05 Dhjetor 2022

Teatri Kombëtar ndër institucionet më të rëndësishme të kulturës

Prishtinë, 6 nëntor - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas konsolidimit të këshillit të ri, në përbërje të: Agron Shala, Besim Rexhaj, Ismet Azemi, Munish Hyseni, Mustafë Halili Samka Ferri dhe Feim Maliqaj – përfaqësues i MKRS-së.

Me anëtarët e Këshillit të Teatrit, Ministrja Dumoshi, diskutoi për mbarëvajtjen e punës dhe realizimin e repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, e cila është ndër sfidat e TKK-së pasi që shumë shfaqje premierë nuk kanë mundur të realizohen sipas planit të paraparë për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia.

Gjithashtu, ministrja tha se për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të ri për zyrtarë publikë, i cili parasheh edhe ndryshimin e procedurave të rekrutimit, ka krijuar vonesa në hapjen e konkursit për zgjedhjen e drejtorit dhe udhëheqësit artistik të teatrit.

“Bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme jemi duke punuar në hartimin e akteve nënligjore të cilat përcaktojnë kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së zyrtarëve publikë, e në këtë rast edhe të pozitave drejtuese të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sapo të miratohen këto akte nënligjore, ne menjëherë do ta shpallim konkursin për drejtor dhe udhëheqës artistik të teatrit dhe në këtë proces drejtpërsëdrejti jeni të përfshirë ju si anëtarë të Këshillit Drejtues”, u tha mes tjerash ministrja anëtarëve të KD të TKK-së.

Ministrja Dumoshi tha se në interesin e saj dhe si prioritet në fushën e kulturës ka forcimin e institucioneve kombëtare të kulturës dhe se me Këshillin Drejtues të TKK-së pret një bashkëpunim konkret dhe dinamik me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe performancës së institucionit të teatrit.

“Ne si MKRS, në vazhdimësi e kemi përkrahë teatrin dhe kemi investuar edhe në infrastrukturë. Ka edhe shumë për t’u punuar dhe ne në bazë të mundësive dhe kapaciteteve do të bëjmë më të mirën për teatrin. Forcimi i mëtejmë i institucionit të teatrit është një ndër objektivat e mia, sepse Teatri Kombëtar i Kosovës është një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë”, u shpreh ministrja.

Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së, falënderuan ministren për takimin dhe gatishmërinë e treguar për bashkëpunim dhe për mbështetjen e pakursyer për teatrin. 

Në kuadër të kompetencave dhe hapësirës ligjore, KD i TKK-së do të bëjnë maksimumin që institucioni i teatrit të jetë në vendin e merituar në kulturën e Kosovës, ka thënë kryesuesi i KD i TKK-së, Agron Shala, i cili edhe e informoi ministren se tashmë veç e kanë mbajtur mbledhjen e parë ku kanë biseduar për prioritetet dhe sfidat që ka teatri.

Ndër të tjera, Këshilli Drejtues i TKK-së në kuadër të kompetencave ka mbikëqyrjen punës së teatrit; aprovon politikat afatgjata të zhvillimit të teatrit dhe politikën artistike; me propozim të drejtorit të përgjithshëm, miraton planin vjetor buxhetor të teatrit; me propozim të udhëheqësit artistik dhe në përputhje me buxhetin vjetor miraton programin artistik vjetor të teatrit; shqyrton dhe miraton raportin vjetor financiar të teatrit; harton dhe propozon statutin, rregulloret dhe aktet tjera nënligjore të teatrit, të cilat i miraton Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; interviston kandidatët dhe zgjedh drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik; inicion procedurën dhe shkarkon drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)