19 Prill 2024

FDHK hap ekspozitën “Më i mirë është varri ise sa mos me ditë”

Prishtinë, 18 nëntor - Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës “Më i mirë është varri ise sa mos me ditë”.

Ekspozita në kujtim të 1622 personave të zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe menjëherë  pas  tij,  duke  përfshirë  vitet  1998  –  2000,  vjen  në  një  kohë  denoncimesh  e zbulimesh të reja të varrezave masive të shumë dyshuara në territorin e Serbisë.  

Më  i  mirë  ish  varri  sesa  mos  me  ditë  është  një  fragment  marrë  nga  biseda  me  Kumrije Jahmurataj, një nga familjarët e shumtë që akoma sot presin më të dashurit e tyre.

Kjo frazë kumbon rëndë po aq sa edhe pritja e pafund e familjarëve, duke marrë shëmbëlltyrën e një shprese makabre.

Të  dhënat  e  1622 personave  në  këtë  ekspozitë nuk  janë  të  dhënat  e  personave të zhdukur apo  të  pagjetur.  

Ato  janë  të  dhënat  e  personave  të  zhdukur  me  forcë,  të  rrëmbyer,  të ekzekutuar dhe të fshehur në varreza masive, të cilat, përgjatë më shumë se 20 viteve që na ndajnë nga  krimet  e  kryera  mbi  popullsinë  e  Kosovës,  janë  tjetërsuar  duke  e  bërë  kërkimin dhe, si rrjedhojë, zbulimin e tyre sa vjen e më të ndërlikuar.  

Mbi ato gjurmë dhe prova ka mbirë bari. Në  hapësirën  që  i  jep  formë,  ekspozita  merr  një  rol  të  vështirë,  në  mungesë  dhe,  në  një shumësi  mungesash  e  të  munguarish,  ajo  bëhet  një  varr  i  përkohshëm  që  nuk  e  përmban njeriun, por vetëm kujtimin për të.   

E kaluara është gjithmonë një mungesë, së pari një mungesë e pranisë dhe, mbi këtë enigmë ndërtohet edhe vepra e prezantuar nga artisti Driton Selmani.

Enigma - është ajo e prezantimit  të  mungesës,  e  përshfaqjesh  së  të  kaluarës  që  ka  shkuar,  të  asaj  që  ruhet  në kujtesë  dhe  që  është  në  thelb  e  pashkatërrueshme.

Duke  ndjekur  dhe  përshtatur  këtij konteksti mendimin e filozofit Paul Ricoeur mbi Memorien, Historinë dhe Harresën, vërejmë se “trauma mbetet, edhe pse është e paarritshme, e padisponueshme.

Në vend të saj lindin fenomene zëvendësimi, simptoma, të cilat maskojnë kthimin e asaj çka ishte e shtypur” dhe se “në rrethana të veçanta, pjesë të tëra të së shkuarës së supozuar mund të kthehen”. (P.R 2004).   

Ndërkohë që gjurmët materiale dhe memoria fizike në formën e dokumenteve dhe arkivave, në formën e trupit, mishit dhe eshtrave është e asgjësueshme dhe e paidentifikueshme dhe, si rrjedhojë, e humbur, gjurmët e lëshuara në sipërfaqen e korteksit cerebral, që shfaqen në formën e kujtimeve, perceptimeve apo rizgjimeve të pavetëdijes, arrijnë të mbijetojnë.

Dhe është  pikërisht  kësaj  kujtese,  së  cilës  i  kushtohet  ndërhyrja  artistike,  kujtesës  së  gjallë  të pashkatërrueshme të atyre që nuk harrojnë.  
 
Gurët dhe koha e instalacionit, në të vërtetë, shkrihen njëra në misionin e tjetrës duke u bërë ekuivalentë.

Një  gur  në  thelb  është  një  shumësi  elementësh  dhe  mineralesh,  të  cilat,  së bashku me kohën, bëjnë të mundur formimin e vetë masës së gurtë.

Gurët  më  shumë  se  çdo  gjë  tjetër  janë  dëshmitarë  të  kohës,  sepse  e  përmbajnë  atë,  e,  në anën  e  saj,  koha  është  dëshmitare  dhe  përgjegjëse  e  secilit  shtresëzim  në  masën  e  gurtë.

Brenda të dy këtyre elementeve përmbahen edhe copat e shpërbëra të këtij njerëzimi barbar ku trupi i përbashkët civil mbetet fushëbeteja e fundme e konflikteve moderne.

Amnistia e performuar nga institucionet ndërkombëtare dhe ato lokale, kohë pas kohe, gjatë këtyre  dy  dekadave  ka  çuar  në  episode  amnezie  të  përgjithshme  kolektive,  përjetësisht  të pambyllur.  

Një  harresë  e  strukturuar  me  një  burokraci  të  shtresëzuar  përgjatë  të  gjitha niveleve të përditshmërisë,  e cila i vret për së dyti viktimat, i asgjëson për të satën herë të zhdukurit  me  forcë.    

Dhe  në  fund,  harron  se  familjarët  dhe  të  dashurit  e  të  zhdukurve  me forcë,  të  cilët  e  kalojnë  jetën  duke  kërkuar  dhe  duke  pritur  përgjigjie,  janë  në  të  vërtetë viktimat që rezistojnë me forcën e këtyre gurëve duke pritur edhe ata një gur, që do të thotë mbyllje, shërim prej ankthit të papërshkrueshëm dhe mundësi për të qarë mbi barin që do të mbijë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)