18 Prill 2024

Metush Krasniqi heroi që nuk do të harrohet brez pas brezi

Prishtinë, 1 nëntor - Në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, të martën, më 1 nëntor 2022 u mbajt Akademi Përkujtimore për heroin Metush Krasniqi. Ai ishte i burgosur politik, atdhetar i madh dhe veprimtar i çështjes kombëtare, edukator i shumë brezave shkollor, i dënuar politik pesë herë.

Metush Krasniqi i lindur më 19 gusht të vitit 1928 në Dajkovc të Dardanës. Ai ishte një veprimtar i paepur i kauzës kombëtare dhe protagonist i politikës ilegale në Kosovë  në periudhën nga mesi i viteve të 50-ta e deri në frymën e fundit, kur ai ndërroi jetë më 15 tetor 1986. Me këtë Akademi Përkujtimore, në organizim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  nga nënkryetari, Prof. Dr. Sadri Rexhepi, e nderoi jetën dhe veprën atdhetare të Metush Krasniqit.

Duke folur para të pranishëmve në këtë Akademi Përkujtimore, Prof. Dr. Sadri Rexhepi, ndër të tjera tha: “Metush Krasniqi–Dajkovci njihet si veprimtar i devotshëm i çështjes shqiptare, sinonim i guximit, dijes dhe atdhedashurisë, i burgosur dhe i përndjekur nga pushteti që nga mosha  rinore  e deri në frymën e fundit.  

Aktiviteti i tij politik ka filluar që në moshë të re, por ai për herë të parë burgoset në vitin 1947/48 kur ishte ushtar, herën e dytë më1956 kur ishte drejtor i shkollës në Roganë, herën e tretë në vitin 1958 kur ishte mësues në Shkup, herën e katërt më 1981, kurse herën e pestë në vitin 1985 dhe pas gjashtë muajsh torturash shtazarake nga inspektorët shqipfolës, pas një procesi gjyqësor të udhëhequr nga ish nxënësi i tij, Shefki Syla, e nxjerr të pafajshëm Metush Krasniqin.

Shefkiu edhe pse e dinte se do të ketë pasoja e tregoi burrërinë, trimërinë dhe heroizmin e vet për atë kohë, duke liruar njërin ndër burrat dhe veprimtarët më të mirë  të Kosovës.  

Në vitin 1957 intensifikohet puna e tij i cili  angazhohet në përhapjen e ideve kombëtare, ndërsa një vit më vonë më 1958 ai burgoset dhe pas një procesi gjyqësor në cilin ai deklasoi politikën antishqiptare duke mbetur i palëkundur në qëllimet e veta, i guximshëm dhe energjik në veprime edhe përkundër presioneve  të mëdha  që pushteti monist i bënte në vazhdimësi kundër tij dhe familjes së tij.

Pas vitit 1968  Metush Krasniqi-Dajkovci bën një aktivitet të ngjeshur ilegal për sensibilizimin dhe mobilizimin e popullit shqiptar në kuadër të organizatës “LRSHJ”.

Pas viteve të 70-ta ai vendoset në Prishtinë dhe jep kontributin e tij në proceset politike  që do të pasonin. Opinioni i gjerë tashmë  e ka të njohur veprimtarinë  e tij atdhetare dhe veprimet konkrete  për të drejtat e shqiptarëve, siç ishte shpërndarja e trakteve dhe nxitja e të rinjve që të kërkonin edhe më shumë të drejta për shqiptarët në kohën sa punonte në Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë.

Pas letrës së Titos dhe diferencimeve të shumta në shkollën e sipërcekur, prapë diferencohet Metushi, mirëpo fati i tij, në atë kohë drejtor i Hekurudhave të Kosovës ishte Zenun Beqa, te i cili Metushi gëzonte autoritet të jashtëzakonshëm.

Më tej, prof. Rexhepi tha se  Metush Krasniqi pas viteve të 80-ta u mor kryesisht me sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare në ish Jugosllavi dhe angazhohej për ngritjen e vetëdijes kombëtare tek të gjitha shtresat e popullit shqiptar.

E sot kur Kosova frymon lirshëm pas katërmbdhjetë vitesh  pavarësie nga robëria shekullore serbosllave, po shkojmë drejt plotësimit të idealeve, synimeve dhe qëllimeve  të përhershme të Metush Krasniqit.

Të gjitha këto na detyrojnë të çmojmë, ta nderojmë e ta përkujtojmë me pietet të lartë këtë veprimtar të palodhshëm, punëtor e luftëtar të denjë të çështjes e të çlirimit kombëtar, tha prof. Rexhepi.

Ai tha se Metush Krasniqi ishte një luftëtar i përkushtuar, i paepur, kurse pwr familjen ishte njeri i mirë, një vëlla i dashur, një mik i sinqertë, një bashkëshort i mrekullueshëm, një baba i pazëvendësueshëm, ndërsa miqtë e kishin një shok të sinqertë e të respektuar, kurse Kosova një veprimtar dhe një luftëtar të angazhuar në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë.

Duhet të çmohet shumë kontributi i legjendës shqiptare, bacit Adem Demaçi, dhe angazhimit të tij tek ish presidentja Atifete Jahjaga për shpalljen e bacit Metush Krasniqi, hero i Kosovës. Gjithashtu, duhet të çmohet kontributi shpirtëror dhe material i Sabri Maxhunit-Novosellës, i cili ia ngriti përmendoren heroit Metush Krasniqit.

Po ashtu duhet te çmohet kontributi dhe sakrifica e Sadri Rexhepit i cili ia shpwrndau traktet dhe proklamatat e tij dhe e shoqwroi nw tw gjitha odat ku shkonte Metushi bashkw me Mulla Ramë Govorin, me Ismail Dumoshin dhe Shaqir  Berishwn, tha prof.Rexhepi.
 
Për ndriçimin e veprimtarisë së Metush Krasniqit me diskutimet e tyre kontribuan edhe Prof. Sabri Novosella, Prof. Dr. Musa Limani, Prof. Dr. Hakif Bajrami, Makbule Novosella-Krasniqi, Avdi Limani, Muharrem Musliu, etj.

Emocione të larta zgjoi edhe diskutimi i vajzës së Metush Krasniqit, Teuta Krasniqi, e cila i evokoi kujtimet e asaj kohe tepër të vështirë. Ajo duke rrëfyer për torturat që ishin kryer mbi trupin e Metush Krasniqit, u ktheu vëmendjen të pranishmëve në sallë në vitet e rënda të asaj kohe nëpër të cilat kaloi i gjithë populli shqiptar. Ajo veç tjerash tha: “Jemi rritur në kushte të rënda, pa baba apo më mirë të them me babain në burg…”

 Lavdi heroit të kombit Metush Krasniqi për veprën madhore kombëtare që ka bërë ai gjatë gjithë jetës së tij.  

 

Ahmet Pllana

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)