27 Nëntor 2022

36 vjetori i vrasjes së Metush Krasniqit

Shkruar nga Prof.Dr. Sadri  Rexhepi.

Gjithë  shekulli i XX-të për shqiptarët ishte i mbushur përplot me trazira politike e luftarake.

Lufta e popullit shqiptar po bëhej si gjithmonë me shprehjen hamletiane ,,të jesh o të mos jesh’’!    

Në këtë luftë të gjatë e të përgjakshme për liri, shqiptarët asnjëherë nuk u ndanë në përpjekjet  e  tyre për çlirim kombëtar e pëfundimtar nga pushtuesit e huaj.

Kështu në vargun e përpjekjeve për çlirim kombëtar veç të tjerëve në Anamoravën  heroike u dallua edhe Metush Krasniqi, i cili shquhej si njëri ndër figurat më të shquara heroike dhe kombëtare, jo vetëm në Anamoravën  heroike, por edhe në mbarë Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Qysh kur ishte i ri në moshën e adoleshencës dallohej për traditat e tij familjare, sepse nga i ati dhe familja e tij kishte trashëguar kodin e mirësjelljes, besës dhe dëshirën e madhe për të luftuar kundër cilit do pushtues drejt çlirimit përfundimtar të popullit  shqiptar nga okupimi serbojugosllav.

Metush Krasniqi u lind në Dajkovc  të Kamenicës  në vitin1928. Fillim i Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimi i Jugosllavisë borgjeze në prill të vitit 1941, Metushin  e gjen në klasën e tretë të shkollës fillore.

Brezi kufitar i Anamoravës i njohur historikisht edhe si gjithë Anamorava, ka qenë vatër në të cilën nuk është shuar kurrë zjarri i atëdhedashurisë.  

Anamorava me rrethinë në të gjitha periudhat historike ka dhënë njerëz të pushkës e të penës që punuan dhe luftuan për interesin kombëtar.  

Anamorava për luftë më së miri identifikohet me figurën madhështore të Lëvizjes Kombëtare, heroin e pamposhtur Idriz Seferin.

Ndërkaq, Anamorava pas Luftës së Dytë Botërore identifikohet me shumë figura të rëndësishme historike kombëtare në krye me Mulla Idriz Gjilanin, Ramiz e Raif Cërrnicen, Metush Krasniqin, Sejdi Kryeziun  dhe trimat e tjerë  të Anamoravës, duke përfshirë këtu ata që në vitet e 50’ta në ish Jugosllavi formuan NDSH-n (Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare)  dhe Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqitarëve  (LRBSH), që kishte qëllim kryesor bshkimin e shqiptarëve në një shtet në ish Jugosllavi.

Ata që organizuan demonstratat e vitit 1968 dhe 1981  ku vrahen disa të rinj nga Anamorava, si Zija Semsiu në CZ-e të Beogradit. Pastaj vijnë me radhë Kadri Zeka, Rexhep Mala, Avdi Limani,Halil Alidema e shumë të tjerë.  

Pastaj një grup në krye me Hydajet Hysenin, Bajram Kosumin, Avdi Limanin, Abdullah  Tahirin (i vrarë  me 19 maj 1999) me shokë, përbënin një nga shtyllat kryesore që angazhoheshin për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Qysh në moshë të re djaloshare, Metushi veç vijimit të mësimeve në shkollë, ai u anëtarësua në organizatën e NDSH-së, të themeluar në vitet e 50-ta që udhëhiqej nën drejtimin e Gjon  Serreqit.

Ai qysh herët në moshën 15 vjeçare filloi të punonte me nxënës dhe të përhapte dritën e diturisë me qëllim që të ngriste vetëdijën kombëtare te gjeneratat e reja, tek të cilat e shihte ardhmërinë e Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, gjeneratë pas gjenerate dhe brez pas brezi.

Metush Krasniqi, pos që ishte atdhetar i madh dhe veprimtar kombëtar, dallohej si mësues dhe edukator shumë i mirë në procesin edukativo-arsimor kudo që punoi.

Për shkollimin e brezit të ri ai punoi në fshatrat e ndryshme të Kamenicës, Shkupit,Prishtinës etj.

Metushi i lindur dhe i rritur në frymën patriotike të kësaj krahine të pamposhtur që nga koha e Idriz Seferit e Sylë Zarbicës, në rini të hershme i rastisi të njihet nga babai dhe nga nëna për dhunën e Serbisë ndaj shqiptarëve të pafajshëm dhe liridashës, ngjarjet e kohës së shumë personaliteteve të ndryshme të asaj kohe në Anamoravë dhe ngjarjet e zhvilluara në forma të ndryshme gjenocidiale në mes dy luftërave botërore.

Ndërkaq, ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe ngjarjet pas luftës, i dinte shumë mirë, sepse ishin ende të freskta në memorien dhe vetëdijen e tij, pasi ishin të përcjellura me forma të ndryshme masakruese dhe gjenocidale, siç ishte rasti i Tivarit, siç ishin edhe dhjetëra e dhjetëra raste të vrasjeve të shqiptarëve në forma gjenocidale, sa që për 3-4 vite u vranë rreth 72 mijë shqiptarë në Kosovë.

Vitet e pesëdhjeta ishin vite të rënda për të gjithë shqiptarët e Kosovës, që lënin vrragë të rënda në shpirtin liridashës të Metush Krasniqit, i cili mezi i përballonte.

Megjithatë Metushi arrinte t’i përballonte të gjitha vështirësitë, pasi që gëzonte edhe përkrahjen e babait Asllanit, i cili kishte krijuar një bazë ekonomike, sepse Asllani  merrej me bujqësi dhe tregti dhe vazhdimisht ishte pranë familjes.

Mirëpo, pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, në muajin prill të vitit 1941 lindi një rreze shprese për popullin shqiptar, pasi që dihet se populli ynë në intervalin kohor në mes të dy Luftërave Botërore iu kishte nënshtruar një mase të tmerrshme asimiluese dhe shfarosëse nga ish regjimi pushtues serbosllav.

Ndërsa, pushtuesin gjermano-italian populli ynë e priti krahëhapur apo më mirë të themi e priti si çlirimtar, sepse nazifashistët edhe pse  ishin pushtues i dhanë të gjitha të drejtat politike, ekonomike, arsimore, kulturore  popullit shqiptar dhe i punësuan shqiptarët nëpër komunat e ndryshme të Kosovës.

E çmonte shumë Shaban Shalën për qëndresen e tij heroike para gjelatëve serbo-sllav.

Poashtu kishte përshtypje të mirë për të gjithë këta përsona që u përmenden në këtë punim në veçanti i çmonte Mulla Ramë Govorin, Prof. Dr. Shefki Sejdiun, Zeqir Gërvallen, Abdullah Beselicën, Hazir Shalen, Ismail Dumoshin, Avdi dhe Hashim Monollin, Ismail Ajetin-Bushin, Shaban Seferin,Shaqir Berishën, Ajet Rexhepin, Jahir e Zeqir Islamin,  etj.

Zaten besimi që kishte fituar në regjionin e Llapit dhe për tju ikur syrit të agjentëve në regjionin e Anamoravës bëri që ai të jet i lidhur me regjionin e Llapit deri në frymën e fundit.

As pesë burgosjet, as dhuna e tmerrshme shtazarake që është ushtruar mbi trupin e tij granit, nuk arritën asnjëherë ta thyejnë e as ta  zbehin dashurinë në rrugën e lirisë e të pavarësisë së Kosovës deri në frymen e fundit të jetës së tij.

Së këndejmi, dita e 15 tetorit e vitit 1986 pat shkaktuar një vaj dhe një pikëllim të madh në opinionin liridashës shqiptar të Kosovës pas lajmit se nga jeta u nda, përkatësisht u vra në mënyrë mizore adhetari Metush Krasniqi në burgun  në Prishtinës, i cili ishte veteran i arsimit dhe i çështjes kombëtare, i cili gjithë jetën ia kushtoi arsimit, çështjes kombëtare dhe çlirimit të Kosovës.

Edhe me e rëndë bëhet pesha mbi ndërgjegen shqiptare, kur dihet se kriminelët vrastarë mjerisht ishin shqiptarë, njëri prej të cilëve edhe sot lirshëm shetit rrugëve të Prishtinës.   

Në rrugën e lirisë përveq angazhimit të madh të Metush Krasniqit në rrugën e lirisë, angazhohet dhe bëhet edhe kyçja e djemve të tij, Xhevatit, Mitatit dhe Besnikut  dhe vajzave Teutës dhe Lules, të  cilët dhanë  një kontribut të jashtzakonshëm në zhvillimin e demonstratave të vitit 1968, 1981, 1989.  

Një meritë e vaçantë  i takon edhe bashkëshortes së Metushit, nënë Havishes, e cila arriti që me mund të madh t’i rriste fëmijët, por me një kujdes të veçantë dhe ishte përkrahëse e zellshme dhe e pa kompromis në veprimtarinë e tij kombëtare.

Pas luftës së fundit shqiptaro- serbe të vitit 1998-99 nënë Havishja i shpalosi shumë kujtime dhe amanete të bacit Metush Krasniqit(…).

Iku Metushi me mallin e atyre që e njohën për të jetuar edhe më tepër, duke mbetur i pa harruar për atë që i dha rrugës së çlirimit të Kosovës.

Pa më të voglin dyshim, shokët e tij: Prof. Dr. Shefki Sejdiu, Nexhmi Sejdiu, Sabri Novosella,  Avdi Monolli, Hashim Monolli nga Pollata, Abdullah Beselica, Jahir Potoku, Smajl Sfeqla-Bushi, Ajet Rexhepi, Shaqir Berisha, Sadri Rexhepi, Jah Krasniqi, Nezir Morina, Ejup Krasniqi, si dhe  ata që ishin në burg bashkë me te, sikurse Mulla Ramë Govori-Hërtica, Sejdi Kryeziu, Mark Gashi, Hazir Shala, Zeqir Gërvalla, Selman Berisha,Vesel Shala, Ramadan Rexha, Fatmir dheAfrim Ibrahimi, Nexhat Dibra, Nexhat Sturqa, Enver Taili, Ramadan Haziri, etj., të cilët pohonin se kemi humbur një koleg, një luftëtar të përkushtuar e të paepur, kurse familja birin më të mirë, një vëlla të dashur, një mik të sinqertë, një bashkëshort të mrekullueshëm, një baba të pazëvendësueshëm, miqtë një shok të sinqertë e të respektuar, kurse Kosova një veprimtar dhe një luftëtar të angazhuar në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë.

Duhet të çmohet shumë kontributi i legjendës shqiptare bacit Adem Demaçit dhe angazhimit të tij tek ish presidentja Atifete Jahjaga për shpalljen e bacit Metush Krasniqi, hero i Kosovës.

Gjithashtu, duhet të çmohet kontributi shpirtëror dhe material i Sabri Maxhunit-Novosellës, i cili ia ngriti përmendoren Heroit Metush Krasniqit.

Poashtu duhet te çmohet kontributi dhe sakrifica e Sadri Rexhepit i cili ia shperndau proklamatat dhe e shoqroi ne te gjitha odat ku shkonte Metushi bashk me Mulla ramë Govorin, Ismail Dumoshi e Shaqir  Berishwn.

Lavdi heroit të kombit Metush Krasniqit për veprën madhore kombëtare që ka bërë ai gjatë gjithë jetës së tij.  Image

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)