26 Nëntor 2022

Kroacia e përkrah kauzën madhështore të Kosovës për mbrojtjen e monumenteve

Prishtinë, 18 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar nga kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, përgjigje në letrën që ia pati dërguar atij dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës. Në letër, kryeministri Kurti ka shprehur pikëpamjet e Republikës së Kosovës mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.

Duke iu falënderuar për letrën, kryeministri kroat ka thënë se pajtohet plotësisht që historia kulturore e çdo vendi dhe personifikimet fizike të trashëgimisë së saj kulturore duhet të trajtohen gjithmonë me respektin e duhur dhe të mbrohen në të mirë të shoqërive tona në tërësi.

“Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet tuaja për të respektuar dhe mbrojtur monumentet e rëndësishme në Kosovë, të cilat janë një pjesë e kësaj sixhadeje të pasur të trashëgimisë kulturore. Të ngrohë zemrën të dish se je i përkushtuar në këto përpjekje”, ka shkruar z. Plenković. Konservimi dhe pasqyrimi vibrant i trashëgimisë kulturore heterogjene të vendit tuaj padyshim që do të sigurojë një pjesë të çmuar të trashëgimisë kulturore globale, ka shtuar ai.

Duke qenë pjesë e operacionit të NATO-s për mbështetjen e paqes në Kosovë, KFOR, kryeministri Plenković ka thënë se Kroacia mbetet e vendosur t'i japë pjesën e saj të duhur kësaj kauze madhështore, e cila mbetet po aq thelbësore për pajtimin, sa është edhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Në letrën e datës 20 maj 2021, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka konfirmuar liderëve të 56 vendeve të botës (ndër to edhe Serbia) vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë e tërësishme kulturore, e në veçanti atë të komuniteteve pakicë, siç janë kishat ortodokse dhe manastiret.    

Kryeministri u ka bërë thirrje atyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit, siç ka thënë ai, duke e parë trashëgiminë tonë të pasur kulturore si ndër argumentet më të forta të vlerës së shtuar, që vendi ynë ia sjellë komunitetit botëror të kombeve, njerëzve e kulturave. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)