19 Qershor 2021

Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” mbanë gjallë kujtesën historike

Prishtinë, 7 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, sot kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. 

Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin e saj për ministrin Çeku për gatishmërinë e tij të menjëhershme që ta mbështesë bashkërisht edhe me Bibliotekën Kombëtare, por edhe institucionet tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës, projektin për Bibliotekën Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

Ky projekt, sipas Presidentes Osmani është i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale dhe do ta mbajë emrin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Siç e përmenda kjo bazohet në modelin amerikan dhe rrjedhimisht kemi marrë edhe përkrahje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili do të dërgojë një ekspertë për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë duke u bazuar në këtë model. Në të njëjtën kohë sipas memorandumit të bashkëpunimit që nënshkruam sot me ministrin Çeku, edhe Biblioteka Kombëtare, edhe Muzeu, por edhe Arkivat e Kosovës do të ndihmojnë që të punojmë së bashku për zhvillimin e fondeve për bibliotekën”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes, Biblioteka Kombëtare do ta ofrojë të gjithë bibliografinë e Presidentit Rugova, siç janë librat, artikujt e tij, por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të. Më tej, ajo ka bërë të ditur se dhe Familja Rugova ka premtuar dhurimin e arkivit personal.

“Lajmi i rëndësishëm është që po ashtu familja e Presidentit Rugova ka vendosur që të gjithë arkivin e Presidentit t’ia vë në dispozicion Bibliotekës Presidenciale”, ka theksuar Presidentja.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani i ka ftuar të gjitha institucionet bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë material siç janë librat, artikujt, revistat, fotografitë apo eksponatet e Presidentit Rugova.

“Në këtë mënyrë do të ruhen në kujtesën tonë historike  përpjekjet e një populli të tërë për liri dhe pavarësi, e mbi të gjitha për shtetndërtim. Për të treguar se në këtë proces të shtetndërtimit edhe kujtesa institucionale, edhe memoria institucionale janë tejet të rëndësishme”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ndërsa, Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport Hajrulla Çeku, ka thënë se duke e kriju këtë institucion dhe duke e pagëzu me emrin e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, përveç që e nderojmë figurën e tij, e nderojmë edhe kombin, edhe Republikën e Kosovës.

“Ne si Ministri e Kulturës bashkë me institucionet që janë në varësi të Ministrisë, me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Muzeun Kombëtar të Kosovës, Arkivave Shtetërore dhe të gjitha pjesët përbërëse do të jemi në dispozicion, do ta marrim me shumë seriozitet këtë detyrë kaq të rëndësishme dhe fisnike në të njëjtën kohë. Prandaj, përveçse kënaqësi ne ndjejmë edhe obligim në të njëjtën kohë që t’i përgjigjemi kësaj nisme, të bëhemi pjesë e Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova””, ka thënë ministri Çeku.

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Qershor 2021 - Pishina e Gërmisë hap dyert për sezonin veror 2021. (Gërmia, Prishtinë, ora 10:00)    

- Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD promovojnë librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”. (Biblioteka Kombëtare, ora 11:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës në të cilen do të shqyrtojë dhe miratojë rekomandimit për caktimin lartësisë së Shpenzimeve të Fushatës për zgjedhjet lokale 2021. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën homazhe te varri i veprimtares Nekibe Kelmendi, në 10 vjetorin e vdekjes. (Varri i Nekibe Kelmendi, ora 12:00)

- Komuna e Mitrovicës do të bejë përurimin e rrugës së asfaltuar në fshatin Kovaqicë të Shalës së Bajgores. (Fshati Kovaqicë, ora 14:00)