë dhe në kushtet e një presioni shoqëror të lartë, ndodh që, megjithëse të largët me njëri tjetrin, personalitetet mund të takohen, të përplasen dhe në këtë rast ndodh një shpërthim psiqik, i cili në raport me njeriun që e përjeton ka madhësinë e një tsunami.

Këtë rast psikologët e karakterizojnë si “borderline personality disorder”, ose “çrregullim i personalitetit kufitar”. Pas këtij shpërthimi njeriu i kthehet atij që në të vërtetë është.

Ja pse, në 8 janar të vitit 2022, te demokratët Brava pa armiqtë e tij, realisht, dhe te kryeministri i vendit pa shpëtimtarin e tij.

Ashtu si në fakt kishte ndodhur gjithmonë, por jo në sytë e demokratëve, jo në sytë e publikut, por fshehtas.

Në 8 janar të vitit 2022 policia e thirrur prej Brava sulmoi papritur grumbullimin e demokratëve që qetësisht brohorisnin jasht hekurave të selisë së PD.

 Akoma e kam ndjesinë e helmit në grykë dhe atë të mbytjes që të krijohet nga mungesa e oksigjenit.

Çka nuk na i bëri as Ramiz Alia kur rrëzohej busti i Enver Hoxhës. Ishte Brava, ose njeriu i shndërruar në bishë, që tentoi të vriste pa mëshirë demokratët, qytetarët e këtij vendi.

Ja pse demokratët do të duhet të përcaktojnë mirë kush është ai që duhet të përgjigjet për 8 janarin, 2022.

Nuk ishte kryeministri i vendit ai që kërkoi të vrasë dhe gjymtojë demokratët në këtë ditë tragjikisht të pabesë, por bisha!

Kryeministri i vendit vetëm sa e ndihmoi në misionin e tij njeriun me dy personalitete, të cilin, ata, demokratët, e morën, e ushqyen e rritën që ai t’i kafshonte një ditë. Ja pse unë i kam hesapet me këtë bishë dhe këtë i kërkoj çdo demokrati dhe çdo shqiptari që e lexon këtë shkrim.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)