16 Maj 2022

Industria turke e dronëve përfiton nëse fiton Ukraina

Kiev, 30 mars - Dronët e prodhimit turk kanë luajtur rol të madh në rezistencën e Ukrainës kundër agresionit rus, duke shkatërruar objektiva të rëndësishëm rusë në javët e para të luftës.

Por konflikti dhe çdo mundësi për një fitore ruse, kanë ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e industrisë së dronëve turq, që po rritet me shpejtësi dhe që përdorin motorë të prodhuar në Ukrainë.

Në një nga videot e shumta, të publikuara nga ushtria ukrainase, shihet një dron i prodhimit turk “Bayraktar” që shkatërron një tank rus, ndërsa pilotët që e komandojnë mjetin nga larg brohorasin. Por dronët turq punojnë me motorë të prodhuar në Ukrainë.

Samuel Bennet i Qendrës për Analizat Detare me qendër në Shtetet e Bashkuara paralajmëron se çdo fitore ruse në Ukrainë mund të frenojë industrinë e dronëve turq që po rritet me shpejtësi të madhe.

“Rusia e sheh modelin TB2 të dronit Bayraktar si një armë dhe teknologji shumë konkurruese, jo vetëm në hapësirën ish-sovjetike, por edhe në tregun global të mjeteve ajrore. Rusët janë nervozë që droni Bayraktar po depërton në hapësirën ish-sovjetike, në Kaukaze, Azinë Qendrore dhe tani në Ukrainë."

"Nëse rusët do të ushtronin fuqinë e tyre të plotë në negociata, ndoshta do të kërkonin të kufizonin bashkëpunimin ushtarak mes Ukrainës dhe Turqisë, në mënyrë që të bllokonin avantazhinin në rritje të Ankarasë në teknologji të caktuara si dronët”, thotë Bennet.

Ukraina, jo vetëm që ofron motorë të një teknologjie të lartë, por gjithashtu nuk vendos kufizime për kompanitë turke që i shesin ato për palë të treta. Përdorimi i dronëve turq në konflikte, si lufta civile në Etiopi, ka nxitur kritika ndërkombëtare nga grupe të të drejtave të njeriut.

James Rogers, asistent profesor për Studimet e Luftës në Universitetin e Danimarkës Jugore, (SDU), thotë se industria turke e dronëve nuk do të kishte të njëjtën liri përdorimi nëse do t’i blinte motorët nga aleatët e saj perëndimorë.

“Ka më shumë kufizime kur furnizohesh me pjesë nga Mbretëria e Bashkuar, Evropa ose Amerika, dhe kjo është diçka që Turqia patjetër do ta ketë parasyshë. Dihet që Shtetet e Bashkuara përzgjedhin se kujt i shesin dronë dhe pjesë këmbimi. Kjo është një prej arsyeve se pse Turqia filloi programin e dronëve, sepse Kongresi amerikan nuk do të miratonte shitjen e dronëve të gjeneratës ‘Reaper-Predator’ që fluturon në lartësi të mesme dhe ka qëndrueshmëri të lartë.”

Në fillim të vitit, dështoi një marrëveshje e rëndësishme mes Turqisë dhe Pakistanit për shitjen e helikopterëve ushtarakë sepse Uashingtoni kufizoi përdorimin e motorëve amerikanë.

Përveç kësaj, Kongresi ka vënë në zbatim kontrolle të shtuara mbi furnizimet e komponentëve ushtarakë për Turqinë lidhur me blerjen nga Ankaraja të sistemit të raketave ruse të mbrotjes të tipit S400.

Ndërsa Ankaraja është vlerësuar nga Uashingtoni për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, Aaron Stein, me Institutin Kërkimor për Politikën e Jashtme, thotë se nuk pret që Uashingtoni të ndryshojë qendrim ndaj Turqisë.

“Njëra anë e të menduarit është se Turqia ka qëndrim të pafavorshëm ndaj Shteteve të Bashkuara. Nuk është më aleate, është kundërshtare. Pra, duhet trajtuar si e tillë. Por vija tjetër e mendimit është se Turqia po keqkuptohet dhe ajo duhet afruar sepse është e rëndësishme. Qeveria është diku në mes, dhe zhvillimet aktuale i përforcojnë qendrimet në të dyja anët”.

Duke patur parasysh sfidat e gjetjes së një alternative për motorët ukrainas, industria turke e dronëve ka të ngjarë të përqendrohet tek dronët për të penguar ambiciet e Moskës dhe për të siguruar Kievin dhe të ardhmen e tij.

 

(Voa)

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 maj 2022

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung, hapin nesër në Pejë edicionin e 8-të të Shkollës Diplomatike Verore. (Hotel Dukagjini në Pejë, ora 9:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, viziton familjen e veprimtarit Ukshin Hoti. (Krushë e Vogël, ora 9:50)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00‪)

- Konstituohet  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- ECIKS organizon ngjarjen përmbyllëse të programit Access - “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, program ky i cili përgjatë katër viteve pati për qëllim të lehtësojë zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, Goethe Zentrum hap dyert për të gjithë të interesuarit për tu njoftuar me ofertart e tyre. (Goethe Zentrum në Prishtinë, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me ekspertin e angazhuar nga UN Women lidhur me përfundimin e draftligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- OJQ Aktiv ka kënaqësinë t'ju ftojë në promovimin e ueb faqes “Miqësia Serbo-Shqiptare”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicë, Mbreti Petri I, 183a, ora 11:00)

- Me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së profesorit, politologut dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare Mr. Ukshin Hoti, do të bëhet një vizitë në Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit. (Fshati Krushë e Madhe, ora 11:00)

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes zyrtare e edicionit te dytë të panairit Max fest. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrtion raportin me rekomandime për Projektligjin për turizmin dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Brestoc, Hoçë e Vogël. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Brestoc dhe Hoçë e Vogël, ora 17:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, shfaqet filmi "Sami, Joe und ich" nga Karin Heberlein si dhe mbahet diskutim me temë "Diaspora në Kinema: Promovimi i imazhit të Kosovës në vende gjermano folese. (Kinema Armata, ora 18:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Nagac dhe Celinë. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Nagac dhe Celinë, ora 18:00)

- Shfaqet premiera e dokumentarit “Babai dhe Babai”. (Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, ora 20:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatit Krushë e Madhe. (Shtëpia e Kulturës “Muhamet Malsori”, ora 20:00)