25 Shtator 2021

Kryeministri Kurti vizitoi kompanitë për energji të ripërtëritshme

Prishtinë, 27 korrik - Bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi kompani të ndryshme për energji të ripërtëritshme në Forumin e Solareve të Kosovës - "Kosova Solar Forum 2021", në Prishtinë.

Në forumin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), pjesëmarrëse ishin kompani të fushave të ndryshme, nga projektimi e disenjimi deri te prodhimi e instalimi.

Aty, kryeministri e ministrja u njoftuan nga afër me problemet që i hasin kompanitë, nga mungesa e kualifikueshme e punëtorëve e deri te barrierat e trashëguara nga e kaluara.   

Kryeministri tha se në Strategjinë e Energjisë që do të hartohet së shpejti, energjia e ripërtëritshme dhe mundësitë që qytetarët të shfrytëzojnë përfitimet e kësaj energjie do të jenë prioritet.

''Kësisoj, ne si Qeveri shohim se sektori privat vendor ka mundësi ideale që të shfrytëzojë këtë ndryshim, duke rritur kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe njëkohësisht duke kontribuar në krijimin e vendeve të punës në profesione të reja të industrisë së gjelbër'', shtoi kryeministri Kurti.'

Forumi i Solareve të Kosovës ofroi hapësirë për të diskutuar e informuar një agjendë potenciale të energjisë së ripërtëritshme nëpërmjet koordinimit, dialogut dhe angazhimit mes agjencive kryesore qeveritare, akterëve të tregut të energjisë, zhvilluesve vendorë të burimeve të ripërtëritshme, agjencive ndërkombëtare, institucioneve financiare ndërkombëtare (IFI), bankave tregtare dhe organizatave të shoqërisë civile.

 

 

​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Shtator 2021

- Federata e Pingpongut organizon 3 xhirot e radhës në ligën e juniorëve dhe 1 xhiro në ligen e junioreve ku do te mbahet ndeshja ndërmjet ‘Ahmet Hoxha MK’ vs ‘Lidhja e Prizrenit’. (SHMU Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës dhe njëherësh kandidati për kryetar të Komunës nga Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, Mytaher Haskuka, do të vizitojë fshatin Nashec. (Oborri i shkollës së fshatit Nashec, ora 18:00)