09 Dhjetor 2022

Rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave qeveritare

Prishtinë, 5 tetor - Me ceremoninë e certifikimit të pjesëmarrësve, është përmbyllur projekti i zbatuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë, nga i cili kanë përfituar përvojë të punës praktike në institucione 100 të reja e të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave tona qeveritare e në angazhimet tona publike, sepse zhvillimi ynë i ardhshëm varet shumë prej asaj se si e ndihmojmë dhe e  trajtojmë rininë tonë, duke mos harruar që mosha mesatare në Republikën e Kosovës është vetëm 31 vjeç, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij.

Kryeministri ritheksoi se Qeveria  është e përkushtuar për të shtuar mundësitë për aftësim e punësim, me politika të ndryshme, siç është ajo e lansuar gjatë verës "një i punësuar në çdo familje". Ashtu që asnjë familje në vendin tonë të mos ngelet pa e pasur së paku një të punësuar.

E përderisa po jetësojmë skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, po vazhdojmë mbështetjen e projekteve të organizatave rinore, tha ai.

Kryeministri theksoi se për shtimin e vendeve të punës dhe zbutjen e pabarazisë mes të rinjve, nga ky vit shkollor kemi filluar me ofrimin e arsimit dual në katër profile, ashtu që ta lidhim tregun e punës, pra nevojat e tregut të punës me planprogramet, me kurrikulat e sistemit arsimor, përkatësisht të aftësimit dhe arsimimit profesional. Kështu synohet lidhja e urëzimi i hendekut të shkathtësive dhe zëvendësimi i emigrimit me punësim.

Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1000 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit. Për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor në profesione, në vitin akademik 2021/2022, janë ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM.

Në këtë ceremoni u theksua se Qeveria dhe institucionet janë të fokusuara për të zhvilluar plane e programe më të mira, për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë e të rejat, për të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre, e të vendit tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)