05 Dhjetor 2022

Diplomacia dhe Kultura kosovare fuqizojnë partneritetin strategjik

Prishtinë, 24 nëntor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sporteve, znj. Vlora Dumoshi, nënshkruan sot Marrëveshjen e Shkallës së Shërbimit midis dy ministrive përkatëse, e cila do të shërbejë për forcimin e diplomacisë kulturore të Republikës së Kosovës përmes fuqizimit të misioneve strategjike nëpër botë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Haradinaj-Stublla tha se kjo marrëveshje është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhdueshme për fuqizimin dhe reformimin e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, përmes së cilës do të zgjerohet gama e përfaqësimit të Kosovës nga ai diplomatik e ushtarak, tani edhe në atë kulturor.

“Shteti ynë po fiton çdo ditë miq të rinj, e përkrahës të pashoq në rrugën e tij të konsolidimit dhe prezencës në botë. Por, Kosova ka edhe Ambasadorë pa kredenciale e pa grada diplomatike që përfaqësojnë çdo ditë e vullnetshëm në mënyrën më të dinjitetshme Kosovën dhe vlerat e saj kulturore, artistike, sportive, akademike etj” – u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla.

Ajo tha se deri tani Kosova është përfaqësuar në mënyrë të shkëlqyer nëpër botë, nga njerëzit tanë të cilët kanë arritur rezultate kulminante në kulturë e sport siç janë; Rita Ora, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Majlinda Kelmendi, Lorik Cana e shumë e shumë të tjerë, e të cilët kanë qenë me vite ambasadorë të kulturës e vlerave shqiptare kudo që kanë vepruar e punuar.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, me ministren Dumoshi kemi arritur për herë të parë të ndërtojmë një platformë për diplomacinë kulturore, kjo formë e vyer e përfaqësimit të vlerave tona të përbashkëta, deri më tani e pazhvilluar. Me këtë marrëveshje jemi zotuar të rrisim prezencën e imazhit, kulturës, traditës së Kosovës në misionet tona diplomatike dhe përmes tyre anembanë botës.”

Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, znj. Vlora Dumoshi, tha se me anë të kësaj Marrëveshje mundësohet emërimi i Atasheve Kulturorë të cilët do të promovojnë kulturën e Republikës së Kosovës në vendet ku ata akreditohen.

“Atashe Kulturorë do të emërohen figurat eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit tonë në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës  duke u bazuar në synimin e përbashkët për fuqizimin e diplomacisë kulturore dhe sportive.” – u shpreh ajo.

Diplomacia publike dhe ajo kulturore do të ndihmojnë revitalizimin e përfaqësimit dhe imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, tashmë edhe me mbështetjen institucionale prej dy Ministrive përkatëse që kanë lidhur këtë marrëveshje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)