05 Dhjetor 2022

Përmbyllet fushata #dashniekujdes

Prishtinë, 22 dhjetor - Aksioni për Nëna dhe Fëmijë angazhohet në mbështetje të përmirësimit të shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Në bashkëpunim me partnerët dhe donatorët tanë përgjatë viteve të fundit kemi shpëtuar më shumë se 6000 jetë të foshnjeve përmes medikamentit Survanta, respiratorëve, inkubatorëve dhe shumë pajisjeve tjera mjekësore.

Për shkak të nevojës të jashtëzakonshme të institucioneve shëndetësore për mbështetje edhe gjatë pandemisë, ne filluam fushatën #DASHNIEKUJDES e cila kishte për qellim ngritjen e fondeve për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe fëmijëve në vend. Kjo kampanjë zgjati dy javë dhe u përmbyll me një ngjarje televizive në Klan Kosova, ku u diskutua për misionin e AMC-së dhe impaktin e madh të programeve tona shëndetësore në shoqërinë tonë dhe institucionet e vendit.

Në këtë ngjarje morren pjesë personalitete të njohura si Lyrical Son, Agnesa Vuthaj, Diellza Kolgeci, Denik Prizreni e Asim Gashi të cilët mblodhën donacione dhe biseduan në telefon me qytetarë, dhe të cilët i falenderojmë jashtëzakonisht shumë për mbështetjen e kampanjës tonë.

#dashniekujdes mblodhi fonde në dy mënyra: përmes sponsorizimeve nga donatorë, donacione online dhe gjatë emisionit në Klan Kosova, përmes telefonatave me qytetarë.

Për dy javë fushatë, u mblodhën gjithsej 20,634.72 Euro.

Të gjitha fondet e mbledhura në këtë fushatë, do të dyfishohen deri në vlerën 50,000 euro, falë mbështetjes së Iniciativa për Komunitet në BERZH.

Të gjithë donatorët do të kenë qasje në informatat se si dhe ku janë shpenzuar fondet e mbledhura, e poashtu dhe dorëzimin e materialeve, duke përcjellë rrjetet tona sociale në Facebook, Instagram dhe Twitter, dhe në website të AMC-së www.amchealth.org

#dashniekujdes nuk do të ishte e mundur pa sponsorët tanë GOLD: EXFIS, PHARMALEADER e Meridian EXPRESS, dhe sponsorët BRONZE: EraMed, PI Communications, Ipko Foundation, Vitech SHPK, R.I.T AUK, Entermedia, Koslabor.

Nga ekipi i AMC-së, i dërgojmë shumë #dashniekujdes vullnetarëve të kampanjës të cilat na qëndruan pranë gjatë gjithë kampanjës, duke na ndihmuar, këshilluar e mbështetur. Falemnderit Base Agency, ProCon Group, BlackBird Marketing dhe ShortCut.
-- 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)