03 Tetor 2022

MKRS-ja përkrah themelimin e kolegjiumit për kulturë, rini e sport në AKK

Prishtinë, 25 janar - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të përkrahjes së pushtetit lokal në Kosovë, ka nënshkruar memorandum për themelimin e kolegjiumit për kulturë, rini e sport, në Asociacionin e Komunave të Kosovës me synim rritjen e koordinimit mes pushtetit qendror dhe pushteteve lokale në fushat përkatëse që janë në interes të MKRS-së.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në emër të MKRS-së, e ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Sazan Ibrahimin, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).

Qëllimi i memorandumit është mbështetja e MKRS-së për themelimin për herë të parë, të kolegjiumit të kulturës, rinisë dhe sportit, ku janë të përfshira edhe trashëgimia kulturore, e drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Ky është kolegjiumi i 18 i themeluar nga AKK, i cili është në funksion të nxitjes për krijimin e njohurive të reja, përmirësimin dhe promovimin e punës së zyrtarëve komunal duke zhvilluar dhe ofruar shkëmbim përvojash dhe trajnime në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm në komunat e Republikës së Kosovës, krejt kjo me qëllimin final të avancimit të fushave që i mbulon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS-ja nëpërmjet memorandumit përkrah financiarisht themelimin e këtij kolegjiumi duke mundësuar takimet e rregullta të drejtorëve të drejtorive komunale për kulturë, rini dhe sport, takime në të cilat do të merr pjesë gjithmonë edhe një përfaqësues i MKRS-së.

Takimet do të mbahen në baza të rregullta periodike kohore me 4 deri në 6 takime për çdo vit, ku përpos shkëmbimit të përvojave të drejtorive komunale do të bëhet identifikimi i kërkesave për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale për fushat që i mbulon MKRS-ja në mandatin e saj.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi, vlerësoi se bashkëpunimi i MKRS-së me AKK-në është i një rëndësie tejet të veçantë pasi konkretizohen hapat e mëtejmë për rritjen e koordinimit mes pushtetit qendror dhe pushteteve lokale në fushat përkatëse që janë në interes të MKRS-së.

“Asociacioni po bën një punë të madhe në koordinimin e komunave, gjë e cila ua lehtëson dhe mundëson edhe ministrive që të kenë një komunikim konkret me përfaqësues të komunave të Kosovës. MKRS-ja punën më të madhe e bën nëpër komunat e Kosovës pa përjashtim. Fjala vjen, në fushën e sportit kemi 88 projekte në investime kapitale, me buxhet të përcaktuar. Gjithashtu, ministria ka edhe projekte tjera financiare në fushën e kulturës, rinisë dhe fushat tjera të cilat janë në domenin e saj, e të cilat investohen nëpër komunat e Kosovës”, e informoi ministrja Dumoshi drejtorin e AKK-së.

“Është vlerësim i yni që nëpër komuna ka mungesë të kapaciteteve, sidomos në trashëgimi dhe ky kolegjium është hapi i parë i cili do të ndikojë në caktimin e prioriteteve për të ardhmen dhe do të sigurohen informatat e nevojshme për kërkesat nevojshme që kanë komunat”, tha tutje ministrja Dumoshi, duke potencuar faktin se MKRS-ja është e gatshme të marrë pjesë në këto takime të kolegjiumit.

Nga ana e tij, drejtori Sazan Ibrahimi, e falënderoi ministren për mbështetjen e dhënë të MKRS-së, përmes të cilës mundësohet themelimi i kolegjiumit.

“Përmes këtij mekanizmi të themeluar mbrohen interesat e komunave në rend të parë në fushat e kulturës, rinisë, sportit, trashëgimisë e të drejtës së autorit. Mundësohet identifikimi për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale në këto fusha dhe organizimi i takimeve të rregullta”, tha Ibrahimi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)