04 Tetor 2022

Hapet ekspozita për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë

Prishtinë, 24 dhjetor - Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, familjarë të viktimave dhe të pagjeturve të luftës në Kosovë, sot kanë hapur ekspozitën “Prezantimi i Ekspozitës për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë”, të fotoreporterit Alban Bujari.

Me rastin e hapjes së ekspozitës, ministri Selimi tha se kjo ngjarje,  risjellë dëshmitë më të trishtueshme të mizorisë së shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë.

“Edhe pse trazon plagën tonë ende të hapur, kjo ekspozitë na shërben për të dokumentuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe e vë në pah, sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës”, tha ministri Selimi.

Ministri Selimi, tha se në secilën ditë, Kosova ka kujtesë për martirët, dëshmorët, për masakrat e njerëzve tonë anekënd vendit, vuajtjet dhe tmerrin e përjetuar nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të mbijetuarit e torturës dhe ankthin konstant të familjarëve të të zhdukurve.

“Të kalosh dekada të tëra dhune e terrori sjellë trauma të papërballueshme, por populli ynë gjeti forcën ta vazhdojë ecjen drejt lirisë̈, për t’u ri ngritur nga hiri. E vërteta e Kosovës duhet t’i bëjë jehonë në botë të drejtës sonë. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë ta vendosim drejtësinë në vend - Drejtësi si satisfaksion për viktimat dhe thirrje për brezat, që të mos harrojnë!”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi shprehu falënderim për bashkëpunim në hapjen e kësaj ekspozite për deputetin Gazmend Syla  dhe fotografin e luftës, Alban Bujari.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë dhe akoma sot për fat të keq janë më shumë se 1600 familje që kërkojnë të dinë për fatin e të dashurve të tyre.

“ Dëshmitarë jemi të gjithë dhe fatmirësisht kemi çka të themi në anën e drejtë të historisë. Andaj uroj që jo vetëm të kemi sa ma shumë aktivitete të tilla, mundësi për të thënë të drejtën tonë, por edhe që në mënyrë institucionale ta qojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon si shtet”, tha nënkryetarja Nagavci.

Fotografitë e ekspozuara që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, janë realizuar nga fotografi Alban Bujari i cili tha se këto foto tregojnë për masakrat e Serbisë ndaj popullatës shqiptare civile në Kosovë.

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin edhe familjarët e personave të pagjetur dhe personave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, Bajram Çerkini dhe Nafi Krasniqi, të cilët vlerësuar iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për 6 muaj në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, e më pas do të bartet në ndonjërin nga institucionet e Republikës së Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)