20 Prill 2024

Limak & Çalik, ofertues të preferuar në privatizimin e KEDS-it

Prishtinë, 8 qershor - Komiteti Qeveritar i Privatizimit (KQP) ka shpallur konsorciumin Limak Yatirim Enerji&Çalik Enerji Sanayi ofertuesin e preferuar në procesin e privatizimit të Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), pasi që ofroi çmimin më të lartë.

Propozimi i KQP-së erdhi pasi Komisioni për Vlerësimin e Ofertave për Privatizimin e KEDS-it konstatoi se Limak&Çalik ka ofruar ofertën prej 26.3 milionë, kundrejt kompanisë Elsewedy Electric S.A.E  e cila ofroi, 22.8 milionë euro.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në cilësinë e kryesuesit të KQP-së tha se kriteri i vetëm i vlerësimit të ofertave finale ishte kriteri financiar, ndërsa vlerësoi se i tërë procesi është realizuar në harmoni të plotë me të gjitha aktet ligjore në fuqi, konform standardeve më të larta ndërkombëtare dhe me transparencë të plotë.

Beqaj e ka quajtur këtë proces tejet të suksesshëm duke u bazuar në krizën dhe recesioni ekonomik në vendet e Eurozonës dhe më gjerë, çka ka ndikuar në zvogëlimin e interesimit të ndërmarrjeve nga këto vende për investime në rajon.

Ministri tha se ka një përkushtim maksimal që mangësitë dhe përvojat jo të mira në vendet e rajonit të mos përsëriten në Kosovë, ndërsa përsëriti se Qeveria e Kosovës nuk do të subvencionojë humbjet dhe në këtë mënyrë nuk do të ngarkohet buxheti i shtetit dhe konsumatori final.

Kreu i MZHE-së ka falënderuar përfaqësuesit e KOSTT, KEK, ZRrE dhe Grupit Teknik të Energjisë, për kontributin e dhënë në hartimin e dokumenteve dhe përmbylljen me sukses të këtij proces, USAID-in për mbështetjen e dhënë për implementimin e këtij projekti dhe gjithashtu edhe KfW-në, Bankën Botërore, Komisionin Evropian për kontributin e dhënë në këtë proces.

Më pas, Bernard Atlan – (IFC) këshilltar i transaksionit ka bërë një përmbledhje të shkurtër të procesit të transaksionit, duke vlerësuar se i tërë procesi është zhvilluar sipas dinamikës dhe rregullave të parapara.

Roxane Suratgar përfaqësuese e USAID-it në cilësinë e vëzhguesit në këtë projekt është shprehur e sigurt që Qeveria e Kosovës e ka menaxhuar procesin e privatizimit të KEDS-it në mënyrë transaprente dhe profesionale sipas standardeve më të larta ndërkombëtare andaj e mbështet tërësisht vendimin e KQP-së.

Ndërsa, Joe Oliver – këshilltar i lartë financiar në Deloitte, gjithashtu vëzhgues në proces tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të siguruar transparencë dhe qasje të plotë dhe të hapur në informatat gjatë tërë procesit të privatizimit të KEDS-it ku ka përfshirë edhe angazhimin e palëve të interesit dhe ekspertë për t’i shqyrtuar të gjitha dokumentet përkatëse, ndërsa të gjitha kompanitë e parakualifikuara kanë pasur qasje të barabartë në këtë proces. 

Nga ana e tij, përfaqësues i konsorciumit Limak& Çalik, Ismail Ergunes e ka vlerësuar këtë proces jashtëzakonisht transparent dhe të drejtë, ndërsa shtoi se i njohin mirë të gjitha problemet në rrjetin e shpërndarjes së Kosovës.

Ai tha se nëse u jepet ky projekt do të avancojnë rrjetin e shpërndarjes dhe do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve, duke theksuar se çmimi nuk është gjëja më e rëndësishme nëse dëshirojmë shërbime cilësore dhe siguri të furnizimit me energji elektrike, ngase kjo kërkon më shumë investime në rrjet.

Ndryshe, propozimi i Komitetit Qeveritar të Privatizimit duhet të marrë aprovimin e kabinetit Qeveritar në mënyrë që konsorciumin Limak &Çalik të shpallet zyrtarisht fitues në privatizimin e KEDS-it.

   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)