29 Mars 2024

Arti i sakrificës, dhembjes, dashurisë dhe identitetit

Përkitazi rreth librit me poezi “Kujtoj Mollën e Kuqe” të autorit Ahmet Pllana

Shkruar nga Prof. Mr. Milaim Berisha

Poeti Ahmet Pllana është njëri ndër krijuesit e spikatur të brezit të tij në kuadër të letërsisë shqipe që krijohet në Kosovë dhe më gjerë.

Pllana si shkrimtar, intelektual i ndritur dhe si forcë e ndërdijes është i pajisur me ideale të larta.

Autori librin me poezi me titull “Kujtoj Mollën e Kuqe” e ka shkruar me një përkujdesje të veçantë nga frymëzimi i tij krijues. Libri ka 66 poezi dhe 73 faqe, ndërsa e ka sistemuar në 5 cikle: Kujtoj mollën e kuqe, Meditim kohe, Vargje që ndezin zemra, Dashuri e ringjallur dhe Ikja e mërgimit.  

Vizionet e tij nuk ishin e as nuk janë vizione të protagonistit të tëhuajsuar shpirtërisht, por përkundrazi vizione të protagonistit të zgjuar shpirtërisht. Ëndrra e realitetit nuk ishte ëndërr e robit, por i atdhetarit dhe shkrimtarit të mirëfilltë, guximtarit dhe sakrificës së poetit, largpamësit dhe veprimtarit të shquar.                             

Ai me fjalën magjike dhe me opusin e tij krijues poetik është krenaria dhe kujtesa e jonë kombëtare dhe universale.

Poeti Pllana mbi të gjitha është meditant i pagjumë, forcë e ndërdijes dhe ndërgjegjes e kohës sonë dhe kohëve në vijim.

Ai është i vetëdijshëm se esenca e artistit është kuptimi i jetës, si përpjekje e përhershme për të qenë, për të krijuar dhe për të ekzistuar i lirë dhe kudo. Së këndejmi vepra e tij artistike është fryt individual, ndërsa liria është akt kolektiv.

 Vetë arti, krijimtaria origjinale, është detyrë e kategorisë së rëndë, detyrë kjo që kërkon punë dhe sakrificë apo si do të thoshte poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci: “Mund pafund për art magjie.”

Krijuesi Pllana në raport me krijimtarinë në një mënyrë është rob, por njëkohësisht edhe zot i veprës. Këtë e ka dësmuar vepra dhe koha. Në veprën e Ahmet Pllanës arti nuk është prehje, por është vuajtje, është dramë, andaj si e tillë nxit, dridh, prek, shqetëson.

Temat dhe idetë, preokupimet shpirtërore dhe imazhet në vepër janë materializuar përmes një strukture të veçantë dhe me një gjuhë adekuate liriko-meditative.

Ai ka pasur rastin të kalojë nëpër labirinthet dhe unazat jetësore, andaj ai është venerues i mirë i pasqyrimit të jetës shpirtërore.

Me botimin e këtij libri, autori është liruar nga akumulimi i fakteve të mbledhura nga jeta e rëndë e bashkëkombasëve të tij në Kosovë dhe atyre në mërgim në fund të këtij shekulli. Libri i tij është antitezë i së keqes dhe metaforë e dashurisë.

Në sistemin figurativ të vargjeve të tij hasim edhe metafora të zgjedhura, sikurse epiteti, ritmi, krahasimi, simboli, personifikimi ironik, satira, etj. Forma dhe përmbajtja e librit të tij korrespondon në harmoni të plotë.

Në të vërtetë esenca e poezisë Pllanës është forma, sepse forma është domethënia e vet artit, pra artit autokton. Këtu arti është strukturë e përsosur.

Mund të konstatojmë se kjo vepër dallohet për të mirë, sidomos për fuqinë shprehëse të saj, gjuhën poetike dhe stilin e përsosur.

“Arti lufton për ta bërë më të bukur, më të jetueshme jetën”, konkludon Ismail Kadare. Prandaj, edhe libri me poezi “Kujtoj Mollën e Kuqe” i poetit Ahmet Pllana, ka një art të mirëfilltë, ka stil të veçantë të shprehjes dhe ka mesazh.

Poeti pos që shkruan poezi për vendin e të parëve të tij, Toplicën, apo si e quan poeti në mënyrë simbolike Mollën e Kuqe, ka shkruar edhe poezi kushtuar figurave të njohura kombëtare, sikurse për Adem Jasharin, Shën Nënën Terezë, Anton Çettën, Adem Demaqin, Fan S. Nolin, Flora Brovinën, për dëshmorët e kombit, çlirimtarët, mërgimtarët, etj.

P.S.Ky shkrim i Milaim Berishës botohet pas vdekjes së tij, meqë e ka lënë në dorëshkrim.
   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)