04 Dhjetor 2022

Shpresa Loshaj, laureate e Çmimit për Demokraci 2020 nga KCSF

Prishtinë, 29 qershor - Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i ndau Çmimin për Demokraci 2020 aktivistes Shpresa Loshaj, për dedikimin dhe aktivizmin e saj në mbrojtjen e natyrës dhe ujërave në Lumbardhin e Deçanit.

Shpresa Loshaj ka vite që është angazhuar aktivisht në mbrojtje të lumenjve dhe ambientit jetësor nga dëmi që po u shkaktohet nga ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve në këtë pjesë të Kosovës.

Shpresa e pranoi Çmimin për Demokraci në mënyrë virtuale ndërsa në emër të saj, fizikisht pllakën e çmimit e pranoi aktivistja nga Deçani Edonjeta Iberhysaj bashkë me Grupin Anti SLAPP, grup i cili është duke e përkrahur Shpresa Loshajn sidomos ndaj padisë që është ngritur kundër saj nga Kompania Kelkos.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, Udhëheqësja e Programit Zhvillimor të Zvicrës në Kosovë znj. Katharina Stocker theksoi përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës për angazhim qytetar dhe mbrojtje të ambientit, ndërsa zv. Shefja e Ambasadës së Suedisë në Kosovë znj. Nasrin Pourghazian e cilësoi angazhimin e Shpresës si demonstrim të fuqisë së qytetarëve për ndryshim.

Taulant Hoxha, Drejtor i KCSF-së, i ftoi qytetarët e Kosovës që ta shfrytëzojnë shembullin e Shpresës si frymëzim për t’u angazhuar për të mirën publike në çështjet që i preokupojnë lagjet, fshatrat e qytetet e tyre.

Çmimi për Demokraci është pjesë e programit EJA Kosovë, program ky i KCSF-së për përkrahje të shoqërisë civile që bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)