24 Maj 2022

Këngëtari Qazim Menxhiqi i jep shkëlqim të ri këngë së vjetër popullore

Melbourne, 17 maj - Këngëtari i mirënjohur nga Kosova, Qazim Menxhiqi, ka publikuar këto ditë një këngë me motive të Shqipërisë së mesme, e cila për shumë dekada shkëlqeu në botën e muzikës shqiptare, por të cilën ai e përpunoi dhe e shndërrojë në atë të llojit të muzikës neo-klasike-popullore.  

Këngën e famshme “Si m’ke sytë, m’i ke vetullat”, të kënduar shumë vite më parë nga tashmë e ndjera Hafsa Zyberi, tash Menxhiqi e ringjallë me një aranzhim, instrumental dhe interpretim të veçantë duke i dhënë emocione dhe frymën e kohës të sotme.
 
Qazim Menxhiqi, i cili migroi në Australi në fund viteve ’80-ta, njihet për këngëtar e gjithashtu edhe kompozitor e tekst-shkrues.

Ai është autor i disa këngëve të llojit folklorik/popullore dhe këngë zbavitëse/muzikë e lehtë të cilat depërtuan në zemrat e publikut të gjerë shqiptarë. Këngëtari po ashtu ka prodhuar dhe interpretuar këngë edhe të llojit pop- rock.

Këngët “Nisej trimi për gyrbet”; “Oj Kosovë sa fort të dua”, “E përjetshme është Shqipëria”, janë disa nga këngët e tij më të njohura për publikun.
 
Menxhiqi në vitet 80-ta sa jetonte në Kosovë, ku edhe e filloi karrierën e tij muzikore, u shqua me këngë zbavitëse të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP). Ai interpretoi dhe incizoi mbi 35 këngë në festivale të ndryshme me nam dhe realizoi bashkëpunime me kompozitorët e njohur siç janë: Tomor Berisha; Severin Kajtazi; Gjergj Kaqinqri; Shaban Kelmendi; Mendi Mengjiqi… etj.

Në atë kohë u shquan këngët e tij: “Le të ndihet ky fyell”; “Xhina”, “Daullja”; “Msheftësia”; “Shpezët shtegtare”; “Tretem në agoni dhe heshtje”; “Fotografinë që ma dhe”, “Letra e pa dërgueme” e shumë të tjera.

Tash, Qazim Menxhiqi i ofron publikut këngën “Si m’ke sytë m’i ke vetullat”, edhe përmes një video-klipi të incizuar në Melbourne të Australisë pranë plazheve të Oqeanit Indian, ku edhe jeton.
 
Menxhiqi sqaroi në një bisedë me dtt-net.com se shtytës kryesor për të realizuar këtë këngë ishte përkujtimi dhe mirënjohja për këngëtaren Hafsa Zyberi, e cila ishte ndér këngëtaret e tija të preferuara që nga koha e fëmijërisë.

“Hafsa Zyberi ishte një ndër idhujt e mi të muzikës të asaj kohe, dhe këtë këngë e kam bërë në përkujtim të saj”, tha Menxhiqi.

Duke e ruajtur thelbin dhe origjinalitetin e këngës, Qazim Menxhiqi me mjeshtri e përvetëson këtë këngë me orkestrimin dhe interpretimin të këndshëm me plot emocione dhe elegancë.

“Meqë jetoj larg atdheut nuk kam pas rastin që të bashkëpunojë me artistë të tjerë, kështu që çdo gjë në këngët e mia jam përkujdesur vet. Natyrisht, teknologjia të mundëson shumëçka. Vetëm imagjinata mund të na kufizojë”, sqaron gjatë bisedës mënyrën e punës së tij prej artisti muzikor në mërgim.

Interpretimi i tij i ri dhe realizimi me aranzhim origjinal të tij, ashtu siç ai vet e ndjeu përmbajtjen e kësaj kënge me përshkrim melankolik/romantik, i japin këngës së Hafsa Zyberit një shkëlqim të ri të shndërruar një zhanër/lloj të ri, i cili ka të ngjajë më atë neo-klasike-popullore.
 
Duke tentuar të ruaj origjinalitetin e këngës së vjetër, ai ka bërë ndryshime të mëdha sidomos në instrumental në të cilin ka futur orkestër të plotë dhe e ka pasuruar atë me një numër të shumtë të instrumenteve.

Këndimi, siç sqaron edhe vet këngëtari, e ruan pjesërisht vijën melodike të kënduar nga Zyberi, në shenjë të respektit të madh që ai ka për këngëtaren. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 maj 2022

- Instituti Demokratik i Kosovës mbanë diskutimin publik me temën “Raportet Kosovë-Serbi: Tabelat e veturave dhe një Dialog që nuk po lëvizë!” një diskutim i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile me pjesëmarrës nga politika, mediat dhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 9:30)  

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, shqyrton raportin vjetor financiar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, etj. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)

- OJQ "Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi - Inject" organizon konferencën përmbyllëse  të Projektit me titull “Sigurimi i të Drejtave Pronësore të Grave përmes rritjes së Kapaciteteve Institucionale në Kosovë”.  (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, diskuton për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, pret në takim Christopher Hyland, kontribues në Pavarësinë e Kosovës në SHBA-të dhe në prezantimin e shtetit tonë te ish-presidenti amerikan Bill Clinton. (Shtëpia e Bardhë, Prizren, ora 11:00)

- Mbahet edicioni i 21-të të panairit ndërkombëtar EXPOKOS, që i dedikohet bizneseve të sektorëve të: Ndërtimit, Energjisë, Makinerisë dhe Sigurisë dhe Mbrojtjes. Merr pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. (Pallati i Rinisë, ora 11:00)

- Mbahet Kuvendi i pestë i Partisë Eko Lëvizja e Gjelbër e Kosovës. (Hotel Grand, salla e Kuqe, ora 11:00)

- Drejtoria e Mirëqenies Sociale, në kuadër të “Fushatës vetëdijesuese për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge” organizon një kampanjë me moton “Unë s’jap lëmoshë, AS TI! & Bashkë t’i mbrojmë fëmijët në situatë rruge” me qëllim të përçimit të mesazhit se dhënia e lëmoshës cenon dhe dëmton jetën e fëmijëve në situatë rruge. (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë në shenjë pakënaqësie për mosplotësimin e kërkesave të tyre për Ligjin për Lotarinë e Kosovës dhe pagat për këta punëtorë. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike mban mbledhje. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 14:00)

- Instituti Kombëtar Demokratik organizon debatin e parë mbi politika nën temën “Në mbrojtje të demokracisë: Politikat gjithpërfshirëse të punësimit kanë rëndësi”. (Objekti i komunës së re në Prishtinë, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Drita mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Llapi mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 15:00)

 Fondacioni Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” dhe fillimin e programit të filmit LXX në ekran të madh. (Kino Bahçe në Prizren, ora 19:00)