28 Mars 2024

Arben Vitia ilaç jo vetëm kundër pandemisë, por edhe kundër mosbesimit ndaj institucioneve

 Shkruar nga Albin Kurti

Të dy jemi në Kosovë, por sot nuk do të takohemi. Për ato 120 ditë vjet, dhe për këto 193 sivjet, e kisha bashkëpunëtor të ngushtë e të përditshëm në qeverisje.

 Dr. Arben Vitia, ishte njeriu ynë kundër virusit. Këtij virusit COVID-19 që solli pandeminë dhe atij virusit më të lashtë të mosbesimit në institucione.    

Arben Vitinë e njoh që prej fillimeve të VETËVENDOSJE!-s. Mjek, që ka përvetësuar nga ky profesion virtytet më të larta, thjeshtësinë dhe përgjegjësinë. Shok, që ka dhënë për Lëvizjen kontributet më të çmuara, punën dhe mirësinë.  

Si rrallë ndonjëherë ne kemi patur mes nesh një njeri të tillë. Andaj, si subjekt politik, ne e kemi vlerësuar duke e zgjedhur për disa vite anëtar të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm. Për të njëjtat vlera e kemi propozuar dhe caktuar për funksione të rëndësishme publike.

Arben Vitia u shqua me rezultate si drejtor i shëndetësisë në Komunën e Prishtinës. Nisur prej arritjeve të tij, Arbeni ishte ministri ynë i shëndetësisë në dy qeverisjet e Lëvizjes.

Dhe ishte një fat. Kur shoqëria jonë dhe gjithë njerëzimi u gjend përballë krizës së pandemisë, njeriu më i gjetur për ta menaxhuar përballjen e krizës ishte Arben Vitia.

Asnjëherë ky njeri i yni nuk jep informacion, nuk bën vlerësim dhe nuk merr vendim pa qenë i bindur në saktësinë e të dhënave dhe shterimin maksimal të burimeve.

Rrallë kam ndeshur një person me atë bindje aq të thellë për përgjegjësinë publike të posteve qeveritare. Ndjenja e tij e lartë e përgjegjësisë e ktheu në bartësin e shpresës përballë krizës shëndetësore.

Aftësia e tij për të ndjekur statistikat dhe raportet e përbotshme mbi përhapjen e forcën e virusit, na dëshmuan se kishim fatin që në postin më vendimtar e në kohën e duhur të kishim njeriun e duhur.

Arritjet e ministrit Vitia përgjatë dy mandateve të Qeverisë, janë po aq befasuese sa janë edhe të pamohueshme.

As një muaj nuk kishte kaluar nga marrja e detyrës në shkurtin e vitit 2020, kur ministri Vitia është dashur të udhëheqë luftën kundër një armiku të rrezikshëm dhe të panjohur: COVID-19.

Prej atëherë deri më sot, ministri Vitia ka arritur të menaxhojë dhe të vërë nën kontroll tri variantet kryesore të virusit Corona.

Gjatë luftimit kundër variantit fillestar të virusit, Republika e Kosovës, nën udhëheqjen e ministrit Vitia, është lavdëruar nëpër mediet botërore si shembull për t’u ndjekur nga vende të tjera për sa i përket menaxhimit të pandemisë.

Me të marrë detyrën për herë të dytë në mars të vitit 2021, ministri Vitia sërish ka dëshmuar aftësinë e tij menaxhuese, duke marrë masat e domosdoshme për të kaluar valën e trashëguar nga qeveria paraprake, kësaj here me një variant edhe më të rrezikshëm, varianti Alfa.

Falë lidershipit të ministrit Vitia, qytetarët e Republikës së Kosovës përjetuan muajt e saj më të qetë prej fillimit të pandemisë.

Dhe më së fundi, përballë variantit Delta, i cili ka sfiduar të gjithë botën me mënyrën e shpejtë dhe të pamëshirshme të përhapjes së tij, masat e hartuara nga ministri Vitia, në bazë të shkencës më të fundit në fushën e epidemiologjisë, kanë arritur të vënë nën kontroll valën e këtij varianti më shpejt sesa gati çdo vend i botës që është përballur me këtë variant.

 Për pasojë, Kosova sot qëndron ndër vendet me më së paku raste të reja ditore në të gjithë kontinentin e Evropës, lëre më në rajon.

Në veçanti duhet përmendur arritjen ndoshta më mbresëlënëse të ministrit Vitia: duke ardhur në Qeveri me zero vaksina të porositura nga qeveria paraprake, ministri Vitia arriti jo vetëm t’i sigurojë vaksinat, por edhe t’i administrojë me shpejtësi rekorde, duke çuar Kosovën në vendin e dytë në rajon për sa i përket vaksinimit të qytetarëve që janë mbi 12 vjeç.

Pra, Dr. Vitia përmbushi dy ndërmarrje kapitale për nga rëndësia: kontraktimi në numër të madh i vaksinës, domosdoshmërisht me cilësinë më të sigurtë, si dhe organizimi sa më i shpejtë dhe i sigurtë i procesit kombëtar të vaksinimit.

Rezultatet e procesit të vaksinimit njihen nga të gjithë. Kosova po garanton mbrojtjen masive të qytetarëve të vet.

Arben Vitia, së bashku me stafin ministror dhe me trupën e manteleve të bardhë, me konsultimin e përditshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dëshmuan se qeverisja është më së pari aftësia e koordinimit të specialistëve, administratorëve dhe qytetarëve, koordinim i talenteve, përgjegjësive dhe besimit.

Besoj me forcë se ne do të kemi rastin gjithnjë e më shpesh t’u ofrojmë qytetarëve ministra që e ringjallin besimin tek institucionet e Republikës.

 Rreziku i shëndetit publik, trupor e mendor, nuk është vetëm pandemia me variantet e saj, por mosbesimi i qytetarëve tek institucionet. Prandaj, Arben Vitia ishte ilaçi i duhur, jo vetëm kundër pandemisë së paparë, por edhe kundër sëmundjes së rëndë, mosbesimit ndaj institucioneve të qeverisjes.

Të falënderoj nga zemra Beni, për ndryshimet që ke sjellur me punën, angazhimin dhe kontributin tënd, për sukseset dhe të arriturat që sot i gëzojnë të gjithë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)