28 Mars 2024

Ministrja e Jashtme Gjermane e hap parkun më të madh të erës në Bajgorë

Mitrovicë, 11 mars - Sot, në një mot me ngrica dhe erëra të akullta, Ministrja e Jashtme Gjermane, Annalena Baerbock, iu bashkua Kryeministrit të Albin Kurti në inaugurimin e parkut të erës „Selac Windpark“ në Bajgorë të Mitrovicës.

Projekti gjermano-izraelit në vlerë prej 169 milion euro, përbën investimin më të madh të huaj të drejtëpërdrejtë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Parku i erës do të prodhojë 103 MW energji për rreth 70.000 amvisëri kosovare. Turbinat e para kanë filluar prodhimin e energjisë që në tetor të vitit 2021, pikërisht me kohë për të rritur prodhimin e energjisë në Kosovë gjatë dimrit, kur edhe është konsumi më i lartë.

“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të rinovueshme” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  në ceremoninë e inaugurimit të parkut të ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës.  

Në këtë ceremoni, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock,  kryeministri Kurti vlerësoi këtë investim strategjik dhe veçanërisht përkushtimin e ministres gjermane Baerbock për zhvillimin e Kosovës.

“Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të heqim gradualisht qymyrin duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë hapjes Ministrja e Jashtme Baerbock deklaroi se parku i erës “Selac Windpark” është një hap qenësor në rrugën e Kosovës drejt tranzicionit të gjelbër. Gjithandej Ballkanit Perëndimor ekziston një potencial i madh, akoma i pashfrytëzuar për energji solare dhe me erë.

"Gjermania përmes politikës së saj të re të jashtme për çështje klimatike, është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën në këtë fushë thelbësore: për të përmbushur objektivat e Evropës dhe botës për sa i përket klimës dhe për të ndihmuar në ruajtjen e planetit."

"Për të furnizuar qëndrueshëm qytetarët me energji dhe rrymë dhe për të përmirësuar sigurinë tone energjetike. Parku i erës në Selac ofron një fllad të energjisë së pastër në Kosovë. Ai shënon një gur të rëndësishëm kilometrik në zhvillimin e vendit tuaj”, ka thënë Baerbock.

Parku i erës SOWI është në pronësi dërmuese të kompanisë izraelite Enlight me bashkë-investues nga Gjermania dhe Kosova. Kreditë janë ofruar nga BERZH-i, Erste Bank (Austri) dhe NLB Bank (Slloveni).

Turbinat, shtyllat dhe krahët janë prodhuar në Gjermani. Procesi i ndërtimit është mbikqyrur nga Notus Energy nga Potsdami në Gjermani. Eksporti i komponenteve gjermane është mbuluar nga një garancion i sigurimit i shoqërisë gjermane Euler-Hermes.

Parku i erës që operon në një lartësi prej rreth 1.900 metra mbi nivelin e detit, përbëhet nga 27 turbina, secila me një kapacitet prej 3,83 MW.

Kjo e bën parkun prodhuesin më të madh të energjisë ripërtëritëse në Kosovë. Investitorët gjithashtu kanë ndërtuar një linjë ajrore prej 19.4 për të lidhur parkun me rrjetin energjetik të Kosovës. Energjia me erë i shitet operatorit shtetëror të Kosovës KOSTT me një çmim prej 85 EUR/MWh për një periudhë 12-vjeçare; ky çmim fiks është vendosur me ligj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)