03 Tetor 2022

10 vjet në mërgim, lufta e gjatë e gazetarit për drejtësi

Shkruar nga Vedat Xhymshiti

Më 14 janar të vitit 2012, teksa po fotografoja një protestë në afërsi të kufirit juglindor të Kosovës, u sulmova nga një polic, i cili më goditi aq fort me bërryl, saqë më kishte nokautuar.

Në maj të vitit 2012, unë ngrita një padi kundër qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së saj të punëve të brendshme, duke kërkuar drejtësi dhe llogari për veprimet e zyrtarit policor. Dy ditë më vonë u detyrova të ikja jashtë vendit, pasi individë të shqetësuar ndaj padisë sime më kërcënuan me vrasje.

Në prill 2015, ndërsa isha në Londër për të marrë pjesë në një konferencë, shtëpia ime u bastis edhe një herë. E shqetësuar për sigurinë time, familja ime më këshilloi të mos kthehesha.

Pasi kërkova pa sukses azil në disa vende të tjera, në dhjetor të vitit 2016 pata sukses në aplikimin tim në Britani të Madhe, falë ndihmës së Amnesty International, dhe shtatë vjet më vonë m'u dha leje qëndrimi i përhershëm.

14 maji 2022 shënon 10 vjetorin e luftës sime të vazhdueshme për drejtësi dhe 16 maji shënon një dekadë që kur fillimisht më duhej të ikja nga frika për sigurinë e jetës sime. Nuk e di se çfarë dhe cila është e ardhmja për mua, por çfarëdo që të ndodhë, një gjë është e sigurt: unë nuk do të dorëzohem.

Motivi i keq

Autori i sulmit ishte Faruk Ibrahimi, një zyrtar policor të cilin e identifikova si shofer personal të komandantes së policisë për rajonin e Gjilanit – një njësi të cilën e kisha nën llupën e hulumtimit gazetaresk mbi akuzat dhe dyshimet për përfshirje në krim të organizuar. Nuk arrita ta kryej atë hulumtim pas atentatit me vdekje dhe një sërë kërcënimesh nga bashkëshorti i komandantes se tentativa do të përsëritej. Ky ishte pa dyshim qëllimi i tyre që unë të mos hulumtoja dyshimet e pretenduara.

Gjyq pa fund

Në shtator të vitit 2015, Gjykata Komunale në Kosovë vendosi të pranonte se unë isha lënduar fizikisht dhe psikologjikisht, por refuzoi të pranonte se të drejtat e mia të njeriut – të garantuara me Kushtetutën e vendit – ishin shkelur nga shteti. Në nëntor 2015, pasi nuk pranoi të adresonte se kush më kishte shkaktuar dëm, e çova çështjen time në Gjykatën e Apelit. Më 16 nëntor 2021, gjykata e anuloi të gjithë aktvendimin e Gjykatës Komunale, duke e kthyer rastin përsëri në një gjykatë më të ulët për ridëgjim.

Davidi kundrejt Golias
Mjedisi mediatik i Kosovës është i ndotur nga ndërhyrjet politike, korrupsioni endemik dhe kontrolli financiar nga sindikatat e krimit të organizuar të cilat udhëhoqën vendin për 21 vjet.

Edhe sot, gazetarët që guxojnë të kritikojnë autoritetet quhen ‘tradhtarë’, ‘spiunë’, ‘simpatizues serbë’ ose thjesht ‘budallenj’. Të paktën tetë janë vrarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës. Në vitin 2004, gazetarja hulumtuese Fatmire Terdeci u qëllua në shpatull teksa ishte shtatzënë.

Unë besoj se jam gazetari i parë që e çoj Republikën e Kosovës para një gjykate për t’u përballur me drejtësinë lidhur me përgjegjësinë e tyre për të më lejuar të bëj punën time në siguri. Me shumë mundësi, unë do të jem i pari që do ta çoj Republikën e Kosovës në një proces të ndarë gjyqësor për t’u përballur me drejtësinë pasi si pasojë e dështimit të ofrimit të sigurisë për mua si qytetar dhe gazetar – unë jam detyruar të jetoj në mërgim tash e dhjetë vjet.

Vedat Xhymshiti është një gazetar i mërguar nga Kosova që jeton dhe punon në Britaninë e Madhe për shtatë vitet e fundit. Si fotoreporter ai fokusohet në politikën e racës, gjinisë, identitetit, migrimit dhe zhvendosjes së njerëzve për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konflikteve të armatosura. Puna e tij është botuar në The New York Times, Time, The Washington Post, The Guardian, Le Monde, Paris Match, Der Spiegel, Welt, Vice dhe Vanity Fair. Xhymshiti është themeluesi i VX Pictures dhe një mësues i njohur në fushën e fotografisë, gazetari vizuale, etikës dhe sipërmarrjes profesionale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)