16 Maj 2022

Gjermania do t’i japë fund plotësisht varësisë së saj nga nafta dhe gazi rus

Berlin, 29 mars - Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se vendi i saj do t’i japë fund plotësisht varësisë së saj nga nafta dhe gazi rus.

Duke folur në një konferencë për energjinë të organizuar në Berlin, Baerbock kritikoi presidentin rus, Vladimir Putin, duke theksuar se lufta e tij kundër Ukrainës ka ndryshuar gjeopolitikën dhe vlerësimet e sigurisë së Gjermanisë.

"Kjo shkaktoi shumë vuajtje për miliona njerëz, por gjithashtu na bëri të qartë se ne duhet të jemi plotësisht të pavarur nga importet ruse të karburantit", tha Baerbock.

Shefja e diplomacisë gjermane kritikoi qeveritë e mëparshme të vendit të saj për mos ndërmarrjen e masave serioze për të reduktuar varësinë e vendit nga importet e gazit, naftës dhe qymyrit rus.

Ajo tha se aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 çoi në diskutime në Evropë për ndryshimin e importeve të energjisë, por sipas saj, qeveritë nuk ndërmorën ndonjë hap të madh.

"Dhe, tani ne i shohim pasojat e kësaj në një mënyrë shumë tragjike", u shpreh Baerbock.

Rusia furnizon 55 për qind të gazit natyror, 35 për qind të naftës dhe 45 për qind të qymyrit të Gjermanisë.

Javën e kaluar, qeveria gjermane njoftoi një plan ambicioz për të reduktuar ndjeshëm varësinë e saj energjetike tashmë një kohë të gjatë nga Rusia.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 maj 2022

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung, hapin nesër në Pejë edicionin e 8-të të Shkollës Diplomatike Verore. (Hotel Dukagjini në Pejë, ora 9:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, viziton familjen e veprimtarit Ukshin Hoti. (Krushë e Vogël, ora 9:50)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00‪)

- Konstituohet  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- ECIKS organizon ngjarjen përmbyllëse të programit Access - “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, program ky i cili përgjatë katër viteve pati për qëllim të lehtësojë zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, Goethe Zentrum hap dyert për të gjithë të interesuarit për tu njoftuar me ofertart e tyre. (Goethe Zentrum në Prishtinë, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me ekspertin e angazhuar nga UN Women lidhur me përfundimin e draftligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- OJQ Aktiv ka kënaqësinë t'ju ftojë në promovimin e ueb faqes “Miqësia Serbo-Shqiptare”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicë, Mbreti Petri I, 183a, ora 11:00)

- Me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së profesorit, politologut dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare Mr. Ukshin Hoti, do të bëhet një vizitë në Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit. (Fshati Krushë e Madhe, ora 11:00)

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes zyrtare e edicionit te dytë të panairit Max fest. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrtion raportin me rekomandime për Projektligjin për turizmin dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Brestoc, Hoçë e Vogël. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Brestoc dhe Hoçë e Vogël, ora 17:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, shfaqet filmi "Sami, Joe und ich" nga Karin Heberlein si dhe mbahet diskutim me temë "Diaspora në Kinema: Promovimi i imazhit të Kosovës në vende gjermano folese. (Kinema Armata, ora 18:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Nagac dhe Celinë. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Nagac dhe Celinë, ora 18:00)

- Shfaqet premiera e dokumentarit “Babai dhe Babai”. (Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, ora 20:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatit Krushë e Madhe. (Shtëpia e Kulturës “Muhamet Malsori”, ora 20:00)