27 Janar 2023

KOSTT dhe Elektrosever arrijnë marrëveshje për rrymën në veri 1

Prishtinë, 19 tetor -Bashkimi Evropian (BE) ka bërë të ditur se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe, Elektrosever, në Mitrovicën e Veriut, kanë arritur marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar te KOSTT-i të dhënat e konsumatorëve në veri, ashtu siç parashihet edhe me Udhërrëfyes.

BE-ja tha se marrëveshja është arritur nën ndërmjetësimin e saj, pasi Kosova ka nisur procedurat për t’i hequr licencën kompanisë serbe, Elektrosever, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të parapara me Udhërrëfyes.

“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve, sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor, KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektrosever-i ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i BE-së.

Sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, nëse Elektrosever nuk do t'i përmbushte kriteret e parapara me Udhërrëfyesin 100 ditë pas marrjes së licencës - gjë që edhe ka ndodhur - atëherë do të zhvilloheshin konsultime 15-ditore nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe pas kësaj periudhe, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) do të mund të vendoste për pezullimin apo tërheqjen e licencës për Elektrosever-in.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)