05 Korrik 2022

Shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit nën moton “Mediat nuk janë armiku”

Prishtinë, 4 maj - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, sot ka organizuar konferencë me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Përmes një video-mesazhi u adresua Ambasadori Michael Davenport - Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, me ç’rast tha se ani pse Kosova vazhdon të shënojë rezultate të larta në rajon sa i përket pluralizmit të mediave, rastet e kërcënimeve dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve vazhdojnë të jenë prezente.  

“Ne shohim ende shumë raste kërcënimesh apo sulmesh kundër gazetarëve, duke përfshirë 11 incidente që nga fillimi i vitit 2022. Por kjo ditë mbi gjitha është një rast për të festuar punën e profesionistëve të guximshëm të medias në mbarë botën, si dhe rolin e një medie të lirë dhe të pavarur në konsolidimin e demokracisë dhe promovimin e një shoqërie më transparente dhe të hapur. Misioni i OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë këtë përpjekje të madhe këtu në Kosovë”, tha ai. 

Në pjesën e parë të konferencës u prezantuan gjetjet e raportit “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2021”, që është hartuar nga hulumtuesja Getoarbë Mulliqi Bojaj.

Gjetjet e këtij raporti u diskutuan në mes të Kryetarit të Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Imer Mushkolaj – Drejtor Ekzekutiv i KMShK-së, Yll Zekaj – Ekspert Ligjor i raportit, si dhe Abit Hoxha – Ekspert Nacional i raportit. 

Sipas këtyre gjetjeve, gjendja e gazetarëve vazhdon të jetë e rënduar, si nga pandemia ashtu edhe nga ndryshimet politike, numri i sulmeve në drejtim të gazetarëve ka shënuar rritje, ndërsa vihet më në pah tendenca për heshtje të gazetarëve nëpërmjet padive SLAPP. Teksa, si rekomandime të raportit u theksua nevoja që gazetarët t’i raportojnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, rëndësinë e pavarësisë financiare të RTK-së, pavarësinë e përzgjedhjes së bordeve të RTK-së dhe KPM-së, si dhe sa më parë të përfundoj Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave nga KGjK. 

Gjithashtu, përmes një paneli diskutimi u adresua gjuha denigruese e përdorur në drejtim të gazetarëve dhe ndikimi i saj në besimin në medie. Paneli ishte i përbërë nga Doarsa Kica Xhelili - Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal, Leonard Kërquki - Drejtor i Gazetës Express, Rrezarta Delibashzade Krasniqi - Drejtore Ekzekutive në D4D dhe Granit Musliu - Anëtar i Komisionit të Pavarur të Medieve.  


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)