29 Mars 2024

Nënshkruhet granti 1.5 milion euro për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë

Prishtinë, 17 qershor - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati dhe Kryeshefi Ekzekutiv i N.P. “Termokos” z. Arsim Fetahu kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Investime, e cila i mundëson N.P “Termokos” që të përfitojnë grant mbështetës në vlerë prej 1.5 milion euro.

Kjo marrëveshje parasheh financimin e përditësimit të planit të ngrohjes qëndrore, zhvillimin e dizajnit preliminar për zgjerimin e rrjetit, si dhe ofrimin e shërbimeve të tjera të nevojshme për implementimin e zgjerimit të rrjetit të ngrohjes në kryeqytet.

Kjo do të sigurojë pjesë të tjera të kryeqytetit të përfshihen në sistemin e ngrohjes qëndrore, duke ulur kostot për ngrohje gjatë dimrit dhe duke ngritur efikasitetin e sistemit të ngrohjes në vend.

Po ashtu, marrëveshja parasheh edhe hartimin e një plani për dekarbonizimin e sistemit të ngrohjes në Prishtinë, i cili do të asistojë në avancimin e agjendës së, gjelbër krahas premtimeve të Qeverisë.

Me rastin e nënshkrimit, zv. Presidentja e BEI-së, znj. Lilyana Pavlova, është shprehur se “Si bankë e BE-së, ne synojmë të ndihmojmë Ballkanin Perëndimor të rrisë sigurinë energjetike dhe të mbështesim dekarbonizimin e ekonomive lokale, që është thelbësore për përmbushjen e kushteve të konvergjencës për anëtarësim në BE."

"Kjo asistencë teknike do të ofroj një plan për të siguruar qëndrueshmëri të sektorit të energjisë në Prishtinë dhe ndër të tjera do të përmirësoj kushtet e jetesës së njerëzve në Kosovë falë shërbimeve më efikase të ngrohjes që do të ofrohen me çmime të përballueshme.”

Ministri Murati me këtë rast vlerësoi lartë bashkëpunimin e mirë që Kosova ka me BEI si një nga partnerët kyç për të avancuar reformën e sistemit të energjisë dhe agjendën e gjelbër në përgjithësi.

 Ai theksoi se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, duke qenë se rritja e efikasitetit të sistemit të ngrohjes dhe zgjerimi i saj do ta bëjnë më të përballueshme dhe më kualitative jetën e qytetarëve, sidomos gjatë muajve të dimrit, duke ulur edhe ndotjen që i shkaktohet ambientit nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me Programin Qeverisës, mbetet e përkushtuar drejt sigurimit të menaxhimit të drejtë dhe profesional të ndërmarrjeve publike në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)