09 Dhjetor 2022

Qeveria është duke adresuar ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave

Prishtinë, 9 nëntor - Konferenca e përbashkët ballkanike është ngjarja më e rëndësishme për profesionistët e fushës së ujërave të Shqipërisë, Kosovës, të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Konferencës dhe Ekspozitës së 10-të të Përbashkët Ballkanike "Ujërat Nëntokësorë – Të Bëjmë të Padukshmen të Dukshme".

Kryeministri Kurti theksoi se për më tepër, kjo konferencë e përvitshme mban në vëmendje rëndësinë jetike që ka furnizimi me ujë dhe shërbimet e kanalizimit, si dhe promovon shkëmbimin e përvojave teknologjike dhe ofron një perspektivë për profesionistët e rinj të sektorit.

Më tej, kryeministri Kurti ka potencuar se mbetet i dukshëm injorimi prej dy dekadash i keqmenaxhimit, ndotjes dhe degradimit të burimeve ujore, nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit, tejshfrytëzimi, ndotja dhe mungesa e planifikimit, ndërsa ka theksuar se Qeveria nën drejtimin e tij, është mobilizuar në disa fronte për ta adresuar këtë sfidë: duke u nisur nga forcimi i kornizës ligjore dhe kthimi i ligjshmërisë për të adresuar lejet ujore si dhe koncesionet për shfrytëzuesit komercial; e duke vazhduar me veprimet konkrete për adresimin e nevojës për ndërtimin e akumulimeve të reja, duke filluar nga ato që janë prioritet i padiskutueshëm, siç është diga e Firajës që do të sigurojë ujë për rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës dhe diga e Kamenicës, për të siguruar ujin e nevojshëm për zonën më të thatë me ujëra.

Po ashtu, kryeministri tha se tashmë është iniciuar hartimi i studimeve të fizibilitetit për tri diga të reja: Dragaqinë në Therandë, Pollatë në Podujevë dhe Kuçicë në Skenderaj, si dhe hartimi i një plani në nivel të Kosovës për ndërtimin e digave të reja, që është një përditësim i masterplanit të ujërave të vitit 1982, pra pas plotë 40 viteve.

“Qeveria po ashtu është duke adresuar seriozisht ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave – së fundmi e kemi inauguruar impiantin në Pejë, e javëve në vijim presim ta bëjmë edhe inaugurimin e impiantit në Gjakovë. Në rend janë impiantet rajonale të Prishtinës së bashku me Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, dhe të Mitrovicës së bashku me Vushtrrinë, e gjithashtu edhe impianti në Gjilan. Synojmë t`i përfundojmë studimet për trajtimin e ujërave të ndotura për 12 komunat tjera me rend sipas madhësive”, tha ai.

ʉۻ

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)