09 Dhjetor 2022

Rinia është ndër asetet kryesore të Kosovës

Prishtinë, 15 nëntor - Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) organizoi sot tryezë diskutimi rreth Perspektivës Demografike të Kosovës në Botën e Mundësive të Pafundme, me rastin e shënimit të Ditës së 8 miliardë banorëve në botë.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se tema për të cilët po diskutohet është tejet e rëndësishme, pasi që, siç tha ai, një prej aseteve kryesore që ka Kosova është popullata e saj.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, do të angazhohet që nëpërmjet mekanizmave që ka në dispozicion, të kontribuojë në nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial, për të kuptuar dhe adresuar nevojat e grupeve të ndryshme demografike të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës në përgjithësi duhet të miratojnë ligje dhe politika të cilat sigurojnë barazi dhe gjithëpërfshirje, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe kujdesen për personat dhe familjet në nevojë”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se rinia e Kosovës është një ndër asetet kryesore të saj, por që duhet punuar që ajo të ruhet.

“Kosova çdo vit është më pak e re dhe këtë duhet ta kemi në vëmendje. Shtetet bëjnë përpjekje që ta ruajnë popullsinë e tyre, prandaj edhe Kosova duhet të bëjë këtë”, tha kryetari Glauk Konjufca, duke shtuar se për këtë qëllim nevojitet hartimi i një plani nacional e gjithëpërfshirës.

I pari i legjislativit kujtoi se vitin 1981 Kosova kishte 2 milionë banorë, ndërsa në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011 kishte 1.6 apo 1.7 milionë banorë.

“Nuk dëshirojmë që në vitin 2060 Kosova të ketë 1.2 milionë banorë”, tha kryetari i Kuvendit.

Ai përmendi vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e popullsisë që do të bëhet në vitin 2023, e i cili do të ndihmojë Kosovën edhe në procesin e integrimeve evropiane, nëpërmjet pasqyrimit të saktë të të dhënave demografike e socio-ekonomike.

Kryetarja e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, Fatmire Kollçaku, tha se ende ka pabarazi në botë dhe se vendet e zhvilluara kanë obligim t’u ndihmojnë vendeve që nuk janë të zhvilluara.

Ndërsa koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, theksoi se trendi i natalitetit shumë të ulët, jo vetëm në Kosovë por edhe në botë, ka ndryshuar demografinë e botës.

Me diskutimet e tyre kontribuuan edhe udhëheqësja e zyrës së UNFPA në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, drejtori i Departamentit për Statistika Sociale dhe të Popullsisë në ASK, Avni Kastrati, ligjëruesi universitar Tahir Latifi, përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Adelina Tërshani dhe të pranishëm tjerë.​






Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)