07 Shkurt 2023

Kosova dhe SHBA nënshkruajnë marrëveshje në vlerë prej 236 milionë dollar

Washington, 28 korrik - Në Kongresin Amerikan, në prezencë të Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti,  si dhe Ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollar.

Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vie pas përmbylljes së suksesshme të negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së.
 
Me këtë rast, Presidentja Osmani tha se: “Sot, SHBA-të, përmes MCC-së, rikonfirmuan mbështetjen e palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë për të na ndihmuar të avancojmë më tej në aspektin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm”.
 
Ajo po ashtu theksoi se si rezultat i zhvillimeve në fushën e sigurisë në Evropë dhe më gjerë, ndërhyrjet e shpejta dhe të zgjuara në sektorin e energjisë janë jetike dhe mund të kthehen në trashëgiminë më të rëndësishme të brezit tonë.

“Investimi 236.7 milionë dollarësh, është investimi më i madh energjetik në vendin tonë prej dekadash tashmë."

"Ky investim do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik duke mundësuar një integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në forcimin e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, ka thënë Presidentja Osmani.
 
Ndërkaq, shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, ka theksuar se: “Ky nënshkrim përfaqëson vazhdimin e një partneriteti të thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, dhe përkushtimin tonë për të punuar së bashku për të ndërtuar zgjidhje moderne, të energjisë së pastër nga të cilat do të përfitojnë afro 2 milionë kosovarë”.

Programi Kompakt do të jetë investimi më i madh në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës. Ky Program përfshinë tri projekte:

1. Investime në infrastrukturën e ruajtjes së energjisë
2. Zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe
3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 shkurt 2023

 - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport, shqyrton Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 10:00)
    
- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Planin e Performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)
    
- Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizon ceremoninë për nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale për Gjilanin, që është zotim i përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të Komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (Shkolla e Mesme e Muzikës, Gjilan, ora 12:00)
    
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Temë diskutimi është plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, do të dorëzojë Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. (Ndërtesa e Prokurorisë, ora 14:00)  
    
- Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. I pranishëm do të jetë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Akademia për Siguri Publike, Vushtrri, ora 14:25)