19 Prill 2024

Nevojiten programe të reja në gjeoshkencë për zhvillimin e resurseve minerale

Mitrovicë, 9 tetor - Për zhvillim të qëndrueshëm nga resurset minerale që i posedon Kosova, nevojitet hapja e programeve të reja në fushën e gjeoshkencave.

Kështu u konkludua të premten në përmbyllje të  Konferencës së Dytë Ndërkombëtare Multidiciplinare “Gjeoshkencat dhe zhvillimi i qëndrueshëm” IMGC 2020, e cila u mbajt online në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB).

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, ka përgëzuar Këshillin Organizativ për mbajtjen e edicionit të dytë të kësaj konference, përkundër  sfidave që janë paraqitur nga pandemia me Covid-19. “Kjo konferencë është një ngjarje e shënuar jo vetëm për UMIB-in, mirëpo edhe për vetë kalendarin e ngjarjeve shkencore në Kosovë”, tha ai.

Dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci, tha se nga konferenca, por edhe takimet që janë zhvilluar me ekspertë të fushës nëpër universitete të ndryshme evropiane, është vërejtur nevoja për hapjen e programeve të reja në gjeoshkencë për t’u përshtatur me nevojat e tregut. “Kosova posedon resurse të mëdha minerale, ndërsa mbetet që të punohet për zhvillimin e ekspertëve të kësaj fushe”, tha ai.

Avdi Konjuhi, nga Këshilli i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), propozoi që në kuadër të konferencës herëve tjera të futet në program edhe një ekspeditë shkencore, ndërsa Skënder Sallahi nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, potencoi rëndësinë e identifikimit të nevojave dhe hapave që duhet të ndërmerren për zhvillimin e sektorit minerar.

Kryetari i Këshillit Organizativ, Sabri Avdullahi, tha se në kuadër të kësaj konference, me punimet e tyre janë prezantuar 31 studiues  nga vende të ndryshme. “Përveç nga Kosova dhe Shqipëria, në konferencë kanë marrë pjesë edhe studiues nga Finlanda, Sllovenia, Kanadaja dhe Hungaria”, tha ai.

Konferenca është organizuar nga Fakulteti i Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, kurse bashkëorganizator kanë qenë Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)