18 Gusht 2022

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor nis turneun në Prishtinë

Prishtinë, 21 korrik - Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor (WBYO), e mbështetur nga BE-ja dhe Ambasada e Republikës Çeke, do të fillojë sonte në Prishtinë turneun e saj në rajon për vitin 2022 me një koncert në sallën “Bogdani Polis”.

E themeluar në vitin 2019 si rezultat i punës së realizuar përmes Akademisë Verore të Muzikës Evropiane të mbajtur çdo vit në Kosovë që nga viti 2012, WBYO përbëhet nga 30 muzikantë të rinj nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe nga disa mysafirë nga BE-ja.

“Ideja dhe misioni prapa Akademisë dhe WBYO-së është t’i bashkojë njerëzit nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja përmes muzikës dhe të kontribuojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha Pierre Weber, menaxher i Orkestrës.

“Përfitimet nga pjesëmarrja në Akademinë e Muzikës dhe në punën e Orkestrës Rinore për pjesëmarrësit e rinj janë të shumëfishta. Ata përfitojnë aftësi profesionale si dhe e mësojnë disiplinën, por më e rëndësishmja është se duke studiuar, luajtur dhe udhëtuar së bashku ata i zgjerojnë horizontet e tyre si dhe e kuptojnë më mirë BE-në dhe rajonin prej nga vijnë”.

Fillimit të turneut të vitit 2022 i parapriu një Akademi shtatë-ditore dhe provat e mbajtura në Prishtinë. Pas Prishtinës, nga 22 deri më 30 korrik, ata do të vazhdojnë turneun në Shkup, Novi Sad, Mostar dhe Kotorr. Pas turneut në Ballkanin Perëndimor, ata do të udhëtojnë drejt BE-së.

Përveç mbështetjes së Akademisë Verore të Muzikës Evropiane të organizuar për herë të parë në vitin 2012, Bashkimi Evropian në Kosovë tani po e mbështet turneun e WBYO-së për vitin e tretë radhazi.

“Angazhimi i të rinjve nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja në nisma që nxisin bashkëpunim dhe krijojnë lidhje afatgjata në mes tyre është përpjekje e vazhdueshme e Bashkimit Evropian. Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor është një nismë e tillë dhe ne kemi kënaqësinë ta mbështesim atë, veçanërisht pasi e kemi parë se sa të suksesshëm janë”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, muzikantët e WYBO-së u takuan edhe me Ambasadorët e Rinj Evropianë nga Kosova, të cilët janë pjesë e një rrjeti prej 120 ambasadorëve të rinj në Ballkanin Perëndimor, nismë kjo e mbështetur nga Komisioni Evropian.

Orkestra, e udhëhequr nga drejtori artistik i saj dhe iniciatori i WBYO-së, dirigjenti dhe pianisti gjerman me origjinë shqiptare, Desar Sulejmani, financohet kryesisht nga “Aachen/Land Rotary Club” nga Gjermania. Turneu i vitit 2022 gëzon gjithashtu mbështetjen e Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Drejtoratit të BE-së për Zgjerim, Ministrive të Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Luksemburgut, “Engagement Global” dhe Forumit Kulturor Austriak në Serbi.

Këtë vit, Orkestra realizoi performancën e saj të parë në Ballkanin Perëndimor në Novi Sad, Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2022, më 9 maj, në Ditën e Evropës. Në gusht, muzikantët e rinj do të performojnë në festivale prestigjioze në Gjermani - Berlin, Kassel, Königswinter, Aachen & Essen – duke e avancuar më tej reputacionin e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 gusht 2022

 - Mbahet seanca në rastin e falsifikimit të tenderit 800 mijë euro për rinovimin e objektit të PSRK-së ndaj të akuzuarit Tahir Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Komuna e Rahovecit mbant dëgjimi publik për buxhetin e vitit 2023 më bashkësit lokale, lagjet urbane dhe përfaqesues të shkollave. (Shtëpia e Kulturës 'Mensur Zyberaj' në Rahovec, ora 10:00)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mban konferencë për media e cila ndërlidhet me shpalljen e grevës së përgjithshme. (Zyrat e BSPK-së, ora 13:00)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon hapjen e programit Rezidenca 17. (Shtëpia e Hivzi Sulejmanit në lagjen Taslixhe, ora 18:00)