19 Janar 2022

ZKA-ja nisë auditimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve

Prishtinë, 10 janar - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”.  

Trajtimi i kësaj teme të auditimit është me rëndësi të veçantë pasi që shfrytëzimi i ujërave për prodhimin e energjisë elektrike duhet të bëhet në mënyrën e duhur duke mos ndikuar në cilësinë dhe rrjedhën e ujërave.

Raportimet e ndryshme në media dhe hulumtimet fillestare në fazën e planifikimit në këtë fushë tregojnë se ka indikacione që procesi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi dhe mungesë të transparencës.

Poashtu ka indikacione për moskoordinim mes palëve përgjegjëse gjatë procesit të licencimit, mungesë të mbikëqyrjes së duhur nga institucionet përgjegjëse që për pasojë mjedisi mund të rrezikohet nga kjo veprimtari.

Ndikimi që ka kjo veprimtari në mjedis dhe treguesit fillestar të problemeve në këtë fushë kanë shërbyer që ZKA-ja të fillojë këtë auditim.  

Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi i dhënies së licencave për hidrocentralet dhe aktivitetet e institucioneve publike për mbrojtjen e mjedisit nga veprimtaria e hidrocentraleve.

Qëllimi  kryesor i këtij auditimi është që të kontribuojë në përmirësimin e procesit të licencimit dhe të sigurojë se shfrytëzimi i ujërave bëhet në mënyrë më efikase dhe efektive duke arritur qëllimin e synuar dhe të sigurohet mbrojtja e ujërave dhe mjedisit.

Procesit të auditimit do t’i nënshtrohen  Zyra e Rregullatorit të Energjisë; Ministria  e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministria e Ekonomisë si dhe komuna e Dragashit, Mitrovicës, Deçanit dhe komuna  e Shtërpcës.

Poashtu, auditimit mund t’i nënshtrohen edhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit varësisht nëse kanë ndërlidhje me fushën e audituar.

Në kuadër të këtyre institucioneve fokus i auditimit do të jenë departamentet e lëshimit të lejeve dhe departamentet e inspektoratit lidhur me ndikimin në mjedis dhe ujëra.

Fushëveprimi do të fokusohet te dhënia e licencave për hidrocentralet përgjatë viteve 2015 -2020 dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra.
 
Qëllimi kryesor i ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë është arritja e cakut prej 25% krahas marrëveshjes së Direktivës së vendosur të BE-së 2019/32/EC për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2020 duke zvogëluar ndikimin në mjedis dhe ujëra.

Në Kosovë përgjatë viteve 2015–2020 janë ndërtuar rreth 20 hidrocentrale të vogla të cilat ofrojnë një kapacitet të prodhimit rreth 86 MW.

Hidrocentralet duhet të ndërtohen në koncesion me institucionet publike, të pajisen dhe të zbatojnë rregullat dhe kriteret e lejeve mjedisore me qëllim të mbrojtjes së ujërave dhe mjedisit dhe të sigurojnë cilësinë e prurjes së ujërave dhe rrjedhën e tyre.

Aktivitetet e secilit institucion përgjegjës për ndërtimin e hidrocentraleve dhe funksionalizimin e tyre me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e pajtueshmërisë, ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit.

Po ashtu të ofrojnë transparencë dhe trajtim të barabartë për operatorët ekonomik të cilët synojnë shfrytëzimin e ujërave për prodhim të energjisë.

ZKA-ja është e përkushtuar të kryej tema relevante dhe të rëndësishme për Kuvendin e Kosovës dhe qytetarët duke ofruar rekomandime të dobishme për mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)