09 Shkurt 2023

Promovohet libri “Brenda meje, ti” i Erdonita Hebibit

Prishtinë, 6 dhjetor - Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, të hënën më 5 dhjetor 2022 u mbajt promovimi i librit me poezi me titull “Brenda meje, ti” i autores së re Erdonita Hebibi. Amfiteatri ishte i mbushur përplotë me dashamirë të librit, familjarë dhe miq, ndërsa ishin prezente edhe mediat.

Në fillim fjalë përshëndetëse foli profesori Milazim Krasniqi, i cili tha se autorja e librit që promovohet sot ka qenë studente e tij në fakultet, në departamentin e gazetarisë dhe ka qenë një studente e dalluar, ndërsa ajo sot punon gazetare në një televizion.  

Më pas rreth librit të Erdonita Hebibit foli recensentja e librit, profesoresha Leonorë Bruçaj. Ajo tha se autorja e librit shpalos para lexuesve refleksionin e saj mjaft të qartë përmes shprehjeve të theksuara, duke e kombinuar emocionin me mendimin.

Më tej Bruçaj tha se autorja Erdonita Hebibi duke përdorur figurat stilistike, shpalos universin e saj poetic përmes vargjeve tejet origjinale, që nganjëherë shprehin edhe pezmin e grumbulluar në kraharorin e saj.

Pas saj me një vështrim rreth librit u paraqit Ahmet Pllana, krijues dhe lektor i librit, i cili tha se poeten e re e të talentuar për të shkruar e ka nxitur malli dhe dashuria e madhe ndaj babait të saj, i cili nuk gjindet më në jetë.

Ai tha se ndonëse ky është libri i parë i saj, Erdonita Hebibi ka arritur që të futet në botën e poezisë dhe ta kuptojë lërimin e poezisë dhe nuk është poezi që i ngjason prozës. Rreth botimit të librit foli Fatmir Halimi, botues i Shtëpisë Botuese “Prokultpress”.

Në fund, autorja i falënderoi të gjithë për pjesëmarrje dhe ua dhuroi pjesëmarrësve nga një libër të nënshkruar nga autorja.

/Ahmet Pllana/

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)