20 Maj 2022

Albin e Vjosë: Mirë ndaj Serbisë, por tmerrësisht keq ndaj SHBA-ve për gazin

Shkruar nga Ekrem Krasniqi

Kryeministër dhe Kryetare e Republikës së Kosovës, personalisht unë ua heq kapelën që të dielën e thyet trendin e vjetër të politikanëve dhe pushteteve të mëparshme të Kosovës ndaj kutive të votimit të Serbisë.

Shpresoj shumë se të do t’i mbeteni besnik këtij qëndrimi dinjitoz edhe ndaj zgjedhjeve të dyfishta të Serbisë me 3 Prill, përkundër presionit të jashtëzakonshëm që e keni mbi supet tuaja nga shtetet e BE-së dhe SHBA-të. Mos lëshoni pe ju lutem.  

POR, sa jeni duke bërë mirë shumë ndaj Serbisë në këtë rast, mijëra herë më shumë dhe jashtëzakonisht keq jeni duke bërë ndaj qeverisë së Kryetarit Joe Biden, dhe po aq edhe ndaj vet Kosovës, për gazin amerikan të cilin jeni duke e refuzuar, përkatësisht zvarritur përgjigjen definitive në mënyrë të paskrupullt.  

Me vendimin guximtar për ngjarjet e 16 Janarit ndaj referendumit të Serbisë, mua më duket se jeni duke ia kthyer gradualisht dinjitetin shumicës së qytetarëve të Kosovës, e bashkë me ta edhe Republikës së Kosovës të poshtëruar vite me radhë nga politikanët servilë tej maje, që nënshkruan dhe lejuan për Serbinë, çfarëdo që iu është kërkuar nga BE dhe SHBA-të.  

POR, kujdes shumë ju lutem me qasjen tejet negative që jeni duke e bërë deri me tash me të ardhmen e raporteve të bisnesit me SHBA-të.  

A nuk jeni duke dashur që ta kuptoni, apo jeni naiv dhe amatorë tejet mase për ta kuptuar se gazi LNG amerikan dhe eksporti i tij nëpër vendet e BE-së dhe rajon të Ballkanit është tash e disa vite « arma » kryesore në politikën e jashtme ekonomike për SHBA-të përballë Rusisë, këtë unë nuk mund ta di, sepse nuk kam mundësi të hyj e të shpurdhë brenda trurit të të dy juve.  

Por, a e keni pyetur ju të dy ndonjëherë veten: Pse SHBA-të u dashkan që përjetësisht t’i qëndrojnë Kosovës në ndihmë sa herë që ajo ka probleme politike dhe sigurie me Serbinë ?   

Cili qenka ai farë « detyrimi » që paska SHBA ndaj Kosovës dhe shqiptarëve sipas jush ?   

Unë them shkurt dhe shqip : fare asnjë detyrim nuk e kanë SHBA-të që të na përkëdhel neve si fëmijën në djep, kur shteti-Kosovë-fëmijë është në vajë.  

Kosova mund të rritet e shëndoshë dhe e fortë vetëm duke ndërtuar raporte të forta biznesi me SHBA dhe po aq edhe me vendet e fuqishme ekonomike të Evropës, sidomos me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.  

Ngutuni dhe nënshkruajini marrëveshjen me qeverinë e Bidenit për gazifikim dhe import të gazit LNG, jo vetëm për 250 Mwh rrymë elektrike, por më shumë.

Unë madje ju sugjeroj që të tejkaloni ofertën e MCC-së dhe qeverisë së Bidenit e të bleni dy herë më shumë, pra edhe për 250Mwh të tjerë përmes Shqipërisë, pos përmes Greqisë (me kushtin që Greqia ta njeh pavarësinë e Kosovës).  

Jam i sigurt se paratë për këtë investim madhor gjenden E keni ndalur ndërtimin e autostradës nëpër Dukagjin (Istog-Gjakovë) dhe keni ruajtur/kursyer afro 700 milion Euro.

Merreni, përdoreni këtë kursim parash dhe kërkoni edhe nga DFC Amerikane, EIB e BE-së në Luxemburg, EBRD në Londër, kredi të buta për të prodhuar me gaz amerikan 500Mwh rrymë elektrike, me erë e me diell.

Liderët e mëdha ndërmarrin vendime të mëdha. Arsyetojeni bindjen e elektoratit tuaj se jeni të tillë, pikërisht në këtë sektor sidomos, për investime prodhimi në ekonomi, e në këtë rast në sektorin e energjisë.

Gradualisht dhe paralelisht, deri në ndaljen e prodhimit të rrymës me thëngjill, investoni bashkë, si qeveri (përmes ndërmarrjes së re publike që mund të krijohet apo edhe si KEK) me sektorin privat vendor dhe të huaj edhe në rrymë elektrike me erë dhe diell, edhe më shpejt seç po synoni.  

Kur të vjen koha për ndalur përdorimin e gazit, e për këtë do të kalojnë edhe më shumë se dy dekada, të paktën, nëpër të njëjtat tubacione do të duhej importuar hidrogjenin Amerikan, apo më shumë amerikan sesa evropian.  

Me fjalë të tjera, renditja e masave që duhet ndërmarrë ju që jeni tash në pushtet në sektorin e dërmuar energjetik në Kosovë është e madhe, por thelbi i këtij shkrimi është se ju duhet që t’ia SHBA-ve një arsye bisnesi për ta ndihmuar Kosovën e dobët shumë ekonomikisht.

Prandaj, tash e pa vonesë, ia jepni  urgjentisht një arsye biznesi qeverisë së Bidenit që të reflektojë urgjentisht që të ndryshojë qëndrimin ndaj asociacionit për serbët, e t’i ndihmojë Kosovën përballë kërkesave të Serbisë dhe të BE-së për bosnjizim.  

Albin dhe Vjosë, nëse këtë nuk e bëni urgjentisht, unë personalisht nuk po shoh asnjë arsye tjetër pse u dashkan SHBA-të që të prishen pakëz me BE-në për asociaconin e rrezikshëm e ta ndihmojnë Kosovën që të mos shndërrohet pas disa viteve në një Bosnjë të dytë të paralizuar dhe jofunksionale.  

Ky është ndryshimi madhor që mund të bëni në raport me SHBA-të. Blejeni gazin amerikan dhe filloni pa asnjë vonesë gazifikimin.   

Mos humbni më kohë me arsyetime banale dhe qesharake dhe amatore. Mjaft më.  

(Autori është themelues i agjencisé së lajmeve dtt-net.com)

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 maj 2022

- Për herë të parë në Kosovë organizohet Dita Internacionale të Burimeve Njerëzore. (Amfiteatri i Fakultetit Ekonomik,  ora 9:30)

 - Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton rreth performances së përgjithshme të Kosovës në fushën e energjisë elektrike ne raport me kërkesat e Komunitetit të Energjisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj marrin pjesë në ceremonisë së betimit  të ushtarëve të rijnë  FSK-së. (Kazerma e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadoren e Greqisë, Heleni Vakali. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Komisionin e Venecias për Vetting. (Kabineti i kryetarit, ora 11:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimeve)

- Në shënim të përvjetorit të masakrës së Dubravës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me studente nga Universiteti i Prishtinës, zhvillon një vizitë në Dubravë. (Dubravë, ora 11:30)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës organizon protestë. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 13:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane organizohet piknik me poezi. (Pakru i qytetit të Prishtinës, ora 15:00)

- Në vazhdën e aktivitete për promovimin e lëvizjes së lirë nëpër Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me “Qendra Marrëdhënie” në Tiranë, organizojnë aktivitetin “Festë n ‘ Rrugë” për të përjetuar së bashku lirimin e rrugëve afër shkollave për të mirën e fëmijëve tanë dhe gjithë komunitetit përreth. (Rruga “Zejnel Salihu”, përball Shkollës Fillore “Elena Gjika”, ora 17:00)

- Mbahet koncerti përmbylles i Ditëve të Gjuhës Gjermane. (Amfiteatri i Biblotekës Universitare, ora 19:00)