06 Shkurt 2023

Në Gjilan vazhdon kampanja e pastrimit “Green & Clean”

Gjilan, 26 prill – Ka vazhduar edhe sot në Gjilan kampanja e pastrimit “Green & Clean”, ku mori pjesë edhe kryetari Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, qytetarë, aktivistë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Aktivitetet e kampanjës së pastrimit kanë nisur në sheshin e qytetit, për të vazhduar me pastrimin e QKMF-së, pastrimin e fshatit Velekincë dhe dy shkollat, “Musa Zajmi” e “Mulla Idriz Gjilani”.

Kryetari Hyseni u ka bërë thirrje sërish qytetarëve të Gjilanit që t’i bashkohen fushatës së pastrimit.  

“Përveç pastrimit, të kujdesemi që gjendjen të mos e kthejmë më herët para kampanjës së pastrimit”, ka thënë kryetari Hyseni.

Kampanja e pastrimit vazhdon më 28 prill në lagjen Dardania (10:00), për të vazhduar në fshatin Miresh (13:00), në shkollat fillore “Selami Hallaqi” e “Nazim Hikmet” (14:00) dhe pastrimi i kampusit të shkollave të mesme (16:00).

Kampanja e pastrimit “Green & Clean” ka nisur më 22 prill dhe do të zgjasë deri më 5 qershor.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)